EKSKLUZIVE/ “Duam kualifikimin, ja si mund t’ia dalë Shqipëria”, Cikalleshi: Nuk vlen as Gjimshiti dhe as golat e mi nëse… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2021 | 23:52

EKSKLUZIVE/ “Duam kualifikimin, ja si mund t’ia dalë Shqipëria”, Cikalleshi: Nuk vlen as Gjimshiti dhe as golat e mi nëse… (E PLOTË)

Dy gola nga ajri dhe Koniaspor përmbys ndeshjen nga 2-0 në 2- 3. Sokol Cikalleshi, në një intervistë për “Panorama Sport” flet për “ndeshjen në kornizë”, formën dhe ecurinë e tij në Turqi si dhe bën analizën e Kombëtares për edicionin e kualifikueseve drejt botërorit “Katar 2022”. Bomberi kuqezi tregon synimin e kuqezinjve dhe për eksperiencën që ka, shpjegon sa shanse ka dhe si mund t’ia dalë Shqipëria që të ketë sukses. 30- vjeçari ka edhe një mesazh për brezin e ri të futbollistëve që po bëjnë mirë: “Nuk bëhesh futbollist me dy gola apo me një ndeshje të mirë. Duhet sakrificë në përditshmëri”.

cIKALLESHI FESTA

Cikalleshi, shënuat dopietë për përmbysjen, si ishte?

Ndjesi fantastike. Ishte ndeshje e çmendur, pasi përmbysëm nga 2-0 në 3-2 ku unë realizova dy golat e fitores. Realisht, ishte një ndeshje për kornizë, si në aspektin personal ashtu edhe për ekipin.

Dy gola me kokë, një armë e shtuar për Cikalleshin?

Në fakt kështu po e ndjej edhe unë (qesh…). Nuk kam pasur shumë gola me kokë, por kohët e fundit janë shtuar. Besoj se kjo vjen edhe nga eksperienca. Jam i bindur që do të shihni edhe të tjerë.

Festuat në gjunjë në “Air Albania” dhe ngecët, duke fajësuar fushën. Edhe në Turqi ngecët këtë fundjavë duke rrezikuar…

Problemi është që ekzaltimi i golit, më bën që të mos mendohem gjatë, vetëm të gëzoj. Më është bërë automatik ai festim, që rrëshkas me gjunjët. Mirëpo më duhet ta mendoj, sepse kam qenë disa herë duke e pësuar. Ka ardhur koha që të ndryshoj edhe mënyrën e të festuarit (qesh…).

Pse keni pasur një periudhë mungese goli, lidhet me ecurinë e ekipit?

Goli më ka munguar edhe për shkak të rolit, sepse trajneri i kaluar më aktivizonte më së shumti si Uinger (nga krahët). Isha larg portës. Me trajnerin e ri, jam i fokusuar më shumë në qendër.

Cikalleshi, si e keni parë shortin për këtë edicion të kualifikueses?

Shorti është i vështirë për ne, gjithmonë. Kjo nuk diskutohet. Unë kam qenë dhe mbetem simpatizant i idesë që t’i mendojmë ndeshjet një nga një, me fokus maksimal te 90 minutat që na presin. Kemi përpara Andorrën, që pavarësisht se në letër konsiderohet e lehtë, nuk është e tillë aspak. Është një ndeshje për t’u fituar, kështu që për mendimin tim do të jetë një sforco. Po ashtu, kemi Anglinë dhe me radhë.

Cikalleshi goli

Si e konsideroni përballjen në shtëpi me “Tre Luanët”?

Mendoj se është një ndeshje ku mund të shkruajmë historinë. Në kuptimin që jo shumë shpesh ndodh të marrim rezultat pozitiv përballë këtyre super ekipeve të një niveli të tillë, me rekorde dhe trofe.

Ç’doni të thoni me këtë?

Që ne nuk dorëzohemi! Unë dhe lojtarët e tjerë, cilido qoftë në fushë, do të japim gjithçka kemi ne me energjitë dhe mundësitë tona. Gjithçka nga ana fizike, nga ana e luftës sportive. Ndoshta kualitetet që ata kanë do të bëjnë diferencën, ama ne do të bëjmë gjithçka mundemi.
shqiperia-ne-bjellorusi
Cili është synimi real për Shqipërinë këtë edicion?

Në këto pozita ku gjendemi, çdo hap përpara është pozitiv. Kështu që, nëse do të sigurojmë një vazo më lart për edicionin tjetër është diçka e mirë. Mirëpo, patjetër që synim është të kualifikohemi.

Vërtet e mendoni këtë?

Po! Ama, është super e vështirë. Megjithatë, siç jua thashë, nuk do të futemi të dorëzuar. Do të futemi për të bërë lojën tonë. Për të dhënë gjithçka çfarë kemi në mundësitë dhe kapacitetet tona, për të mos pasur asnjë peng në të ardhmen dhe për të mos thënë, pse nuk bëmë edhe këtë, apo po sikur të bënim edhe atë. Pra, duam që në fund të themi, cilido qoftë rezultati, ne e provuam, dhamë gjithçka dhe në këtë pikë na solli fati në fund të edicionit.

Me kë ndiheni më mirë në sulmin e Kombëtares?

Nuk jam komod të them që unë jam aty dhe do të zgjedh se me kë do të luaj. Mos ma vendosni atë petkun e liderit të sulmit, sepse e di shumë mirë që futbolli është me ulje dhe ngritje. Siç e ka pasur më parë dikush tjetër suksesin, kohët e fundit kam shënuar unë. Dhe nuk do të thotë se do jem unë aty dhe s’ka të tjerë.

Sidoqoftë një preferencë personale apo ndjesi me kë kombinoni e keni..

