EKSKLUZIVE/ Dopietë për 4 minuta, Uzuni: Majorka, pengu i merkatos. Asnjë SMS nga Reja, s’e mendoj konkurrencën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2020 | 20:40

EKSKLUZIVE/ Dopietë për 4 minuta, Uzuni: Majorka, pengu i merkatos. Asnjë SMS nga Reja, s’e mendoj konkurrencën

Dopietë për katër minuta, shifrën më të lartë të kilometrave të përshkruara dhe entuziazëm ekstrem. Myrto Uzuni po rigjen formën më të mirë. Sulmuesi i Kombëtares, me dopietën e realizuar në vetëm katër minuta për fitoren 2-0 që Lokomotiva e Zagrebit mori ndaj Istras, është shpallur edhe lojtari më i mirë i javës së 22-të, përveçse pjesë e formacionit ideal. Për “Panorama Sport”, sulmuesi flet për formën e tij si dhe për rivalitetin në Kombëtare, çfarë e ka penguar që të lërë gjurmë dhe çfarë kërkon ai personalisht që të arrijë formën më të mirë. Uzuni, gjithashtu tregon edhe çfarë ndodhi gjatë merkatos së janarit: “Më mbeti peng që nuk ika në La Liga”…

uzuni

Shënuat dopietë në 4 minuta për fitoren 2-0 të Lokomotivës së Zagrebit ndaj Istras, çfarë ndjesie ju jep një paraqitje e tillë?

Jam shumë i lumtur për këtë paraqitje dhe mbi të gjitha për golat. E them këtë, pasi kisha bërë mirë në vazhdimësi, si në stërvitje, por sidomos edhe gjatë ndeshjeve, por nuk po dilja dot te goli.

A ju çliron një paraqitje e tillë?

Jam shumë i lumtur për dy golat që shënova, pasi më japin qetësi. Kam qenë shumë herë pranë golit, kam qenë protagonist në shumë raste të skuadrës, por gjatë kësaj periudhe nuk po shënoja.

Nisje e artë e këtij sezoni, teksa golat gjatë fazës përgatitore i shënuat edhe në ndeshjet zyrtare… 

Jam i kënaqur për të gjithë këtë periudhë, tanimë që golat i shënova edhe në ndeshje zyrtare. E mbylla me gol vitin dhe e nisa me dy të tillë. Në total, kam dhuruar katër asiste dhe kam shënuar pesë gola.

uzuni

A është kjo forma juaj më e mirë?

Jo, nuk kënaqem me kaq. Dëshira dhe synimi im është që të shënoj ose të paktën asistoj për shokët e ekipit në çdo ndeshje

Gjatë kësaj periudhe, a keni pasur kontakte nga trajneri ose stafi i Kombëtares?

Jo, nuk kam pasur fare kontakte nga trajneri.

uzuni hysaj stervitje

A mendoni se keni formën e duhur për të qenë pjesë e Kombëtares dhe për t’u bërë protagonist? 

Të them të drejtën, jam penalizuar shumë në Kombëtare, sepse nuk kam arritur që të ndihmoj sa duhet ekipin dhe të lë gjurmë. Kam pasur mundësinë që në ndeshjen debutuese, por isha i pafat dhe godita shtyllën. Ndaj Andorrës, ishte sërish një mundësi, por godita traversën. Mendoj se edhe ndaj Moldavisë dhe Uellsit, gjithashtu kam bërë paraqitje të mirë. Sipas meje, them se ka ardhur momenti që të jem edhe protagonist, por gjithçka varet nga zgjedhjet e trajnerit nëse do jem pjesë e grumbullimeve, e formacionit dhe më pas duhet edhe fat.

Në merkato ishit fare pranë largimit nga Kroacia. Ç’ndodhi? 

As vetë nuk di t’i jap një shpjegim ekzakt se çfarë ka ndodhur. Jua them me sinqeritet se nuk më ka ndodhur kurrë, si këtë verë. Gjatë merkatos u bë e mundur edhe që dy klubet, Majorka dhe Lokomotiva e Zagrebit të kishin një akord, por në momentet e fundit u shua gjithçka. Isha gati që të zyrtarizohesha, por nuk u bë e mundur.

Ju mbetet peng? 

Normalisht që është një peng, pasi bëhet fjalë për La Liga. Gjithsesi, tani jam i fokusuar në Kroaci me skuadrën time dhe shpresoj të jap më të mirën, nga ndeshja në ndeshje.

myrto uzunii

Manaj stërvitet te Barcelona, Kamberi te Rejnxhërs dhe Vrioni te Juve U-23, pa harruar treshen Cikalleshi-Sadiku-Balaj. A është shtuar konkurrenca në Kombëtare për sulmin? 

Personalisht nuk shoh konkurrencë dhe nuk e mendoj këtë gjë. Unë ndihem mirë që jam pjesë e Kombëtares dhe me jep shumë besim sa herë që grumbullohem. Më motivon që të jap më shumë se 100% nga vetja. Ndërsa referuar formacionit, them se do të luajnë ata që kanë formën më të mirë në atë moment me ekipet.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"