EKSKLUZIVE/ Dy klube bullgare zbarkojnë në Tiranë për Trashin, zbulohet sa kërkon Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2019 | 20:10

EKSKLUZIVE/ Dy klube bullgare zbarkojnë në Tiranë për Trashin, zbulohet sa kërkon Partizani

Lorenc Trashi po kalon momentin më të mirë në karrierën e tij, ku në dy ndeshjet e fundit ka qenë titullar me ekipin kombëtar, ku shënoi edhe gol në debutim ndaj Moldavisë. Mëngjarashi i Partizanit ndodhet në kulmin e tij dhe me shumë mundësi si klubi dhe vetë lojtari mund ta shfrytëzojnë momentin për një transferim jashtë vendit. 

lorenc trashi

Ka kohë që flitet për një ndryshim ambienti për Trashin, pasi interesimi nuk ka munguar, por “Panorama Sport” ka mësuar se interesimi për 27-vjeçarin është rritur më shumë. Kampionët e Bullgarisë po tregojnë se e kanë seriozisht dhe nuk heqin dorë nga futbollisti i Partizanit dhe Kombëtares, i cili luan në gjithë linjën e majtë. Ludogorets e ka ndjekur Trashin që nga fundi i sezonit të shkuar, madje e kanë monitoruar edhe në ndeshje të veçanta në kampionat, por nuk arritën të bindnin Partizanin.

Në verë bullgarët afruan 280 mijë euro për kartonin e Trashit, por “demat” nuk u dorëzuan, pasi pretendonin më shumë dhe menduan që të paktën ta shfrytëzonin edhe në Kupat e Europës. Por, Ludogorets vijon të ketë interes për Trashin dhe mësohet se emisarë të klubit kanë qenë të pranishëm të enjten në stadiumin “Elbasan Arena”, për të ndjekur nga afër ecurinë e gramshiotit me kuqezinjtë.

Trashi goli

“Panorama Sport” ka mësuar se nga Bullgaria ka interes edhe nga Levski i Sofjes për lojtarin e “demave”, të cilët gjithashtu kanë pasur përfaqësuesin e tyre në Elbasan për të monitoruar Trashin, i cili e nisi si titullar ndaj Andorrës, por luajti vetëm në 45 minutat e para.

Partizani pritet ta shfrytëzojë këtë interesim në rritje për mesfushorin e adaptuar si mbrojtës i majtë dhe mund të heqin dorë që në janar nëse në adresë të klubit arrin ndonjë ofertë bindëse. Ankandi mes dy ekipeve bullgare mund të bëjë që vlera e ofruar në verë nga Ludogorets, 280 mijë euro, të vijë në rritje, por në fund gjithçka është në dorë të drejtuesve të Partizanit. Gjithsesi, ky është momenti më i mirë që Lorenc Trashi të nisë një karrierë të re jashtë vendit.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"