EKSKLUZIVE/ Dueli me Murinjon, Shkëndija dhe batuta e Gjicit, rrëfehet Ernest Gjoka: Çfarëdo që të ndodhë… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2020 | 18:06

EKSKLUZIVE/ Dueli me Murinjon, Shkëndija dhe batuta e Gjicit, rrëfehet Ernest Gjoka: Çfarëdo që të ndodhë… (E PLOTË)

Shkëndija është një emër i pashmangshëm në jetën e Ernest Gjokës. Karriera e tij si trajner lindi pikërisht në fillim të viteve 2000 me grupmoshat e shkollës “Loro Boriçi” në kryeqytet, të cilat prej dekadash përfaqësohen në kampionatet U-17 dhe U19 me emrin Shkëndija e Tiranës. Sot Gjoka është 50 vjeç dhe drejton një tjetër Shkëndijë, atë të Tetovës në Maqedoninë e Veriut. Dy ditë më parë arriti një sukses personal si trajner në arenën ndërkombëtare, pasi kaloi dy ture radhazi në Ligën e Europës në drejtimin e skuadrës tetovare. Fitorja në Rumani ndaj Botoshanit ishte magjike për Shkëndijën, pasi kualifikimi në turin e tretë i rezervon një përballje me gjigantët anglezë të Totenhemit, pikërisht më 24 shtator në stadiumin “Toshe Proeski” të Shkupit.
GJOKA
Në këtë moment nuk mund të flitet për diferencat që kanë klubet, por për një ndeshje që duhet shijuar. Gjoka nuk e kishte menduar kurrë se një ditë do të përballej si rival me karizmatikun Zhoze Murinjo. Por, këtë herë Nesti është trajneri kundërshtar i portugezit që drejton Totenhemin. “Me Shkëndijën mund të realizosh çdo objektiv. Tri vite më parë erdhi Milani, tani Totenhemi. Çfarëdo që të ndodhë në fushë, do të dalim të fituar”, thotë ndër të tjera Gjoka në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”.

Ernest, dy ture me Shkëndijën në Ligën e Europës dhe për më tepër me ndeshje të luajtura në Azerbajxhan dhe Rumani. E prisnit këtë sukses?

Këto dy ture kanë qenë shumë të forta për Shkëndijën, jo thjesht sepse i luanim të dyja ndeshjet teke në transfertë. Fillimisht kishim kundërshtar një skuadër azerbajxhanase, që gjithsesi kishte specifikat e saj si ndeshje dhe nuk mund të quhej e lehtë. Ndërsa në turin e dytë kishim një skuadër si Botoshani, që për momentin është nga ekipet më në formë në Rumani. Siç e panë të gjithë, ishte një ndeshje shumë e fortë dhe me një lojë agresive. Ne i dimë forcat tona dhe fusha tregoi se Shkëndija e ka potencialin për të bërë gjëra të mëdha. Mendoj se deri këtu ku kemi arritur, thjesht kemi bërë detyrën. Shkëndija nuk mund të kënaqet kurrë me dy ture, por tashmë fati ynë i keq sa i përket shortit është që do të kemi një handikap në turin e tretë, pasi luajmë përballë një klubi elitar si Totenhemi…
gjoka-dhe-tafaj

Do të flasim për përballjen me Totenhemin, por më parë na tregoni se si është të punosh te Shkëndija dhe ku është ndryshimi me klubet që keni drejtuar në Shqipëri?

Shkëndija e Tetovës është një institucion në plot kuptimin e fjalës. Një klub i organizuar shumë mirë, që çdo vit e më shumë mundohet të japë atë kujdesin e duhur për të kapur nivelet elitare. Në këto gjashtë vite që Shkëndija drejtohet nga zoti Lazim Destani është munduar të bëjë mirë, duke pasur kështu një sukses të madh brenda dy viteve të para. Ardhja ime në klub ka përkuar me një moment ku u mbyll një cikël pas pesë viteve suksesesh dhe ndërtimi të një klubi elitar. Këtë sezon kemi nisur një cikël të ri, ku nga ndryshimet e bëra, janë afruar gjashtë lojtarë që luajnë për herë të parë me Shkëndijën. Sa u përket diferencave me Shqipërinë, mund të them se këtu punohet ndryshe dhe ka një tjetër mentalitet. Duke pasur parasysh se cilët janë pronarët e klubit, këtu është investuar në një sistem ashtu siç është e ndërthurur kompania “Ecolog”.

Më konkretisht ku bëhet diferenca me klubet shqiptare?

