EKSKLUZIVE/ Drejtoi ekipin vetëm dy ndeshje, Lushnja sërish pa trajner. Rrëfehet Hasalla: Misioni im mbaroi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2022 | 10:39

EKSKLUZIVE/ Drejtoi ekipin vetëm dy ndeshje, Lushnja sërish pa trajner. Rrëfehet Hasalla: Misioni im mbaroi

Pankina e Lushnjës mbetet sërish bosh. Pas Klodian Duros dhe Edlir Tetovës, përfundon “misioni” edhe për Blerim Hasallën. Ai u komandua të drejtonte provizorisht ekipin deri në mbyllje të vitit 2022 dhe tani pritet që klubi të emërojë trajnerin e katërt për këtë sezon. 46-vjeçari mori tri pikë në dy ndeshje (0-5 me Dinamon dhe 1-0, me Orikun) dhe e largoi ekipin nga zona e rënies. Për gjatë gjithë kampionatit ai ka qenë zyrtarisht zv.trajner, por që ndoshta do ta mbajë edhe pas janarit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, shpjegon situatën që po kalojnë verdhejeshilët, raportet me trajnerët e mëparshëm dhe merkaton.

Blerim Hasalla duke lexuar “Panorama Sport

Blerim Hasalla
duke lexuar
“Panorama Sport

Erdhi e para fitore për Hasallën si trajner i Lushnjës. Jeni i çliruar?

Po, sigurisht që jam i çliruar. Kishim një ndeshje që duhet ta fitonim me patjetër, sepse vetëm kjo na mbante në lojë për mbijetesën.

Ju keni qenë gjithnjë aty dhe e njihni mirë ekipin. Çfarë nuk ka shkuar si duhet me të në këto 12 javë?

Në merkaton e verës pati shumë ndryshime. Sikundër edhe dihet, u afruan shumë lojtarë të rinj. Mendoj se nuk janë harmonizuar dot me njëri-tjetrin. Futbollistët erdhën në momentet e fundit të merkatos. Harmonizimi i tyre nuk ishte i duhuri. Me fillimin e garës nuk arritëm te rezultatet pozitive dhe kjo ndikoi psikologjikisht. Lojtarët humbën besimin. Kjo ndikoi deri diku te mungesa e rezultateve.

Fillimisht është thënë që do të jenë në stol deri në janar. A ka ndryshim në plan? Keni folur me kryebashkiaken?

Kam folur me presidenten dhe vendosi që unë të drejtoja ekipin vetëm për tri ndeshjet e mbetura të fazës së parë. Ndeshja e fundit do të ishte ajo me Skënderbeun, e cila u shty. Do të rrija vetëm për këto tri ndeshje, por u bënë dy. Pastaj do të kërkonin për një trajner tjetër. Nuk ka ndryshim plani. Unë e përmbusha misionin. Ndeshja me Orikumin u fitua. Mendoj se unë e përmbusha detyrën.

Keni punuar me Klodian Duron dhe me Edlirën Tetovën. Na e përshkruani pak si ishte njëri dhe tjetri në punë?

Duro punoi me seriozitet në Lushnjë. Por dihet që puna e trajnerit matet me rezultate. Kur nuk ke ecurinë, do të vijë edhe ndryshimi në pankinë. Edhe trajneri tjetër, Edliri, punoi me seriozitet dhe me dëshirë. Por për arsye personale dha dorëheqjen. Tetova bëri një punë shumë të mirë, por për arsye personale dha dorëheqjen gjithashtu.

Nëse do t’ju pyesnim sot, në cilat role ka nevojë Lushnja për ndërhyrje në merkato?

Mendoj që çdo ekip, edhe ekipet që kanë rezultate, synojnë të përforcohen në janar. Pavarësisht se është shumë e vështirë për të gjetur lojtarë në këtë periudhë, por Lushnja ka me të vërtetë nevojë, thuajse në të gjitha rolet. Por sipas meje, më shumë nevojë ka në mesfushë. Sulmi thuajse është i kompletuar. Në mbrojtje dhe në mesfushë duhen lojtarë. Duhen futbollistë të mirë, që të ketë konkurrencë dhe të rritet cilësia.

A do të shpëtojë Lushnja?

Gara është shumë e fortë. Në Kategorinë e Parë konkurrojnë ekipe me emër. Lushnja e ka të vështirë dhe duhet të bëjë patjetër një merkato të mirë, që të shpresojë për të shpëtuar. Të mos dalë direkt, por të paktën të shkojë në “play out”. Ne dëshirojmë që me anë të një merkatoje cilësore, të mos shkojë as në ndeshjen shtesë, por të mos rrezikojë. Lushnja sot është në “play out”, por do të varet nga merkatoja për ta shmangur, që të shpëtojë direkt.

Në kryeqytet me Dinamon pësuat humbjen më të thellë, 0-5, çfarë ndodhi?

Luanim ndaj një ekipi pretendent, që ka të tjera synime në raport me ne. Pësuam një gol shumë shpejt dhe lojtarët e humbën atë besimin dhe përqendrimin. Për shkak të kësaj, ekipi bëri shumë gabime. Dinamo ka më shumë cilësi, por Lushnja vinte pas shumë rezultateve negative. Nuk kishim atë besimin e duhur për të marrë një rezultat pozitiv. U mendua se përballë kemi Dinamon dhe do ta humbim ndeshjen. Me pësimin e golit të parë, dhe pastaj me të dytin, çdo gjë u shthur dhe lojtarët e humbën përqendrimin.

Pati edhe nerva në dhomat e zhveshjes, pse?

Nervozizmi erdhi për shkak të rezultatit. Ishin sportistë që nuk e pranonin atë humbje dhe shfrynë diku. U prekën nga humbja e thellë. Bënë ato veprime që nuk është e hijshme për sportistin. Normal, në të tilla raste nuk shërben nervozizmi. U thashë edhe lojtarëve që duhet të jenë të qetë dhe të përqendrohen te ndeshja tjetër. Deri diku e arritëm qëllimin pasi me Orikumin morëm trepikëshin.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"