EKSKLUZIVE/ Dueli me Lautaron dhe pengu me Dortmundin, Berisha: Ju tregoj sekretet, pas tërmetit telefonova…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2019 | 23:50

EKSKLUZIVE/ Dueli me Lautaron dhe pengu me Dortmundin, Berisha: Ju tregoj sekretet, pas tërmetit telefonova…

Etrit Berisha po zhvillon një nga sezonet më të mirë në karrierë me SPAL-in. Kundër Interit ai ishte lojtari më i mirë në fushë për skuadrën e tij, ndonëse nuk mundi të shmangte dot humbjen me kryesuesit e kampionatit italian. 

auto_berisha_inter_spal1575226231

“Ishte një ndeshje e vështirë, por nuk mund të bëja asgjë te dy golat e Lautaros”, thotë portieri i Shqipërisë ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Për të ishte një ndeshje e vështirë edhe sepse vendi i tij u godit nga një tërmet katastrofik. Në rrëfimin për gazetën portieri 30-vjeçar tregon telefonatën e parë që bëri pasi mori vesh për tërmetin dhe më pas bisedën me Orges Shehin, ish-shokun e skuadrës që jeton në Durrës.

Etrit, sa e vështirë është të luash futboll kur vendin tënd e godet një tërmet shkatërrimtar si ai i 26 nëntorit? 

Ishte e vështirë të them të drejtën. Nuk ka shqiptar që nuk është tronditur nga ajo që ndodhi. Për ne që nuk jetojmë aty, ishte gjithashtu e vështirë, më besoni.

spal-berisha

Kur e morët vesh lajmin? 

Që në orët e para të mëngjesit. Zakonisht nuk fle rehat pas një ndeshjeje. Një ditë më parë ne luajtëm kundër Xhenoas (barazuam 0-0) dhe të them të drejtën më doli gjumi shumë herët. Pashë në lajme atë që kishte ndodhur dhe u shqetësova.

Kujt i telefonuat të parit? 

Familjes sime. Ata jetojnë në Prishtinë, por edhe atje ishte ndierë shumë. I pyeta nëse ishin mirë dhe u përpoqa të kuptoja se çfarë kishte ndodhur. Më pas i telefonova Orges Shehit.

Pse Shehit? 

Sepse jemi miq që nga koha që kemi kaluar në Kombëtare, por mbi të gjitha ai është durrsak dhe e di që familjen e ka në Durrës. Nuk e di, më erdhi instiktive ta pyesja dhe për fat të mirë nuk kishin pësuar dëme.

berisha

E kujt ishte ideja nga lojtarët e Kombëtares për t’i dhënë jetë nismës në ndihmë të të prekurve nga tërmeti? 

Nuk ka rëndësi e kujt ishte ideja. E rëndësishme ishte që të gjithë u bëmë bashkë menjëherë dhe po bëjmë sa mundemi për të mbledhur sa më shumë fonde për ata që kanë nevojë. Mendoj se këtë kanë bërë të gjithë shqiptarët, sepse kam parë një solidarizim të jashtëzakonshëm. Kjo më bën krenar për kombin tim, për popullin tim. U bëj thirrje të gjithëve që me aq mundësi sa kanë të ndihmojnë njëri-tjetrin në këto ditë të vështira. Është shumë e rëndësishme që të dëmtuarit të mund të rimëkëmben sa më shpejt.

Le të flasim për futbollin e luajtur, a e prisnit këtë shkëlqim te SPAL-i? 

Unë kam punuar fort gjithnjë. Natyrisht, në disa raste kam pasur fat, në disa jo, por impenjimi im ka qenë maksimal.

etrit berisha

A është ky sezoni më i mirë në karrierën tuaj? 

Nuk di ta them këtë, por kur erdha te SPAL-i isha i motivuar dyfish. I vura objektiv vetes të tregoja se kam ende shumë për të dhënë dhe mendoj se deri tani gjërat kanë shkuar mirë. Kam një dëshirë të madhe që të tregoj më të mirën time.

Sa e vështirë ishte të luanit kundër Interit? 

Gjithnjë është e vështirë të përballesh me ekipet e mëdha. Interi hyn në ato skuadra që ka shumë potencial, por ne ishim të ndërgjegjshëm dhe dhamë maksimumin, edhe pse për fat të keq nuk mundëm të merrnim një rezultat pozitiv.

A ishte kjo me Interin ndeshja më e mirë që keni bërë këtë sezon? 

Unë mendoj se kam bërë paraqitje të mira edhe në ndeshje të tjera. Sa për vlerësimet, kjo u takon specialistëve.

A mund të kishit bërë diçka më shumë te golat e Lautaros? 

Nuk besooj… te goli i parë nuk kisha as pamjen e qartë, ndërsa te goli i dytë, kisha shumë pak mundësi.

etrit berisha

Cili është sekreti i formës suaj? 