Mendoj se Shkëndija është një mentalitet ndryshe dhe një hap para klubeve shqiptare për vetë faktin se pronarët kanë ide të tjera në trajtimin e biznesit. Këtu çdo gjë është e ndërtuar ndryshe, sepse kjo nis që nga kushtet më të mira të stërvitjes. Po ju them një detaj që nis nga baza materiale dhe përgatitja fizike. Klubi ka investuar mbi 80 mijë euro vetëm për atë që quhet katapulti, i cili të jep të dhënat fizike të çdo futbollisti në çdo aspekt. Kjo është diçka që mungon në Shqipëri dhe duhet të futet me patjetër. Sigurisht njerëzit që punojnë këtu mundohen ta zhvillojnë çdo ditë klubin, për të mos munguar asgjë. Shkëndija prandaj është në këto nivele.

Sa e ndieni trysninë në një vend si Maqedonia, ku ka pasur jo pak racizëm ndaj shqiptarëve?

Kjo është evidente, sidomos ndaj Shkëndijës së Tetovës, që ka një lloj racizmi kur luan ndaj Vardarit apo disa ekipeve të tjera maqedonase. Personalisht kam parë anën profesionale dhe jam munduar të jem gjatë gjithë kohës “fair play” në këtë drejtim. Gjithsesi, mundohemi të bashkëjetojmë dhe bashkëpunojmë me të gjithë
murinjo

 

Çfarë menduat kur mësuat se do të luani me Totenhemin e Zhoze Murinjos?

(Qesh) Ajo që më erdhi ndërmend fillimisht është se ne duhet ta shikojmë këtë ndeshje në sensin pozitiv. Unë mendoj se çfarëdo që të ndodhë në fushë, Shkëndija do të dalë e fituar. Pra, do të krijojë një imazh pozitiv, do të jetë dinjitoze në fushë dhe do të përfitojë ndoshta nga eksperienca e një klubi kaq të madh si Totenhemi sa i përket të ardhmes. Unë e kam marrë shumë qetësisht, sepse e di se çfarë kërkojmë dhe se çfarë duhet të bëjmë. E rëndësishme është që në fund të ndeshjes Shkëndija të arrijë të fitojë, pavarësisht rezultatit në fushë.

Çdo trajner ka kulmin e tij, është ky një moment që ndoshta nuk e keni menduar kurrë se përballë do të keni një personazh shumë të famshëm në botën e trajningut…?

Këto janë gjëra që në botën e trajningut, sa të largëta duken, aq edhe të afërta bëhen. Të jem i sinqertë një personazh si Murinjo nuk më ka shkuar ndërmend se do ta takoja një ditë për t’u përballur si kundërshtar me ekipet që drejtojmë. Por, ja që ndodhi dhe nuk është rastësi kur drejton Shkëndijën e Tetovës. Nuk duhet të harrojmë që vetëm tri vite më parë Shkëndija luajti ndaj Milanit, një emër më i madh se Totenhemi. Me Shkëndijën mund të realizosh çdo objektiv.

gjici gjoka kukesi

Shpesh kur takojnë trajnerët në Shqipëri, përdorin zhargonin: “Na bën si Murinjo…!” Besoj ju ka ndodhur edhe juve?

Po, është krejt normale në fushat tona. Murinjo dhe Guardiola kanë qenë pjesë e jetës sonë prej 15 vitesh. Gjithmonë ka pasur ironi të tilla në stadiume apo vende të tjera. Për shembull, ndonjëherë kur më ngacmonte presidenti i Kukësit, Safet Gjici, përmendte emrin e Guardiolës. Më thoshte: “Je bërë si Guardiola…”.

Trajneri portugez, përveçse shumë i njohur për polemika me kolegët, shpesh u bënte dhurata. E keni menduar ta bëni një gjë të tillë tani që do të vijë në Shkup…?

Dhurata më e mirë është thjesht fakti që do të njihemi personalisht dhe do të bisedojmë. Kur ta takoj “live”, do ta zbuloj se çfarë do t’i them. Nuk kam menduar tani ndonjë gjë…

Çfarë ndodh nëse kaloni anglezët…?

Do të përgatitemi për ndeshjen e “play off”-it (qesh). Do ta ndjek Totenhemin në ndeshjen që ka luajtur së fundmi në Bullgari, të shohim… Ishalla fati është me ne… Siç e thashë edhe më lart, sido që të shkojë rezultati i kësaj ndeshjeje, ne jemi të fituar.

JORGIS MEMO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"