EKSKLUZIVE/ “Duhen blerje të tjera”, Shehi: Kemi afruar futbollistë me petk kampioni, nuk marrim lojtarë nga… “YouTube”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2022 | 21:03

EKSKLUZIVE/ “Duhen blerje të tjera”, Shehi: Kemi afruar futbollistë me petk kampioni, nuk marrim lojtarë nga… “YouTube”

Orges Shehi është i qartë. Tirana ka ende lojtarë për të afruar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, numri një i stolit bardheblu foli për shortin e Europës, teksa pranoi se pas ndeshjes së parë mund të thotë diçka nëse kualifikohen në turin e dytë të Champions-it.

Shehi

Nga ana tjetër, Shehi deklaroi se nuk merr lojtarë nga “Youtube”, por paralajmëroi se skuadra do të afrojë edhe futbollistë të tjerë për të ardhmen në Superiore.

Profesor, nga sot zhvendoseni në Turqi. Cili është plani juaj për këtë fazë përgatitore?

Nga sot ne mbyllim një fazë 7 ditë në Tiranë dhe më pas 14 ditë në Turqi. Çdo ditë është e programuar për shkak të kohës më të freskët se këtu, ama edhe për shkak të ndeshjeve miqësore.

Ne nuk mund t’i zhvillojmë në Shqipëri dhe për skuadrën tonë ato janë të domosdoshme. Nëse qëndronim këtu afër, do ta kishim të pamundur që të gjenim kundërshtarë. Shorti hidhet në datën 14 dhe do të shohim kundërshtarin që do të na bjerë apo do të na rezervojë fati.

E keni parë vazon e skuadrave që mund të keni kundërshtare në ndeshjet e Champions-it?

Në atë vazo janë shumë skuadra të forta dhe normalisht syri të shkon te vazot me koeficient më të ulët. Në bazë të koeficientit është edhe fortësia e skuadrës. Ato që kanë koeficient të lartë, janë gjithmonë aty, në grupe apo që kalojnë fazën e grupeve a luajnë në “play off”.

Koeficienti për këtë është, për të parë se sa shkon larg në Europë. Dëshira ime është që të na bjerë një kundërshtar me koeficient më të ulët, por kushdo që të na bjerë, ne do të futemi në fushë për të dhënë atë maksimumin tonë, me idenë që futbolli luhet 11 me 11.

Pas 14-ës do të shohim kundërshtarin dhe do të studiojmë skuadrën çfarë elementësh ka dhe për t’u përgatitur sa më mirë. Nga ana tjetër, shanset janë reale pas ndeshjes së parë. Kjo do të thotë se ti ke luajtur ndeshjen e parë. Di çfarë skuadre ke përballë, e prek nga afër, e prek në fushë. Vetëm në ndeshjen e dytë mund të flasim për shanse.

Florent Hasani, Albano Aleksi, Ardit Hila dhe ndoshta Arlind Ajeti. Kjo skuadër është e kompletuar?

Unë do të flas për lojtarët që janë në skuadër. Ka tratativa edhe me lojtarë të tjerë, por nuk mund të flas më shumë pa u bërë pjesë jona. Ne jemi munduar që të marrim lojtarë që i njohim. Nuk marrim lojtarë nga “Youtube” apo pamjet filmike, pa e ditur çfarë bëjnë dhe çfarë njerëzish janë, çfarë cilësish kanë. Kemi bërë merkato me njerëz dhe lojtarë që kanë petk kampioni dhe u bashkohen kampionëve. Do ta gjejnë veten shumë mirë dhe do të na përshtaten shumë mirë. Janë lojtarë me eksperiencë dhe do ta bëjnë skuadrën më të fortë.

Mund të themi se kjo është skuadra e plotësuar, që do të jetë ekipi i sezonit të ri?

Jo, jo. Kemi akoma lojtarë për t’u përforcuar në disa pozicione që jemi në mëdyshje. Vazhdojmë, vazhdojmë, por asnjëherë nuk po nxitojmë. Duam lojtarë që na shërbejnë. Ne nuk nxitohemi dhe nga nxitimi të bëjmë gabime e të mbushim skuadrën me lojtarë që nuk na shërbejnë për të ardhmen.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"