EKSKLUZIVE/ “Duam takim me Demollarin”, prapaskena me arbitrat e Shqipëri-Bjellorusi: Ishim të vegjël kur luaje me Dinamon, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Nëntor 20, 2020 | 23:59


EKSKLUZIVE/ “Duam takim me Demollarin”, prapaskena me arbitrat e Shqipëri-Bjellorusi: Ishim të vegjël kur luaje me Dinamon, por…

Ndeshja, Shqipëri-Bjellorusi 3-2, është drejtuar nga arbitrat rumunë të FIFA-s, kryesori Radu Petresku dhe asistentët Radu Gingulak dhe Mirçea Grigoriu. Interesante është se një ditë para ndeshjes, ata kanë vizituar stadiumin për t’u njohur me impiantin kryeqytetas, “Air Albania”. Duke parë mjediset janë ndeshur me një emër: Sulejman Demollari. Pa hezituar, madje me shumë interes i kanë kërkuar shoqëruesit mundësinë për ta takuar ish-kapitenin e Dinamos së Bukureshtit. “Panorama Sport” mëson se takimi është realizuar në drekë në hollin e hotel “Tirana Internacional”, ku ata ishin akomoduar.
pjimage (1)
“Nga shoqëruesi i tyre u njoftova se arbitrat rumunë të takimit Shqipëri-Bjellorusi, kishin shprehur dëshirën për të më takuar. Ishte surprizë, pasi asnjë lidhje, asnjë njohje nuk kisha me ata. Sidoqoftë shkova dhe u takuam”, – tregon Demollari për “Panorama Sport”.

Qëndrimi me ata ka zgjatur, pasi edhe për arbitrat ishte pak befasi, të takonin në Tiranë, një ish-lojtar të Dinamos së Bukureshtit, ndër të huajt më të famshëm që kanë veshur fanellën e këtij klubi, madje edhe kapiten i ekipit.
demollari
“Demollari, ne nuk të kemi parë, pasi kur ti ke luajtur me Dinamon në Bukuresht, ne kemi qenë të vegjël, 2 dhe 5 vjeç – u shprehën ata. – Por, edhe pse vitet kalojnë, gjurmët dhe fama që ka lënë në Bukuresht edhe sot është shumë e madhe për ju. Keni qenë dhe mbeteni një personazh i njohur, që kujtoheni me mjaft simpati. Mjafton të përmendësh Shqipërinë, menjëherë për ne rumunët, sidomos për ne qytetarët e Bukureshit, të vjen në mendje Sulejman Demollari. Një emër, që është trashëguar nga një brez te tjetri. Keni qenë dhe jeni jo vetëm një ndër lojtarët e shquar të Dinamos, por edhe një qytetar i nderuar dhe shumë i respektuar. Edhe sot i tillë jeni”, – u shprehën ata.

Dhe ajo që i befasoi ishte edhe komunikimi në rumanisht.

“As gjuhën nuk e keni harruar” – më thanë, shprehet Demollari.

Karriera e Sulejman Demollarit në Rumani, është e lidhur me Dinamon e Bukureshtit, në vitet 1991-94, si lojtari kryesor i këtij klubi, goleador, kapiten, si një ndër futbollistët e njohur të futbollit rumun. Fakti që edhe arbitrat rumunë kërkuan të takoheshin me të, shpreh qartë konsideratën dhe vlerësimin që ka ende sot, pas kaq vitesh Sulejman Demollari në mjediset sportive rumune.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com