EKSKLUZIVE/ Duka flet pas zhgënjimit: Panuçi ka përgjegjësi, në shtator dua…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2018 | 23:25

EKSKLUZIVE/ Duka flet pas zhgënjimit: Panuçi ka përgjegjësi, në shtator dua…

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka mbetur i zhgënjyer nga humbja e djeshme me Ukrainën. Jo më shumë për humbjen e radhës të kuqezinjve në një miqësore, sesa për mënyrën sesi u paraqit skuadra. E megjithatë, ai është distancuar sërish nga një pjesë e madhe e opinionit publik, e cila kërkon “kokën” e Panuçit.

Kreu i FSHF-së i shpreh mbështetje trajnerit italian, por ndërkohë i jep sinjale të qarta në distancë se durimi e ka një kufi. Ai përmend shtatorin si pikën e kthesës, sepse atëherë fillon edhe kompeticioni i Ligës së Kombeve. Nëse Shqipëria do të zhgënjejë edhe aty, atëherë gjithçka mund të ndodhë. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport” pas ndeshjes, kreu i federatës nuk e “zhvesh” Panuçin nga përgjegjësitë, por i kërkon skuadrës gjithashtu që të jetë më e kujdesshme.

Panuci-Duka- Sheva

Çfarë përshtypje ju la kjo ndeshje?

M’u duk mirë në fillim dhe mendova se s’do të ishte e njëjta gjë si me Kosovën. Çunat m’u dukën të impenjuar më shumë. Por gjithsesi, pasi pë- suam gol, çdo gjë u shkërmoq. Për fat të keq, shumë lehtësisht kundërshtari vinte në portë.

A keni frikë se po zhbëhet puna e viteve të fundit?

Në fakt, nuk jemi në moment të mirë. Ka kohë që e mendoj këtë. Lojtarët jo të gjithë luajnë, por s’duhet të harrojmë që kemi gjysmën e titullarëve që mungonin, të cilët besoj se do e ndihmojnë skuadrën në shtator.

A ju shqetëson fakti që Panuçi nuk po arrin të gjejë ekuilibrat e duhura?

Në këto dy miqësore iu dha shansin shumë lojtarëve. Duhet t’i japim kohë Panuçit dhe skuadrës. Kam shumë besim se do jemi ndryshe në shtator.

A rrezikon pozicionin Panuçi me këto rezultate?

Nuk mund shënjestrojmë trajnerin e t’i japim të gjitha përgjegjësitë e rezultateve negative. Personalisht, ajo që më ka shqetësuar më shumë është paraqitja jo e mirë sidomos në ndeshjen me Kosovën. Megjithatë, është e qartë se edhe trajneri ka pjesën e vet. Gjithsesi, kam besim se në shtator do të kemi përmirësime të dukshme dhe situata do të ndryshojë.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"