EKSKLUZIVE/ “Drejtuesit e Laçit më erdhën në shtëpi, ballshiotët më bënë pritë në rrugë”, rrëfimi unik i Bujar Pregjës: E vërteta me Tirana-Tomori (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2020 | 0:15

EKSKLUZIVE/ “Drejtuesit e Laçit më erdhën në shtëpi, ballshiotët më bënë pritë në rrugë”, rrëfimi unik i Bujar Pregjës: E vërteta me Tirana-Tomori (E PLOTË)

Debati i hapur për titullin e sezonit 1999-2000 ka tashmë edhe rrëfimin e Bujar Pregjës. Ish-gjyqtari shqiptar i FIFA-s pranon të tregojë ekskluzivisht për “Panorama Sport” ngjarjet më të komentuara të atyre viteve, por jo vetëm ato.

pregja2

Nga denoncimet për dhunë në dhomat e zhveshjes në Berat, akuzat se ka favorizuar Tiranën, goditjet që ka marrë në fushë dhe deri te historitë e pathëna më parë nga karriera e tij si arbitër. Një intervistë për t’u mos u humbur, që, sipas asaj që insiston Pregja, janë ngjarje të treguara ashtu siç kanë ndodhur.

Bujar, kohët e fundit ka pasur polemika në “Panorama Sport” për kampionatin e sezonit 1999- 2000. Emri juaj është përmendur disa herë, madje ish-shefi i klubit të Tiranës, Sulejman Mema, pretendon se jeni goditur me qytë pistolete në Berat. Si është e vërteta?

I kam lexuar të gjitha deklaratat e protagonistëve të asaj kohe. Së pari, dua të sqaroj se nuk bëhet fjalë për ndeshjen e sezonit ku Tomori dhe Tirana diskutuan titullin. Ndeshja për të cilën ka pasur tension është e një sezoni më parë, pra 1998-1999. Tomori ka fituar 1-0 ndaj Tiranës dhe, me sa kujtoj, goli është shënuar me kokë nga sulmuesi Maloku. Kjo është 100% e sigurt, sepse e mbaj mend mirë.

Pregja

Megjithatë, ajo që dua të theksoj është se nuk ka asgjë të vërtetë që unë të jem goditur me qytën e pistoletës, siç dhe ka thënë Mema. Këtë e them me bindje të plotë. Për sa vite kam arbitruar, nuk ka ndodhur ndonjëherë të më godasin në tunel. Jam shumë koshient për këto që them.

Atëherë, na tregoni çfarë ka ndodhur realisht në pushimin e ndeshjes?

Së pari, nuk diskutohej që ishte një ndeshje me shkallë të lartë vështirësie. Situatat e atyre viteve e bënin edhe më të vështirë mbarëvajtjen e takimit. Unë kujtoj që në pushimin e ndeshjes Tomori-Tirana, që është luajtur në vitin 1999, tifozët kanë qenë shumë të irrituar. U mundova të isha superkorrekt, por pas pjesës së parë kishte pretendime të mëdha nga tifozët dhe vetë drejtuesit e Tomorit. Në momentin që jemi futur në dhomat e zhveshjes, ka pasur protesta. Madje sapo futesh në hollin e stadiumit të Tomorit, ka edhe një të veçantë aty.

Çfarë të veçante ka?

Kur futesh te dhoma e arbitrave, ka pasur një perde para dhe ajo mbyllej në momentin që ne hynim brenda.

Dhe çfarë ndodhi pasi u futët në dhoma?

Ka pasur kërcënime nga disa persona. Më saktë kanë qenë tre veta, por nuk pretendoj të mbaj mend se kush ishin. E sigurt është që nuk jam goditur. Në momentin që pati tension, ka ardhur menjëherë shefi i policisë dhe të gjithë ne si zyrtarë të ndeshjes ishim OK. Pastaj vazhdoi loja normalisht dhe nga sa kujtoj goli u shënua në minutën e 87-të. Unë nuk kam pasur ndonjë problem tjetër në Berat.

