EKSKLUZIVE/ Dy portierë nga Superiorja kandidatë, Dinamo me sytë në Rrogozhinë dhe Krujë për t’u kompletuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2023 | 8:26

EKSKLUZIVE/ Dy portierë nga Superiorja kandidatë, Dinamo me sytë në Rrogozhinë dhe Krujë për t’u kompletuar

Dinamo kishte në plan të bënte “poker” afrimesh në këtë merkato, përtej vështirësive që ofron janari. Deri tani blutë kanë fuqizuar mbrojtjen me Realf Zhivanajn dhe sulmin me Alen Ndreun dhe Amarildo Gjonin. Ka vend edhe për një goditje dhe do të jetë për portën.

DINAMO

Është pikërisht ky repart që mban të hapur merkaton e kryeqytetasve. Për pozitat që ka skuadra aktualisht në kampionat, drejtuesit nuk kanë në plan të nxitohen. Ata nuk duan që t’u përsëritet ndonjë fenomen i tipit “Rexhinaldo”, sulmuesi që erdhi janarin e kaluar si shpëtimtar dhe rezultoi një dështim i madh.

Blutë janë brenda objektivave dhe për merkaton, siç ka pohuar edhe trajneri Nevil Dede pas miqësores me Laçin, po mundohen të bëjnë lëvizje të zgjuara.

PUJA-MALAJ Porta është i vetmi sektor, ku Dinamo e ka të nevojshëm një përforcim. Me transferimin e Simon Simonit në Gjermani, katërkëndorin do ta mbrojë Edvan Bakaj. E megjithatë, skuadrës i duhet edhe një portier tjetër, sepse në një kampionat mund të ndodhë gjithçka.

Gazeta ka bërë me dije ditë më parë se blutë kanë në planet e tyre korçarin Stivi Frashëri, portierin e Ballkanit në Kosovë. Nga burime pranë klubit kryeqytetas mësohet se kjo pistë është ende e hapur, ndërkohë zbulohen edhe emrat e tjerë që mund të vishen blu.

Kandidat serioz është kavajasi Bruno Puja, 22- vjeçari që aktualisht është pjesë e Egnatias. Sezonin e kaluar ai ishte titullar me këtë skuadër, kurse këtë vit ka qenë gjithë kohën në stol. Blutë e shohin atë si një portier që do t’u bënte punë, për më tepër që mosha e tij e re shkon më shumë për shtat me strategjinë e Dinamos.

bruno puja

Një tjetër portier që blutë kanë në listë është Livio Malaj i Kastriotit. Edhe ky është një portier i ri, 21 vjeç. Edhe Malaj nuk është titullar me krutanët dhe Dinamo mund të përfitojë në këtë rast, por gjithçka mbetet për t’u parë.

livio malaj

Në listën e portierëve kandidatë për Dinamon ishte edhe kosovari Agron Kolaj, por ai ka vendosur të shkojë te Prishtina. Blutë ndërkohë mund të rikthejnë edhe shkodranin Sinan Dani, të cilin e afruan në verë dhe e huazuan te Burreli. Deri në mbylljen e merkatos klubi dinamovit duhet të ketë zgjidhur dhe çështjen e portës.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"