EKSKLUZIVE/ Dy klube në sulm për Seferin dhe Xhixhën, Tirana ka ofertë 650 mijë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2022 | 14:53

EKSKLUZIVE/ Dy klube në sulm për Seferin dhe Xhixhën, Tirana ka ofertë 650 mijë euro

Janë orë vendimtare në kampin bardheblu. Bëhet fjalë për ato ditë që mund të vulosin jo vetëm fatin e disa futbollistëve, por edhe të skicojnë pamjen e re që do të ketë Tirana e sezonit të ri. Lojtarët e skuadrave kampione janë gjithnjë nën lupën e klubeve të huaja dhe kur janë të rinj atëherë edhe ofertat bëhen më interesante. Por nga ana tjetër kampionët e Shqipërisë rrezikojnë të humbin pjesët dhe mund të cenojnë fort grupin e lojtarëve që i çuan te titulli i 26-të.

TIRANA

Pas largimit të Hoxhallarit, Tolit, Totres dhe Hotit, tani po bëhen diskutime të ethshme edhe për dy sulmuesit kryesorë: Taulant Seferi dhe Redon Xhixha. Gazeta mëson se dy klube kanë bërë oferta konkrete për sulmuesit bardheblu dhe përtej rezistencës së Refik Halilit, bisedimet vazhdojnë të jenë intensive.

TAULANT SEFERI Prej ditësh bomberi 25- vjeçar mungon në stërvitje me bardheblutë. Zyrtarisht ka marrë leje nga klubi, por burime pranë kampionëve bëjnë me dije se ai thjesht po pret ofertën e duhur.

SEFERI MIJA

Orët e fundit mësohet se një klub ukrainas (një mes Zorias dhe Vorskla Poltavës) kanë ofruar shumën prej 500 mijë eurosh për kartonin e tij, por edhe një rrogë të majme. Autori i 19 golave sezonin që shkoi është duke medituar për ofertën, ndërsa mësohet se presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka refuzuar.

Kreu i klubit kampion pretendon të paktën 700 mijë euro për golashënuesin e sezonit të shkuar (së bashku me Guindon). Ukrainasit gjithsesi nuk janë tërhequr dhe po vazhdojnë të negociojnë duke shpresuar në një ulje të çmimit për kartonin e 25- vjeçarit, i cili është nën kontratë me Tiranën edhe për dy vite.

REDON XHIXHA Situatë e ngjashme edhe për Redon Xhixhën, gjithashtu titullar i padiskutueshëm dhe protagonist në suksesin e Tiranës sezonin që shkoi. Dy golat e tij në Europë kanë zgjuar interesin e klubeve turke dhe oferta e parë mësohet se ka ardhur nga Boluspori.

xhixha

Turqit kanë vënë në pjatë 150 mijë euro për kartonin e tij, por ashtu si edhe në rastin e Seferit, Halili ka refuzuar. Mësohet se presidenti i bardhebluve u ka bërë të qartë se nuk bëhet fjalë për më pak se 250 mijë euro për kartonin.

24- vjeçari Xhixha realizoi 14 gola sezonin e shkuar dhe vazhdimisht ka pasur klube të interesuara për të, por oferta zyrtare deri tani ka ardhur vetëm nga turqit.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"