Pregja

As në ndeshjet e tjera që keni arbitruar Tomorin kundër Tiranës apo ndonjë skuadre tjetër në ato sezone?

Jo, madje kujtoj që në sezonin që Tomori ishte pretendent për titull, kam qenë arbitër në një ndeshje delikate Tomori-Teuta, ku portieri Muxhaj humbi penallti. Ai takim ka përfunduar 0-0 dhe të dyja ekipet ishin rivale për titull. Kujtoj që pas humbjes së penalltisë nga Tomori, Teuta ka pasur një rast flagrant në fundin e lojës për të shënuar dhe nëse fitonte atë takim, bëhej një nga pretendentet kryesore. Ishte një ndeshje shumë e luftuar dhe korrekte.

Të flasim pak për finalen e luajtur në Elbasan mes Tiranës dhe Tomorit, e cila është gjykuar gjithashtu nga ju. Shefi i klubit të Tomorit, Ismet Ajazi, ju ka etiketuar si një arbitër të preferuar të Tiranës, madje ka thënë se në momentin që është hedhur shorti para atij takimi, keni buzëqeshur me Sulejman Memën…

(Qesh) Nuk besoj se këto gjëra duhen marrë në konsideratë. Absolutisht jo. Nuk ka pasur të tilla veprime dhe me bindje ju them se çdo gjë ka qenë e hapur në short. Kemi qenë dy arbitra kryesorë dhe gjashtë asistentë. Është hedhur shorti në prezencë të ekipeve dhe u vendos që unë të isha kryesori, ndërsa anësorë Engjëll Pjetrushi dhe Arjan Mali. Si arbitër i katërt qëndroi Sazan Velçani. Kjo ka qenë e gjitha.

Keni pasur ndonjë përplasje në atë ndeshje me drejtuesit apo stafin e Tomorit?

Jo, absolutisht. Asnjë kontestim nuk ka pasur gjatë dhe pas ndeshjes nga ana e drejtuesve beratas. Ka qenë një ndeshje shumë korrekte, që u deshën penalltitë për ta zgjidhur. Nuk kam pasur asnjë problem.

OK, por një pretendim i fortë nga beratasit është fakti që ju në atë takim keni nxjerrë me karton të kuq një lojtar që nuk e meritonte. Pra, keni dhënë të verdhën e dytë për Eduard Aliajn dhe jo për Klodian Dinon, që nuk kishte kartonë më parë dhe nuk do të dilte me të kuq…

Kam dhënë dy kartonë të verdhë për Aliajn dhe e mbaj mend shumë mirë. Është i njëjti futbollist që ka ndërprerë në një aksion premtues kundërshtarin në gjysmëfushën e Tomorit dhe i kam akorduar të verdhën e dytë. Ka qenë pak minuta afër fundit të lojës së rregullt. Ka qenë Aliaj dhe jo Dino siç pretendojnë në atë aksion. Pastaj, se mund të toleroja për të mos i dhënë të dytin, meqë merrte të kuq, këto janë interpretime dhe të tjera histori. Nuk ka shans që unë të kem ngatërruar lojtarin. Madje, mund t’ju them për kuriozitet se me Aliajn kam qenë para tre-katër muajsh në Berat.

Ishte takim rastësor?

Po, kam qenë delegat në një ndeshje të Tomorit dhe aty kam takuar pikërisht Aliajn. Kemi qëndruar bashkë, pimë një kafe dhe si për koincidencë kemi folur me shumë qetësi për këtë situatë që po diskutojmë tani bashkë. Edhe ish-futbollisti Aliaj e kujtonte shumë mirë atë rast.

Si do t’u përgjigjeshit akuzave se ju keni favorizuar ndër vite ekipet e kryeqytetit dhe veçanërisht Tiranën…?

Nuk ka arsye pse të mendojnë kështu, aq më tepër Tomori. Për ironi të fatit, unë nuk mbaj mend që të kem gjykuar ekipin e Beratit dhe ata të kenë marrë rezultate negative si pasojë e arbitrimit tim. Kujtoj që në atë sezon kur pretendoi titullin, Tomori nuk ka humbur asnjëherë kur unë e kam gjykuar.