Mendoj se ka të bëjë me punën e përditshme dhe me ambicien për t’u përmirësuar gjithnjë e më shumë. Por një meritë të madhe ka edhe trajneri i portierëve të SPAL-it (Andrea Brunelo). Ai më ka ndihmuar shumë dhe më ka përmirësuar në disa aspekte.

Mund të jeni pak më i qartë… Për çfarë ju ka ndihmuar trajneri? 

Ushtrimet që bëjmë, mënyra se si punon, por mbi të gjitha analizat. Shpeshherë ne analizojmë me video edhe stërvitjet që bëjmë dhe më thotë me detaje se ku duhet të përmirësohem dhe çfarë duhet të evitoj. Ai ka një karrierë të pasur edhe në disa klube të tjera të Serisë A dhe kjo më ka ndihmuar së tepërmi.

Keni shumë vite në Serinë A, cila është skuadra më e vështirë për ju? 

Juventusi. Ka shumë cilësi dhe është shumë e vështirë jo vetëm që ta mbash portën të paprekur, por edhe të marrësh rezultat pozitiv me ta. Janë ndoshta e vetmja skuadër që edhe kur nuk është në ditën e saj më të mirë, arrin të shpikë diçka gjatë ndeshjes dhe të gjejë mënyrën për ta çuar topin në rrjetë. Me ta nuk është kurrë e lehtë…

Kush është miku më i mirë në futboll? 

Kam shumë miq, por në futboll ai është portier, quhet Flamur Neziri dhe luan në kampionatin e Kosovës (Dukagjini). E vlerësoj shumë dhe ndaj me të një miqësi të pastër. Ndonjëherë më ndihmon me këshillat që më jep, pasi është edhe pak më i madh në moshë, por ndonjëherë edhe unë e ndihmoj atë.

Ka një dualizëm të vazhdueshëm me Strakoshën në ekipin kombëtar. A ju bezdis kjo gjë? 

Unë e konsideroj vetëm një konkurrencë të shëndetshme me Strakoshën. Kam një raport shumë të mirë me të, sepse njihemi që nga koha kur luanim bashkë te Lacio, por ky lloj dualizmi, apo sensi i krahasimit ekziston vetëm në media. Ne jemi profesionistë të dy dhe ndonëse askujt nuk i pëlqen që të ulet në stol, i njohim shumë mirë rregullat e futbollit dhe përpiqemi të japim maksimumin në çdo ndeshje. Madje e dini çfarë?

Çfarë? 

Mendoj se nëse Kombëtarja shqiptare do ta kishte nivelin e konkurrencës edhe në repartet e tjera si ai që ka në portë, atëherë mendoj se do të ishte akoma më mirë për skuadrën tonë. Nuk ka nevojë as për krahasime dhe as për xhelozi kur në role të caktuara ke lojtarë të nivelit të lartë. Thjesht kjo i bën mirë një skuadre që të rritet dhe tifozët e saj duhet të ndihen krenarë që i kanë në ekip lojtarë të tillë.

A keni ndonjë peng në karrierën tuaj? 

…(mendohet)… Peng në ç’kuptim?

Në kuptimin që në një ndeshje mund të kishit bërë diçka më shumë, ose në një moment të caktuar të kishit marrë një vendim tjetër… 

Çdo njeri ka vend për përmirësim. Nëse kthejmë kokën, mbrapa ka edhe raste kur mund të kishim bërë më mirë. Jo vetëm në sport, por në çdo fushë të jetës. Por rasti që më vjen tani ndërmend ishte vitin e kaluar me Atalantën kundër Dortmundit, kur luanim në Ligën e Europës.

Çfarë ndodhi aty? 

Ishte minuta e 83-të e ndeshjes dhe po fitonim 1-0. Deri në atë moment ishim duke u kualifikuar, sepse në ndeshjen e parë kishim humbur 3-2, por na ndihmonte golavarazhi. Më erdhi një gjuajtje diagonale nga brenda zonës dhe ndonëse e kontrollova topin me duar, rrëshkita prej shiut të madh që kishte rënë dhe e gjuajta topin pa dashje me gju. Më iku topi nga duart dhe më pas Dortmundi shënoi. U mërzita pa masë atëherë sepse ishim duke u kualifikuar. Ishim duke eliminuar një skuadër të madhe në Europë dhe ajo ndeshje mund të kishte ndryshuar shumë gjëra. E përjetova keq të them të drejtën, por futbolli ky është.

Ju tashmë jeni ndër lojtarët më të “vjetër” në Kombëtare, a e ndieni më shumë peshën e përgjegjësisë? 

Natyrisht që po. Vjen vetvetiu kjo punë. Në ekipin kombëtar kanë ardhur shumë djem të rinj, me të cilët hera-herës bisedojmë, sepse është e nevojshme të bisedojmë. Është pak e vështirë situata në ekipin kombëtar edhe për faktin e tranzicionit të brezave. Nuk ke shumë kohë që të përshtatesh, pasi grumbullimet zgjasin vetëm pak ditë. Por gjithsesi kam parë që të gjithë janë të disponueshëm dhe kanë dëshirë që të bëjnë më të mirën.

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"