EKSKLUZIVE/ Dy fusha dhe stadium me 2000 vende, Idrizi do Flamurtarin edhe 1 vit. Zbardhet letra për Këshillin Bashkiak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2020 | 21:38

EKSKLUZIVE/ Dy fusha dhe stadium me 2000 vende, Idrizi do Flamurtarin edhe 1 vit. Zbardhet letra për Këshillin Bashkiak

Në kushtet kur kontrata e rinovuar për dy vite ka përfunduar më 31 korrik, kreu i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, kërkon një mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak. “Panorama Sport” zbardh letrën e Idrizit, bashkë me kërkesat e administratorit. Në këtë letër bie në sy fakti se kërkohet administrimi vetëm për 1 vit i klubit dhe kjo periudhë të quhet si një fazë tranzitore, me shpresën që pas kësaj të hyjë në fuqi plotësisht ligji i sportit.
Sinan-Idrizi
LETRA
“Të nderuar këshilltarë të Këshillit Bashkiak të Vlorës. Kontrata ime për administrimin e klubit të futbollit të Flamurtarit ka përfunduar më 31 Korrik. Në këto kushte, kërkoj me urgjencë brenda kësaj jave një mbledhje jashtë radhe të Këshillit Bashkiak për të diskutuar vetëm për çështjen e Flamurtarit. Duke mos pasur të tjerë të interesuar për të marrë klubin, unë dhe kompanitë që përfaqësoj jemi të gatshëm të marrim në administrim klubin edhe për 1 vit, por me kushtin që kjo të jetë fazë tranzitore dhe më pas të funksionojmë me ligjin e ri të sportit, të mos jemi më me këto kushte dhe vetëm si sponsorë.
keshilli-bashkiak-vlore
Kështu nuk funksionon më, pasi edhe ne duam të dimë rolin dhe statusin tonë në klub. E kërkoj këtë mbledhje të Këshillit Bashkiak të Vlorës me temën e Flamurtarit që taksat që paguajnë qytetarët vlonjatë për qytetin e tyre, për ndriçim, për pastrim, për kanalizim, për çerdhe dhe për kopshte, nuk kanë pse të shkojnë në xhepat e të huajve që vijnë te Flamurtari nga të katërta anët e botës.  Nëse qytetarëve vlonjatë do t’u marrim lekët për të paguar futbollistët, atëherë ndërtoni një sistem të tillë që t’i bëni të gjithë aksionerë të Flamurtarit. Por kjo gjë, kështu siç është, nuk funksionon. Jam i gatshëm që në këtë mbledhje t’ju jap edhe një raport të detajuar për situatën te Flamurtari dhe atë çfarë kemi bërë në këto 6 vite”, shkruhet në letrën e Idrizit.

PROJEKTI

Po ashtu, në letrën drejtuar Këshillit Bashkiak, administratori Idrizi i njeh këshilltarët me një projekt që e ka gati e që bën fjalë për ndërtimin e akademisë së Flamurtarit, që siç shprehet ai, do të jetë një ‘Milanelo’ në miniaturë. Sipas këtij projekti, në Pyllin e Sodës kompanitë turke kërkojnë veç të tjerash ndërtimin e dy fushave të tjera dhe një stadiumi me 2000 vende. “Kemi gati projektin për ndërtimin e akademisë së futbollit ‘Flamurtari’. Ajo pjesë e Pyllit të Sodës që është degraduar ka vende edhe për dy fusha të tjera sporti, për një stadium 2000-vendësh, ku do të luajnë të rinjtë, ‘Shpresat’ dhe gjithë grupmoshat e Flamurtarit. Aty do të ndërtohet kampi bazë i lojtarëve të Flamurtarit.

flamurtari (1)

 

Jemi i vetmi klub futbolli në Shqipëri që kemi vetëm një fushë për të stërvitur djemtë tanë. Kjo fushë është amortizuar dhe që është vetëm dysheme, nuk ka banjë, nuk ka më elementaret. I kërkoj bashkisë të marrë pronësinë ajo vetë në mënyrë të patjetërsueshme të këtyre pronave në Pyllin e Sodës. Ne, me prodhime dhe module të gatshme që do të vijnë nga fabrikat nga jashtë vendit, brenda 3 muajve do ta kemi të përfunduar si kompleks. Studiot tona të projektimit kanë gati një projekt të plotë, ku veç terreneve sportive aty do të ketë edhe një restorant, sallë trajnimi, infermieri, dhoma zhveshjeje, dushe, etj. Do të jetë një ‘Milanelo’ në miniaturë. Këtë duhet ta fillojmë urgjentisht. Jam me shpresën në mirëkuptimin tuaj dhe në caktimin e një date të shpejtë për të zhvilluar mbledhjen e Këshillit Bashkiak”, përfundon letra e firmosur nga Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"