Pastaj, nëse flasim për finalen në Elbasan, që shkoi me penallti, duhet të kuptojmë që ekipi beratas dhe gjyqtarët nuk kanë qenë aspak të qetë. Tomori kishte humbur presidentin, ndërsa ne kolegun tonë, Luan Zylfo. Ishte një ndeshje vetëm dy javë pasi kishte ndodhur tragjedia në Tiranë. Situata ka qenë e rënduar psikologjikisht, si për Tomorin dhe arbitrat. Megjithatë, kjo nuk influencoi fare në vendimet që u morën në fushë. E ritheksoj, me mua arbitër Tomori nuk ka bërë asnjë humbje. Madje në Tomori-Teuta që ishte decizive në vitin 2000, humbi edhe një penallti me Muxhajin.

Çfarë kujtoni sa i përket pjesës së sigurisë në atë finale, pasi beratasit janë ankuar për “dorën e hekurt” të ish-komisarit Koseni…?

Me organizimin e asaj ndeshjeje është marrë Besnik Çela, i cili kishte kontakt direkt me policinë. Unë mund të them që ne si arbitra nuk kemi pasur probleme apo trysni për të gjykuar atë takim. Personalisht nuk kam pasur kontakt direkt me Kosenin, por ai ka bërë punën e tij dhe ishte shumë i rregullt në kërkesa. Kujtoj që gjatë gjithë lojës ai lëvizte rreth pistës së stadiumit të Elbasanit, duke ndjekur çdo situatë mes tifozërive. Nuk kujtoj ndonjë incident mes tifozëve në atë ndeshje. Dua të theksoj edhe një herë, unë nuk kam pasur asnjë problem kur kam gjykuar Tomorin në Berat apo çdo fushë tjetër.

besnik cela 1997 logo

Po me drejtuesit e Tomorit keni pasur ndonjë përplasje?

Absolutisht asnjëherë. Jam takuar madje me drejtuesit beratas edhe pak ditë pas finales Tirana-Tomori, pasi pati një anketë nga gazeta “Sport Ekspres” e asaj kohe për 11 lojtarët më të mirë, trajnerin më të mirë dhe arbitrin më të mirë, ku isha shpallur unë për atë sezon. Me trajnerin Mile dhe shefin e klubit Ajazi kam kontakte tepër normale dhe miqësore. Disa vite më vonë jam takuar rastësisht në Tiranë edhe me një nga vëllezërit e presidentit të ndjerë, Adrian Çobo.

Kur shikoni komoditetin që kanë arbitrat e sotëm për të gjykuar në Superiore dhe bëni krahasimin me vitet kur ishit vetë në fushë, çfarë ju bën më tepër përshtypje?

Më preke në një pjesë delikate, sepse realisht mua më ka qëlluar të jem arbitër i FIFA-s në periudhën më të vështirë të Shqipërisë në të gjitha aspektet. Jam bërë në vitin 1990 arbitër i FIFA-s dhe kam mbajtur stemën deri në 2003-shin kur kam lënë gjykimin. Kur e mendon tani, që duhet të shkoje në çdo qytet në atë periudhë dhe të vendosje drejtësi në një situatë kritike, them se nuk ka të krahasuar me sot. Kam gjykuar në momentet më problematike, madje ka pasur një rast nga viti 1993-1994 që kemi bërë një protestë dhe kemi ndërprerë kampionatin. Më pas u desh ndërhyrja e qeverisë së asaj kohe dhe kemi bërë një takim me të gjitha klubet në Pallatin e Kongreseve. Për të mos folur për vështirësitë e vitit 1997.

Cili ka qenë momenti që e keni ndier veten shumë keq si arbitër?

Kur vinte puna tek arbitrat, vërtet ishte vështirësi e madhe, por ama kishte edhe burrëri për të pranuar rezultatin në fund. Kemi pasur kërcënime normalisht, por jo dhe aq shumë. Fusha të vështira ka pasur plot, por çuditërisht në rastin që unë kam pasur më tepër probleme, më ka ndodhur në vitin 1997 në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Cila ndeshje ka qenë dhe çfarë ju ka ndodhur?

