EKSKLUZIVE/ Dy mbrojtësa shkaktojnë tension te Tirana, Mema anulon seancën dhe… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2018 | 15:00

EKSKLUZIVE/ Dy mbrojtësa shkaktojnë tension te Tirana, Mema anulon seancën dhe… (E PLOTË)

Një debat jashtë normales, mes Eni Imamit dhe Vinsent Atingës, ka prishur humorin dhe stërvitjen e pasdites te Tirana.

ardian mema

Situata është përkeqësuar shumë, aq sa trajneri Ardian Mema ndali stërvitjen dhe zhvilloi një analizë 20-minutëshe me futbollistët, për atë që ndodhi në fushën e lojës, duke paralajmëruar se nuk toleron asnjë debat në fushë dhe ai që bën sërish apo nuk u bindet urdhrave të tij do të ndëshkohet.

NGJARJA – Skuadra po zhvillonte një ushtrim normal në fushë, ku skuadrat ishin ndarë me nga tre lojtarë. Vinsent Atinga dhe Eni Imami që ishin në një ekip, pasi munden në një aksion nga kundërshtarët, nisin të shkëmbejnë replika me njëri-tjetrin (të paktën kjo dukej nga gjestikulacioni i trupit), për lojën ose secili kishte gabuar, sepse kundërshtari ia doli t’i kalonte dhe të shënonte gol. Aq shumë u nxeh situata, saqë lojtarët iu hakërryen nga afër njëri-tjetrit, por pa shkuar më shumë. Në  këtë moment ndërhyn trajneri Ardian Mema, i cili qetëson dy futbollistët dhe pas disa minutash diskutim, sheshon situatën. Imami dhe Atinga qetësohen dhe i japin dorën njëri-tjetrit, duke mbyllur një debat, i cili mund të kishte përfunduar edhe më keq. Gjithsesi, situata në grup, me sa duket, u prish. Ndonjë reagim i tepërt i lojtarëve të tjerë bëri që ngjarja të zmadhohej, pasi disa veprimet e futbollistëve, duket se xhindosën trajnerin. Ardian Mema u pa që të ndalte përgatitjen dhe të urdhëronte skuadrën të futej në dhomat e zhveshjes, ndonëse ekipi ishte në minutën në e 62-të të stërvitjes, e cila u la në mes ose më saktë u prish për shkak të këtij incidenti, tej normales, i ndodhur në fushën e stërvitjes.

MBLEDHJA – Skuadra qëndroi rreth 20 minuta në analizë me trajnerin dhe menaxherin e skuadrës. Mësohet se trajnerit Ardian Mema nuk i ka pëlqyer gjesti i dy lojtarëve dhe sjellja e tyre në fushën e lojës. Mema u ka bërë të qartë se lojtarët po keqkuptojnë dashamirësinë e tij për të mos ngarkuar situatën dhe ka deklaruar se pas këtij incidenti, ai që thyen rregullat e tij dhe të klubit, jo vetëm që nuk do të jetë në skuadër, por as në klubin Tirana. Kritikat e trajnerit kanë qenë të forta, ndërsa dy lojtarët pranuan se gabuan dhe kërkuan falje para grupit, duke premtuar se situata nuk do të përsëritet. Situata e djeshme bëri që stërvitja të prishej dhe ambienti bardheblu të shijonte një situatë të sikletshme, që në këtë moment nuk i duhet skuadrës…

OLSI AVDIAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"