EKSKLUZIVE/ “Dua një dhuratë”, Dede me nota pozitive për ecurinë e Dinamos: Kreu gjithmonë yni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2022 | 9:53

EKSKLUZIVE/ “Dua një dhuratë”, Dede me nota pozitive për ecurinë e Dinamos: Kreu gjithmonë yni

Ja ku erdhi edhe ndesh ja e fundit zyrtare e 2022-shit. Dinamo kryesuese e Kategorisë së Parë luan në Pukë dhe trajneri Nevil Dede kërkon nga të tijtë një dhuratë për presidentin, drejtuesit e tjerë, tifozët blu dhe veten. Jo vetëm se jemi në prag festash, por ka një plan. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri dinamovit flet me nota pozitive për ecurinë e deritanishme, Tërbunin e vlerëson si një kundërshtar simpatik, ndërkohë që shmang komentet për merkaton e dimrit.

NEVIL DEDE

Profesor Dede, jemi përpara ndeshjes së fundit për këtë vit kalendarik. Çfarë prisni nga ekipi?

Pres që t’u bëjmë një dhuratë tifozëve të Dinamos, drejtuesve tanë dhe vetes. Ne, si gjithmonë, do të jemi seriozë në fushë, duke kërkuar fitoren e radhës. Luajmë ndaj një ekipi simpatik dhe do të mundohemi të bëjmë atë që dimë të bëjmë, të jemi vetvetja.

Sa e njihni Tërbunin, me të cilin keni luajtur edhe një miqësore në verë?

E njohim si kundërshtar, por jo nga miqësorja e verës, sepse që atëherë kanë ndryshuar shumë gjëra. Është një kundërshtar për t’u vlerësuar.

Sa i kënaqur jeni nga ecuria e deritanishme e Dinamos, që tashmë e ka rimarrë kreun e vetme?

Mendoj se kemi bërë një kampionat të mirë, pozitiv. Dinamo gjithmonë ka qenë edhe është brenda objektivave të sezonit. Unë e kam thënë gjithmonë se e mira nuk ka fund dhe sigurisht që mund të kishim bërë edhe më mirë në këto javë që janë luajtur, por e përgjithshmja është pozitive. Patjetër që ka vend për përmirësim. Kreun Dinamo e ka pasur gjithmonë, asnjëherë nuk e ka lëshuar gjatë kampionatit. Asnjë skuadër nuk ka pasur më shumë pikë se Dinamo në asnjë moment deri tani. Rëndësi ka që të vazhdojmë t’i bëjmë sa më mirë deri në fund dhe të arrijmë objektivat tanë.

E pashmangshme pyetja për merkaton e dimrit, që po afron. Çfarë prisni?

Për merkaton do të flasim kur të jetë koha e merkatos. Kemi edhe një ndeshje përpara.

I referohemi në këtë rast faktit që Dinamo nuk do të ketë portierin Simoni në pjesën tjetër të sezonit?

Po, është e vërtetë. Simoni është një transferim i bujshëm, në mos më i bujshmi, po të kemi parasysh rolin dhe faktin që Dinamo bën pjesë në Kategorinë e Parë. Është një lëvizje që është kryer falë mbështetjes së shumë faktorëve në klubin Dinamo dhe kualitetit të Simonit, sigurisht. Është një lëvizje që i bën shumë mirë klubit, e bën Dinamon pikë referimi në këtë aspekt. Dua që t’i bëjmë hapat një nga një, që ky klub, kjo skuadër të jenë aty ku u takon.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"