Ka qenë një ndeshje Lushnja-Bylisi, e cila u luajt në Tiranë për shkak të problemeve në atë vit të vështirë. Ishte një episod që nuk e harroj dot, pasi më ka goditur një lojtar i Bylisit në fushë dhe më pas e nxora me të kuq. Pata pasoja nga ai episod, pasi qëndrova edhe disa kohë pushim, duke marrë raport.

Kush ishte futbollisti që ju goditi?

Ka qenë Nolja, më saktë Dashnor Dume nga Kuçova, i cili atëherë luante për ekipin ballshiot. Pas disa kohësh nga ai incident më kërkuan falje, si lojtari ashtu edhe drejtuesit e Bylisit. Erdhën më takuan dhe më kërkuan ndjesë.

Cili ishte sikleti më i madh për një arbitër në vitet ’90?

Sikleti më i madh ka qenë udhëtimi në rrethe. Detyroheshim të shkonim me makina të rastit apo të miqve tanë, por kthimi në shtëpi më pas ka qenë një torturë, sepse edhe rrugët nuk kanë qenë si sot. Na duhej të vinim në shtëpi në orët e vona të mbrëmjeve. Ka pasur raste që na kanë dalë edhe në rrugë për të na sulmuar.

Pregja-Jorgji

Na tregoni një rast?

Po, një rast të tillë e kam pasur kur po udhëtonim drejt Korçës për një ndeshje Skënderbeu-Bylisi. Na kanë bllokuar rrugën disa persona që flisnin në emër të klubit ballshiot, por nuk ishin drejtuesit. Ishte një ndeshje e rëndësishme për kohën dhe kujtoj që Bylisit i duhej patjetër fitorja për të marrë pjesë në Kupat e Europës. Na kërcënuan, por gjithsesi ne si arbitra bëmë detyrën tonë në atë takim.

Si shkoi ajo ndeshje?

Mbaj mend që ka fituar Skënderbeu 1-0 me golin e Gilberto Rapos. Trajneri i Bylisit në atë kohë ka qenë Hysen Dedja, një mik imi. Pata edhe një bisedë me të kur mbaroi takimi.

Çfarë biseduat?

I thashë: “Ke ndonjë kontestim për ndeshjen?” Ai m’u përgjigj kështu: “Jo, shumë faleminderit”. Këtu u qetësova shpirtërisht, sepse isha realisht siklet pas asaj që kishte ndodhur në rrugë.

Cila ka qenë stadiumi ku ju është dashur të qëndroni i izoluar për orë të tëra për shkak të tensionit të madh?

Kujtoj një ndeshje mes Ilirisë dhe Kastriotit, e cila është luajtur në stadiumin e Krujës dhe kishte interes të madh për rezultatin, pasi diskutohej ngjitja në Kategorinë e Parë e një prej ekipeve fqinje. Në mos gaboj ka qenë viti 1994 dhe ndeshjen e ka fituar Iliria 2-1, duke u ngjitur ajo në kategori. Ka qenë një situatë shumë e vështirë dhe tani që e kujtoj, me zor kemi dalë nga stadiumi prej kaosit të madh të krijuar. Në fushë gjërat ishin normale, por kur mbaroi ndeshja më pas, dalja nga stadiumi ishte një histori më vete. Të nesërmen e asaj ndeshjeje mua më duhej të udhëtoja drejt Irlandës, ku do të gjykoja në finalet e Kampionatit Europian për U-16. Por, çudia ishte se në fund të lojës, unë jam goditur në kofshë nga një lojtar i Kastriotit, por nuk e kisha ndier fare prej dinamikës së ndeshjes. Një moment që e harrova aty për aty, sepse nuk e ndjeva shumë goditjen, por kur shkova në Irlandë, pastaj pashë edhe pasojat.

pregja1

Në ç’kuptim, ishit dëmtuar shumë?

