EKSKLUZIVE/ “Dua titullin me Teutën, Reja veproi drejt”, Kallaku tregon emocionet e rikthimit me trofe: Luajmë futboll për qytetin, jo për të bindur skeptikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2021 | 21:37

EKSKLUZIVE/ “Dua titullin me Teutën, Reja veproi drejt”, Kallaku tregon emocionet e rikthimit me trofe: Luajmë futboll për qytetin, jo për të bindur skeptikët

Sherif Kallaku, i kthyer në Durrës në huazim 6-mujor nga Lokomotiva e Zagrebit, nuk e di nëse do të jetë pjesë e Teutës deri në fundin e këtij sezoni, por ai ka festuar si një kapiten trofeun e parë të edicionit 2021-2022 me Superkupën e Shqipërisë.

Kallaku

Fantazisti në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pohoi se kjo fitore ishte prova se Teuta e kishte merituar plotësisht titullin, ndërsa lë të hapur edhe mundësinë që të vazhdojë i huazuar edhe pas 6 muajve të akordit fillestar me Lokomotivën e Zagrebit. Kallaku u ndal edhe te Kombëtarja, ku sipas tij, me formën e fundit nuk e meritonte një ftesë për ndeshjet e shtatorit.

Riktheheni te Teuta duke fituar trofe. Çfarë ndjesie ishte për më tepër edhe si kapiten i ekipit?

Teuta është emër i madh, si dhe “djemtë e detit”, tifozët e Teutës, janë të mrekullueshëm. Rikthimi ishte një ndjesi e mrekullueshme, plus mbështetja e tifozëve të mrekullueshëm është e papërshkrueshme.

A mund të themi se do të shikojmë një Kallak në rritje pas ardhjes nga Kroacia dhe çfarë ka ndryshuar te ju gjatë kësaj periudhe?

Kanë ndryshuar shumë gjëra, por kryesorja është përkushtimi në stërvitje. Që kur jam kthyer, i kam vënë vetes detyrë të bëj katër orë në ditë stërvitje dhe regjim absolut.

Sa e rëndësishme ishte fitorja e Superkupës para startit të sezonit?

Fitorja ndaj Vllaznisë kishte rëndësi të veçantë, pasi treguam që përveçse jemi kampionë në fuqi, jemi edhe ekip i gatshëm për të ruajtur kurorën e titullit edhe në sezonin e ri. Dëshira dhe entuziazmi që kemi do të na çojë shumë lart. Këtë e tregoi edhe finalja e Superkupës, ku pas golit të parë e dominuam gjithë takimin.

A ishte fitorja ndaj Vllaznisë një përgjigje për të gjithë ata që nuk besuan te Teuta në sezonin e shkuar?

Ekipi nuk luan futboll për të bindur ata që nuk besuan. Ekipi luan futboll për Teutën, për qytetin e Durrësit dhe “djemtë e detit”. Këto janë të rëndësishme për mua, të tjerat nuk më interesojnë.

Trajneri Reja zbardhi listën e Kombëtares para disa ditësh, por nuk ju kishte grumbulluar. Cila është arsyeja që nuk ju grumbulloi?

Të them të drejtën, pak rëndësi ka, jam apo nuk jam unë në Kombëtare. Rëndësi ka Kombëtarja dhe sukseset e saj. Tjetra, ju siguroj që trajneri Reja ka grumbulluar të gjithë ata që e meritojnë. Shkurt, unë nuk e meritoja kësaj radhe me gjendjen që kam pasur. I uroj me zemër fitoren Kombëtares.

Si ju duket Teuta e këtij sezoni që nis më 11 shtator?

Sezoni i ri do të ketë rivalitet të fortë, ndaj mendoj se do të jenë disa ekipe që do të luftojnë për titull. Gjithsesi, unë besoj shumë te çunat dhe tek ekipi, që do t’ia dalim të jemi konkurrues dhe fitues si në sezonin e kaluar.

U larguat nga Teuta para fillimit të sezonit të shkuar, të cilin ekipi e kurorëzoi si kampion. A do ta shikojmë Kallakun deri në fund me Teutën dhe, pse jo, të fitoni edhe titullin kampion?

Jam i bindur që Teuta deri në janar do të jetë pretendente kryesore. Unë te Teuta jam deri në janar. Do të bëj të pamundurën ta shtyj huazimin deri në fund të kampionatit, po kjo nuk është në dorën time.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"