EKSKLUZIVE/ Drejt transferimit në Izrael, Skënderbeu do të përfitojë shumën e majme nga sulmuesi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2022 | 22:41

EKSKLUZIVE/ Drejt transferimit në Izrael, Skënderbeu do të përfitojë shumën e majme nga sulmuesi

Nuk kanë fund largimet nga Skënderbeu. Rënia në Kategorinë e Parë po detyron gjithkënd që të zgjedhë mundësinë më të mirë për të ardhmen.

MENSAH

I tillë është edhe rasti i Alfred Mensah, që është i larguari i radhës në radhët e bardhekuqve.

Ganezi që tri sezone ka mbajtur peshën e sulmit të korçarëve, nuk do të jetë pjesë e organikës në inferiore. Ai do të transferohet në Izrael, atje ku ka gjetur akordin me Hapoel Hadera.

Klubi në fjalë luan në elitë dhe gjithçka duket e mbyllur dhe shumë shpejt pritet që të prezantohet.

22-vjeçari nuk ka pasur pengesa për këtë lëvizje, pasi zyrtarisht i skadon kontrata me korçarët dhe del i lirë.

E megjithatë, një detaj i vogël po e mban pezull mbylljen e “operacionit”.

Klubi korçar do të përfitojë financiarisht nga kjo lëvizje, ndonëse lojtarin nuk e mban të lidhur asnjë marrëveshje.

Është vetë Ardjan Takaj që zbulon gjithçka për “Panorama Sport”. Presidenti ka konfirmuar se lojtari do të largohet, por izraelitët janë të detyruar që të paguajnë afro 90 mijë euro.

“Po, e konfirmoj që ka një akord mes Mensah dhe klubit izraelit. Ganezi ishte në përfundim të kontratës me Skënderbeun dhe nuk arritëm një akord rinovimi pasi kishte kërkesa nga klube të tjera.

Por sulmuesi nuk largohet pa na sjellë përfitime.

MENSAH 1

Për shkak të formulës që ekziston për rritjen e talentit, me Skënderbeun që ka marrë shërbimet e Mensah që në moshë të hershme, izraelitët duhet të paguajnë shumën e përcaktuar në bazë të rregullores së organeve më të larta të futbollit.

Nga ky transferim, Skënderbeu pret të marrë diçka më shumë se 90 mijë euro, si klubi që ka rritur lojtarin dhe ka qenë faktor në promovimin e tij”, ishin fjalët e numrit një të klubit bardhekuq.

Alfred Mensah prej 2020-ës ka qenë pjesë e korçarëve dhe u ambientua mirë në futbollin shqiptar. I mbetur pa kontratë, ganezi do të vijojë karrierën jashtë vendit dhe konkretisht te Hapoel Hadera, që u rendit në vendin e 7-të në sezonin e fundit.

Mensah u bë pjesë e Skënderbeut para tri sezonesh në moshën 18-vjeçare dhe arriti të kthehej në një pikë të fortë të Skënderbeut në majën e sulmit.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"