Kur shkova në Irlandë, ishim 16 arbitra të grumbulluar nga gjithë Europa dhe nisëm të bënim stërvitje përpara se të fillonin ndeshjet e Europianit U-16. Teksa po vraponim, një kolegu im portugez më shikon një të nxirë në pjesën e pasme të kofshës, që unë nuk e kisha parë. Më pyeti se çfarë kisha në kofshë dhe befas m’u kujtua goditja me shkelm në Krujë. Pastaj ia tregova edhe rastin gjyqtarit portugez, që normalisht u çudit dhe pyetja e tij ishte: “Pse ndodhin edhe këto…?”

Cila ka qenë fusha ku e keni pasur më shumë problem të gjykoni në kampionatin shqiptar?

Ka qenë fusha e Laçit për një arsye specifike. Unë kam punuar shumë vite si mësues në atë rreth dhe sikleti ishte vërtet i madh, për më tepër vende të vogla dhe njiheshim. Në të njëjtën kohë unë kisha punuar edhe në Mamurras dhe nuk shkonte që të gjykoja ndeshje të Laçit, aq më tepër ato delikate. Por, më kujtohet që ka qenë një takim Laçi-Partizani në vitin 1996 dhe u duhej patjetër fitorja kurbinasve për të qëndruar në kategori. Ka qenë koha e Sabah Micit me shokë… Edhe pse unë u kisha thënë drejtuesve të FSHF-së në atë kohë që nuk duhet të më caktonin për ndeshjet e Laçit, kujtoj që Besnik Çela, ish-shef i sektorit të garave, insistoi që unë të isha kryesor.

E pranuat?

Fillimisht i thashë që nuk shkoj, sepse dihej vështirësia. Por, Beci këmbënguli dhe të thosha “jo” do të ishte e rëndë për figurën time si arbitër. Mirëpo, në këtë histori problemi më i madh ishte diku tjetër. Kur komunikova me Besnik Çelën kam qenë afër stadiumit “Selman Stërmasi” dhe më pas shkova në shtëpi. Sapo futem në shtëpi, shikoj të shqetësuar prindërit. Nuk më kishte ndodhur kurrë, teksa menjëherë nëna më pyet: “Në çfarë ndeshjeje je nesër?”

Unë i tregova që do shkoja në Laç, por që gjithmonë prindërit e mi dhe familjen e kam mbajtur larg këtyre problemeve të arbitrimit apo sikletet e ndeshjeve. Natyrisht, kam pasur babain arbitër dhe ai bëhej më shumë kurioz, por pjesën tjetër të familjes e mbaja sa më larg problemeve që mund të kisha. Shqetësimin më të madh e kishte nëna, e cila nuk flinte gjumë kur unë gjykoja në rrethe dhe qëndronte gjithnjë të dritarja, derisa unë të kthehesha në orët e vona të mbrëmjeve.

Dhe si vazhdoi historia e Laçit…?

Më thotë e shqetësuar nëna: “Nuk ke për të shkuar në Laç”. I them unë: “Po ç’punë ke ti, pse duhet të shqetësohesh…?” Ajo vazhdonte insistonte dhe kjo më krijoi habi. E pyes se çfarë problemi kishte dhe më tregon më pas, që një nga drejtuesit e Laçit kishte ardhur në shtëpinë tonë pa e marrë vesh unë ende që do të gjykoja Laçi-Partizani.

Kishte kërcënuar familjen?

Një nga drejtuesit e asaj kohe kishte ardhur në shtëpi dhe i kishte thënë nënës: “Thuaj djalit të mos vijë nesër në Laç, sepse do ta gjejë belaja…”. Këtu u shtanga.

Më pas u penduat që kishit thënë “po” për të shkuar në Laç?

Pasi mora vesh çfarë kishte ndodhur, menjëherë shkova takova Becin. I tregova situatën dhe i sqarova se nuk do të shkoja në Laç pas kësaj që ndodhi.

Cili ishte reagimi i Besnik Çelës?

