EKSKLUZIVE/ Dy ekipe kosovare në sulm për lojtarin e Kukësit, “miq” dhe shumë para për ta bindur (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2019 | 23:25

EKSKLUZIVE/ Dy ekipe kosovare në sulm për lojtarin e Kukësit, “miq” dhe shumë para për ta bindur (E PLOTË)

Nis “gjuetia” e merkatos. Forma e mirë që Kukësi po kalon, ka bërë që klubet kosovare ta hedhin vështrimin te lojtarët e saj. Besar Musolli është në këtë listë. 

besar musolli

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se Gjilani dhe Prishtina janë vënë në gjurmët e tij. Dhe nuk është hera e parë që e tentojnë, pasi kujtojmë se gjatë verës gjilanasit, të cilët drejtohen prej Gentjan Mezanit, i bënë një ofertë “faranoike” kapitenit. Asokohe ai e refuzonte, e megjithatë vazhdon të jetë e vlefshme edhe tani. Kapitenit i kanë hyrë miq për ta bindur, por nuk ka pranuar.

Të paktën deri tani, pasi situata edhe mund të ndryshojë. Kalimi i tij në Kosovë për pak sa nuk u konkretizua vitin e shkuar, kur verioret e larguan 30-vjeçarin sepse ishte i dëmtuar (më 30 nëntor 2018). Megjithatë, “divorci” zgjati deri më 3 dhjetor të të njëjtit vit, pasi klubi i thirri mendjes dhe bëri prapaktheu. Pas takimit me presidentin Safet Gjici, vendosën se mesfushori do të mbetet përgjithmonë futbollist i Kukësit.

besar musolli

Duhet thënë që Besar Musolli është kthyer në një legjendë në Kukës, pasi luan me këto ngjyra që prej ditës që ekipi u ngjit në Kategorinë Superiore. Duke parë rrjedhën e ngjarjeve, kosovarët duket se kanë pak shpresa për ta arritur. Tetë vite të kaluara te Kukësi e bëjnë shumë më shumë të vështirë “divorcin”.

E megjithatë, kontrata dhe lidhja shpirtërore që kapiteni ka me këtë ekip nuk u heq të drejtën kosovarëve që ta tentojnë. Ata po mundohen që ta joshin me financa. Gjilani ka si “bonus” faktin që garon për titull, ndërsa Prishtina po shfrytëzon pjesën që familja e lojtarit jeton në kryeqytet dhe kështu do të ketë mundësinë që të jetë pranë me ta.

DAKU E AVDYLI – Kukësi u përforcua në verë me portierin Ilir Avdyli dhe sulmuesin Mirlind Daku. I pari ka qenë pjesë e përfaqësuese së Kosovës, ndërsa i dyti i U-21 të Kosovës. Duke parë aktivizimin me pikatore të tyre te verilindorët, sipas mediave kosovare të dy lojtarët mendojnë të rikthehen në vendlindje.

mirlind daku

Avdyli ka pasur vetëm 360 minuta lojë, pra 4 ndeshje nga 15, ndërsa Daku 262 minuta dhe 11 ndeshje, 2 si titullar dhe 9 si zëvendësues. Gjithsesi, gazeta mëson se lojtarët kanë kontratë 1-vjeçare me klubin verilindor dhe janë në planet e klubit për pjesën e dytë të sezonit.

ilir avdyli kukesi

Madje, te Kukësit i mohojnë zërat e largimeve, duke thënë se nuk ka asgjë të vërtetë. Por, gjithsesi, mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet me hapjen e merkatos.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"