EKSKLUZIVE/ “Dua të realizoj 10 gola”, Roshi: Po vjen brezi që do të na çojë në Botëror

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Korrik 3, 2020 | 23:53


EKSKLUZIVE/ “Dua të realizoj 10 gola”, Roshi: Po vjen brezi që do të na çojë në Botëror

Dopietë dhe çmimi i loj tarit të ndeshjes në fitoren e Akhmat Groznit në transfertë ndaj Arsenal Tulas. Mesfushori i Kombëtares, Odise Roshi, ekskluzivisht për “Panorama Sport” tregon presionin për penalltinë që mori përsipër, objektivat personalë, ndjesinë për dopietën e parë këtë edicion si dhe i rikthehet periudhës së pandemisë në vend.
cmim roshi

Një ndeshje ku shënuat dy gola dhe ekipi i largohet zonës së rënies…
Ishte një ndeshje e rëndësishme dhe në tri të fundit ne kemi bërë shumë mirë ku kemi marrë 7 pikë. Për ne ishte shumë e rëndësishme kjo fitore, pasi tabela në fund është me diferenca shumë të ngushta. Një fitore e cila na shërbeu për këtë javë, por edhe që të kemi besim maksimal për të marrë më të mirën edhe në ndeshjen e radhës kundër CSKA-së së Moskës.

Dopieta e parë në këtë sezon, a është forma më e mirë juaja?
Deri tani kam shënuar tetë gola, shtatë në kampionat dhe një në Kupë. Ndihem mirë për momentin, por e rëndësishme është që t’i largohemi sa më shumë pjesës së fundit të tabelës. Unë dua që të shënoj përsëri e përsëri dhe mbi të gjitha të fitojmë akoma në ndeshjet e mbetura.

Morët përsipër penalltinë në momentin deciziv. A kishit presion?
Trajneri ma ka besuar mua goditjen e penalltive pothuajse gjithë sezonin dhe deri tani nuk e kam zhgënjyer nga pika e bardhë. Është e rëndësishme gjithmonë, pasi merr përsipër një penallti që ka shumë rëndësi për fatet e sezonit të skuadrës. Unë kam besim maksimal sa herë që na jepet rasti.

A keni një numër golash si synim?
Na kanë mbetur edhe pesë ndeshje për t’u zhvilluar. Kalendari realisht është shumë i ngjeshur, por sikur të shënoja edhe 3 dhe të arrij 10 golat në kampionat, nuk do të ishte keq. Do isha i kënaqur.
roshi
Roshi, për t’u kthyer pak pas, si ishte periudha e pushimit në pandemi?
Ne kemi qëndruar thuajse 2 muaj pa stërvitje, që nga data 1 prill deri në 25 maj. Si të them, jemi mërzitur shumë unë dhe çdo futbollist nga ajo periudhë. Pandemi që na ka bllokuar komplet, jo vetëm sportin, por të gjithë njerëzve. Është bezdi, pasi na duhet të jetojmë me maska, dezinfektim duarsh me solucione, pra është bërë jetesa e sikletshme, nëse mund ta them kështu. Besoj të gjithëve na ka marrë malli që të rikthehet jetesa normale si ishte më përpara.

Si e kaluat periudhën e izolimit, pasi jeni fotografuar edhe në stërvitje në Shqipëri?
Stërvitje fshehurazi (qesh…). Por, në çdo moment ka qenë një lloj stërvitjeje me rregulla, distancë dhe çfarë na kërkohej nga instancat shëndetësore. Nuk kam pasur frikë në asnjë moment, përveçse frika më e madhe ka qenë për prindërit. Për vete nuk kam për të pasur ndonjëherë frikë.

Cila do të jetë e ardhmja e Odise Roshit?
Nuk e di. Unë kam një kontratë akoma edhe dy vite me Akhmat Groznin.

Si ndiheni në një ekip nga rajoni i Çeçenisë?
Unë nuk ndihem keq. Për momentin jam mirë. Për fat, na ka ecur edhe në ndeshjet e fundit, personalisht po shënoj dhe uroj që të vazhdoj me këto ritme si dhe që të mund të realizojmë objektivat. Gjithashtu uroj që të luajmë sa më shpejt me Kombëtaren.
odise roshi
Sa ju mungon Kombëtarja?
Shumë. Është një ndjesi krejt ndryshe nga çdo ndeshje kur luan për kombin tënd.

A do të luani më nga e majta?
Në ndeshjen e fundit isha në rolin tim nga e djathta, por në atë moment të ndeshjes, kur shënova golin e dytë, u futa nga e majta brenda në zonë, pashë hapësirat që u krijuan dhe godita fuqishëm.

Si është konkurrenca në Kombëtare, krahasuar me kohën para Europianit?
Ka shumë lojtarë të rinj, si Bare, Uzuni, Çekiçi, Manaj etj., etj., pasi janë vërtet shumë dhe nuk po i përmend. Janë vërtet një e ardhme shumë e madhe për Kombëtaren tonë. Unë uroj që t’i shoh këta djem një herë në Botëror. E kam këtë ëndërr që ta shoh Shqipërinë një ditë atje. Konkurrenca ka qenë gjithmonë. Unë personalisht bëj gjithmonë maksimumin me Kombëtaren.

E shihni të largët si ditë dhe nuk e përfshini veten tuaj?
Do doja shumë të isha edhe vetë sigurisht, por nëse nuk do ta realizojmë dot në një kohë të shkurtër, të paktën të jetë një herë në histori. Ishalla të paktën ta realizojnë talentet e ardhshme që do të vijnë, se prapë do të jetë e njëjta kënaqësi. Unë e kam thënë që ëndrra ime është që të luaj në Botëror me Shqipërinë.
edi reja
Si është raporti me trajnerin Reja dhe a keni komunikuar së fundmi?
Raport normal, si me të gjithë trajnerët. Jo, nuk kam komunikuar.

Si është jetesa në Rusi dhe në rajonin e Çeçenisë?
Unë kam nisur që ta kuptoj gjuhën ruse, por flasim më shumë anglisht edhe me anë të përkthyesit që kemi. Këtu jetesa është disi ndryshe nga vendet e Europës, pasi kanë disa tradita specifike siç ka në çdo vend, sidomos në Çeçeni. Është një rajon shumë i madh, qytet shumë i pastër dhe një vend shumë i sigurt. Njerëzit kanë mentalitetin e tyre, por ama janë shumë mikpritës dhe ne shqiptarëve na duan. Në katër vjet këtu, nuk kam pasur as edhe incidentin më të vogël.

A keni një këshillë për të rinjtë që ju ndjekin?
Unë këshilloj që asnjëherë nuk duhet të mendojnë të dorëzohen. Duhet që për çdo gjë që bëjnë të punojnë sa më fort dhe të mbajnë shumë regjim. E them këtë sepse dikush që ka punuar shumë fort në futboll, vjen një moment që e arrin atë që ka ëndërruar. Unë personalisht kam mbajtur shumë regjim. Normalisht që si çdo i ri kam dalë edhe unë, në ndonjë mbrëmje apo “party”, por gjithmonë duke mos e tepruar dhe në mënyrë të kufizuar. Nëse do ta lë futbollin, nuk do të bëhesha pishman asnjëherë për regjimin që kam mbajtur gjatë gjithë karrierës.

Me cilën skuadër jeni tifoz?
Unë jam tifoz i Milanit.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com