Kohët e fundit, kur edhe kam shënuar, më ka rënë të luaj më shumë me Manajn dhe jemi kombinuar mirë. Mirëpo, nuk mund të them se me Bekimin, Sadikun apo Uzunin, nuk jemi ndjerë mirë dhe nuk jemi kombinuar. Rëndësi ka që, Cikalleshi apo cilido që do luajë, të japë maksimumin. Ne në Kombëtare jemi shumë mirë me njëri-tjetrin, pavarësisht se kush luan. Nuk kemi situata që “obo bo, po luajti ‘x’- i, unë nuk luaj mirë”.
Mavraj26
Për “Panorama Sport”, ish/kapiteni Mavraj tha “më dhimbsen sulmuesit e Kombëtares, sepse prej lojës u duhet më shumë të mbrojnë sesa të kenë raste. Si jeni ndjerë, çfarë komenti keni?

Në periudhën me De Biazin, ai ishte një strateg i mirë që e njihte forcën tonë dhe mendonte që vetëm me mbrojtje të hekurt mund të bënim rezultate. Kjo ishte taktika e tij. Me mundësitë tona, vetëm në këtë mënyrë ne mund të përballonim kundërshtarët. Kjo mbrojtje e hekurt, niste nga sulmuesi dhe më shumë, e kemi vuajtur unë dhe Balaj, sepse ne luanim më shumë në kualifikuese. Ne ishim mbrojtësit e parë, kemi vrapuar shumë dhe nuk kemi pasur shumë raste. Ndodhte të kishim një ose dy të tillë. Ishin nga ato ndeshjet që edhe me atë rast të vetëm, duhet ta bëje patjetër gol. Kjo që thotë Mërgimi është e vërtetë. Mirëpo, ishte mënyra e vetme të arrinim tek ato rezultate që arritëm.
talksport-kane
Pas një edicioni të suksesshëm me Kombëtaren, këtë herë do krahasoheni në grup me Levandovski, Kejn etj. Është si sfidë ekstra për ju kjo?

Tani, le të rrimë me këmbë në tokë, sepse këta emra që përmendni ju, kanë bërë dhe bëjnë histori në futbollin europian dhe botëror. Pra, të qëndrojmë të vetëdijshëm për nivelin tonë dhe e theksoj, të mos dorëzohemi përballë askujt, por të bëjmë gjithçka, maksimumin e maksimumit tonë. Të mos kalojmë në iluzione. E vetmja mënyrë për ne është të jemi një grup i fortë, i hekurt në çdo veprim gjatë secilës ndeshje, për të tentuar rezultate. Vetëm kështu mund të arrijmë diçka.

Pse e theksoni kaq?

Sepse, nëse ne do të ndahemi e të themi që Cikalleshi ka bërë gola, Gjimshiti po luan në Champions, Uzuni po bën gola, e kështu me radhë, nuk do të arrijmë asgjë. Ne do arrijmë vetëm nëse të gjithë bashkë, pa asnjë përjashtim, bashkohemi grup, duke ndihmuar dhe sakrifikuar për njëri-tjetrin, vetëm kështu mund të bëhemi skuadër e fortë, e hekurt dhe të tentojmë që të shkojmë përpara. Absolutisht, forma e mirë e secilit, është shtesë për nivelin dhe forcën e këtij grupi.
shqiperia euro 2016
Ky brez, është më i fortë dhe më cilësor sesa ai i Europianit dhe që mund të synojë të luajë dhe jo vetëm të prishë lojën e kundërshtarit?

Brezi i Europianit, po e cilësoj kështu, ishte një brez i pjekur. Cana, Mavraj, Agolli, Lila etj, etj pa harruar asnjë. Lojtarë të pjekur me Kombëtaren të cilët ishin pjesë e saj prej një kohe shumë të gjatë. Ai ishte një kombinim i pjekurisë, me eksperiencën, me kualitetin që dha edhe frytet e veta. Po ashtu, me zbatimin e taktikave në mënyrë të përpiktë na çoi në rezultat. Kurse tani po ndodh një lloj rifreskimi.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Që Kombëtarja aty është për të gjithë. Cikalleshi ka shtatë-tetë vite që është aty dhe dikush tjetër ka qenë prej 12 vitesh. Secili ka qenë aty sepse nuk ka pasur tjetër më të mirë. Shqipëria aty është për çdo lojtar. Ajo që dua të them është se as në Kombëtare, as në ekip, nuk të bën futbollist as një ndeshje me përfaqësuesen apo as tre gola që bën me ekipin tënd. Futbollist të bën përditshmëria, puna e madhe që bën pa ndalur dhe pa u dorëzuar asnjëherë. Futbollist të bëjnë eksperiencat dhe sukseset apo jo sukseset vit pas viti.

A keni diçka për të thënë për brezin e ri që afrohet në Kombëtare?

Brezi i ri që po vjen këtë duhet ta ketë parasysh, që sapo thashë. Mund të vijë një lojtar, të shënojë dy apo tre gola, dhe themi “uau”. Po pastaj? Çfarë ndodh? U bë lojtar me kaq? Jo! Mund të jetë dikush tjetër që vjen më vonë në Kombëtare dhe për pesë vjet, ai shkëlqen. Pra, puna dhe sakrifica e përditshme shpërblehen. Ato të bëjnë futbollist për ekipin si dhe për Kombëtaren. Shqipërinë aty e kanë të gjithë. Brezi i ri, në ekipet ku janë, jo vetëm me një ndeshje, apo me pesë ndeshje, të kënaqen. Jo! Të kenë vazhdimësinë dy vjeçare, tre vjeçare sepse kjo të bën futbollist. Dhe nëse ndodh kjo, patjetër që do të të marrë Kombëtarja, sepse gjithmonë e ka dashur elementin e mirë.

OLSI TUJANI-PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"