EKSKLUZIVE/ Dosti, kritika Bardhit e Asanit: S’ka talente 20 vjeç, ja çfarë i duhen Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2018 | 22:51

EKSKLUZIVE/ Dosti, kritika Bardhit e Asanit: S’ka talente 20 vjeç, ja çfarë i duhen Partizanit

Partizani u eliminua nga Europa Ligë, pas ndeshjes së dytë me Mariborin ku humbi në shifrat 2-0, ndërkohë që kishte pësuar një disfatë minimale një javë më parë në kryeqytet. Në takimin e luajtur në Slloveni, i pranishëm në stadium, ka qenë edhe ish-sulmuesi i njohur i të kuqve, Edmond Dosti, që ka pasur takime edhe me drejtuesit e kuq.

Edmond Dosti

Shpeshherë kritik në deklaratat e tij, Dosti në një intervistë për “Panorama Sport”, ka deklaruar se në skuadër trajneri aktual, Gega, ka kthyer disiplinën. Por, gjithashtu ai ka theksuar nevojën emergjente për përforcime në merkato, ku sulmi dhe mesfusha janë pikat e dobëta të të kuqve. Ndërsa, për Bardhin dhe Asanin nuk i ka kursyer kritikat, pas paraqitjes jo të mirë që kanë bërë në ndeshjen e luajtur në Slloveni, ku dy lojtarët, nuk treguan asgjë nga cilësitë që kanë, por ishin në hije.

Ishit në stadium në ndeshjen që Partizani luajti ndaj Mariborit. Çfarë mund të na thoni për takimin dhe ambientin?

Gjëja që më pëlqeu shumë është se drejtuesit, me të cilët edhe fola, konkretisht trajneri Gega dhe drejtori Rama kanë një vizion të qartë për të ndërtuar jo një Partizan të shpejtë, por të sigurt. Është risi për Partizanin një gjë e tillë. Unë i kam thënë edhe mendimet e mia dhe personalisht mendoj se skuadrës i mungon një mesfushor organizator dhe një sulmues goli. Janë dy pozicione që i duhen patjetër. Ndërsa, ekipi më pëlqeu shumë dhe ishte i vendosur mirë në fushë. I kam parë të dyja ndeshjet dhe skuadra ka qenë e disiplinuar. Nuk është më ajo skuadra e çoroditur. Është akoma shpejt për të folur, por drejtuesit po bëjnë një punë të mirë, për të kthyer Partizanin.

Megjithatë, ka pasur pasiguri në mbrojtje…

Krahu i majtë nuk ka funksionuar pak, por me mua Trashi ka qenë lojtari më i mirë në fushë dhe mendoj se ai duhet të luajë përpara, pasi është futbollist shumë i mirë. Është humbje që ai të luajë mbrapa. Por, në mbrojtje duhen përforcime, por në përgjithësi është se me mbrojtjen edhe mund të ketë kompensime, e rëndësishme është që duhet një numër 10 dhe patjetër dy sulmues “race”.

Është aktivizuar Nikoliç, që është përforcimi i merkatos për sulmin. Arritët të krijonit një ide për të?

Nuk mund të them diçka për të. Është lojtar i gjatë, por duhet ende kohë që të flas për të, pasi duhet parë. Luajti pak ndaj Mariborit dhe është e pamundur që të jepet një mendim.

Bardhi dhe Asani nuk u shfaqën shumë në fushë, mendoni se diçka nuk po shkon me të dy?

Për mua Bardhi është lojtar i mirë, por ende konfuz, nuk e di. Mos jetoni me idenë që është ende talent. Nuk ka talent 20 vjeç. Ai tani duhet të japë më shumë. Edhe ai edhe Asani janë dashuruar me topin, por duhet të bëjnë më shumë për ekipin. Ndaj luhet futbolli me 11 futbollistë në fushë, që të luash me pasime dhe të dalësh përpara. Janë të dy të rinj dhe me perspektivë, por nuk janë lojtarë që tërheqin skuadrën dhe të zgjidhin ndeshjen.

ARMAND HALILI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"