Më tha: “Jo, ti do shkosh. Do të marrim masat e nevojshme”. Dhe ç’është e vërteta ditën e ndeshjes kemi shkuar në Laç me makinën e FSHF-së. Për fat të mirë, nuk pati asnjë probleme, Laçi fitoi me Partizanin dhe çdo gjë ishte në rregull.

T’i lëmë pas historitë e së shkuarës dhe të kalojmë tek aktualiteti. Kjo pauzë kaq e gjatë sa mund të ndikojë te një arbitër?

Natyrisht që ndikon. Dihet tashmë që një arbitër sa më i përgatitur fizikisht të jetë, aq më i saktë do të jetë me vendimet që merr, pasi kështu është më afër aksioneve. Në këtë situatë vështirësitë janë për të gjithë, por edhe arbitrat janë përgatitur me kushtet që kanë pasur këtë periudhë pandemie. Edhe përgatitësi atletik i kolegjiumit ka qenë në kontakt të vazhdueshëm, duke bërë stërvitje “online”. Gjithashtu gjyqtarët në rrethe kanë ndjekur të njëjtin program që ka sjellë UEFA dhe FIFA. Kush ka qenë serioz, e ka bërë programin të plotë. Kjo është përgatitje fizike, por më duhet të theksoj se çdo javë arbitrat kanë qenë të angazhuar edhe me përgatitje teorike.

Si ka funksionuar kjo?

Çdo arbitri i janë dërguar pyetje për 5 apo 6 raste me video. Të gjithë kanë qenë të detyruar t’u përgjigjen këtyre pyetjeve për një afat të caktuar nga komisioni. Pra, kanë qenë çdo javë në kontakt përmes këtyre videotesteve sikur të ishin në aktivitet.

Çfarë prisni tashmë të ndryshojë nga arbitrat kur t’i rikthehen garës dhe nëse keni ndonjë këshillë për ta?

Duhet të jenë më tepër të kujdesshëm për të mbrojtur shëndetin e lojtarëve. Duke qenë se vetë lojtarët përgatitjen fizike të tyre e kanë pasur me mangësi këtë periudhë, mund të ketë situata ku ndërhyrjet janë të shkujdesura. Këto faulle jonormale mund të influencojnë në lojë. Për këtë aspekt duhet të jenë më të kujdesshëm.

PREGJA

Më konkretisht çfarë duhet të bëjnë?

Nuk them që të jenë të kujdesshëm për të toleruar, por për të marrë masa penalizuese ndaj lojtarëve. Kjo është këshilla ime, por natyrisht arbitrat janë të detyruar të zbatojnë rregulloren ashtu siç duhet.

Do të luhet në qershor dhe korrik, kur temperaturat normalisht janë shumë të larta. Parashikoni probleme ekstra?

Duhet të pranojmë që temperaturat e larta do të influencojnë edhe në nivelin e lojës së skuadrave. Edhe tek arbitrat do të ketë vështirësi për këtë pjesë, nuk diskutohet. Nuk do të jetë më një kampionat në kushte normale, por një aktivitet që duhet të përfundojë. Është e ndershme që verdiktet për ekipet të merren nga fusha. Shpresojmë që qeveria të mos e ndalojë këtë vendim që mori FSHF dhe presidentin Duka me të gjithë drejtuesit e klubeve të Superiores.

Së fundmi, përveç faktit që do të lejohen pesë zëvendësime, ka pasur edhe propozime për të shkurtuar ndeshjet me 10 minuta, me idenë për të mbrojtur lojtarët nga traumat. Mendoni se vlen kjo?

Nuk besoj se po u ulën minutat do të ketë ndikim në lojë. Duke qenë se do të bëhen më tepër ndërrime, atëherë do të ketë më shumë ndërprerje loje. Pra, nuk besoj se është normale ulja e minutave. Fakti që do të lejohen pesë ndërrime, vonesat do të jenë më të mëdha. Minimalisht me 10 ndërrime në total, i bie që të ketë afro 10 minuta ndërprerje loje prej zëvendësimeve. Kështu, do të kenë kohë për të pushuar më tepër lojtarët në fushë.

JORIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"