EKSKLUZIVE/ Dy humbje në dy ndeshjet e para, Gjici i zhgënjyer: Lojtarët janë ta palidhur, Gega ta zgjidhë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2020 | 20:03

EKSKLUZIVE/ Dy humbje në dy ndeshjet e para, Gjici i zhgënjyer: Lojtarët janë ta palidhur, Gega ta zgjidhë

Kukësi është ndër skuadrat që ka ndryshuar më shumë gjatë merkatos së verës, ku ndryshimi në stafin teknik ku drejtimi iu besua trajnerit Skënder Gega, u pasua me 30 lëvizje lojtarësh, 16 në hyrje dhe 14 në dalje. Kështu që Kukësi është bërë nga e para dhe këto ndryshime të shumta kanë dhënë ndikimin e tyre që në fillimin e kampionatit, pasi skuadra akoma nuk e ka gjetur harmonizimin. Pas dy javëve të para Kukësi mbetet skuadra e vetme në Kategorinë Superiore që shifrën zero e ka te pikët e grumbulluara dhe te golat e shënuar. Në start skuadra e Gegës është mundur nga rivalët direkt, Tirana dhe Partizani me të njëjtin rezultat, 2-0. Presidenti Safet Gjici ka mbetur tej mase i zhgënjyer nga paraqitja dhe rezultati që skuadra e tij bëri dje ndaj Partizanit.
Gjici
Presidenti në prononcimin e shkurtër të dhënë pas ndeshjes për “Panorama Sport” dha edhe arsyen se ekipi nuk funksionon, ku lojtarët e rinj akoma nuk janë lidhur me njëri-tjetrin. Në fund ai jep edhe një mesazh për trajnerin, që sipas Gjicit i takon të zgjidhë ngërçin që kanë lojtarët në moslidhjen me njëritjetrin. “Jam shumë i zhgënjyer me ndeshjen ndaj Partizanit. Çfarë nuk shkoi? Janë lojtarë të rinj dhe të palidhur në lojë me njëri-tjetrin. I takon trajnerit ta zgjidhë këtë gjë”, u shpreh presidenti i Kukësit, Safet Gjici, për gazetën pas humbjes së djeshme në “Loro Boriçi”.

Kalendari ka qenë “flakë” për Kukësin në start, pasi pas dy kryeqytetasve në javën e tretë luan në transfertë ndaj Teutës, një tjetër rival për titull.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"