EKSKLUZIVE/ Dopietë nga stoli, Cikalleshi: Trajneri ishte në fije të perit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2018 | 19:03

EKSKLUZIVE/ Dopietë nga stoli, Cikalleshi: Trajneri ishte në fije të perit

I përulur, asnjëherë entuziast dhe gjithmonë lojtar që nuk bën polemika. Sokol Cikalleshi është i kursyer me fjalët për vetën, edhe kur, i futur nga stoli, shënon dy herë për t’i dhënë një pikë të artë skuadrës së tij.

ghghhjy

Në një intervistë për “Panorama Sport”, bomberi i Kombëtares flet për situatën e vështirë të ekipit si dhe rëndësinë e dopietës së tij në barazimin 3-3 ndaj Goztepes.

Cikalleshi

E nisi ndeshjen nga stoli dhe u hodh në fushën e lojës në minutën e 52-të, nga ku pas vetëm shtatë minutash, shënoi golin e barazimit, 2-2.

Kur kronometrohej minuta e katërt e shtesës dhe vendësit kishin gjetur sërish avantazhin, shqiptari fiton dhe shndërron në gol një penallti, duke i dhënë një pikë me shumë vlera Osmanlisporit.

cikalleshi222

I futur nga stoli, por shënove dopietë…

Për ekipin kjo ishte një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi vetë pozitat që kemi në renditje e bëjnë çdo pikë që të jetë me shumë vlerë për ne. Neve na duhet që të marrim më të mirën në çdo përballje dhe çdo pikë është ‘flori’. Ndihem i lumtur për faktin që shënova dy herë dhe mbi të gjitha që unë kontribuova dhe i dhashë pikë.

Me statistikat që ke, dukesh i “uritur” për më shumë hapësirë…

Në fakt, unë jam shumë i qetë. Unë jam i vetëdijshëm që po e bëj punën time. Është normale që sa më shumë mundësi që unë të kem për të luajtur, aq më shumë raste dhe mundësi shënimi do të kem. Megjithatë, edhe sot do të doja shumë që kënaqësia të ishte maksimale dhe golat e mi t’i kishin dhënë skuadrës tri pikë.

Driblon gjithmonë kur vjen puna për të kërkuar minutazh që s’të jepet…

Unë e di mirë që sytë janë tek unë dhe që pritshmëritë e skuadrës për mua janë të mëdha. Jam sulmues dhe si i tillë më duhet që të shënoj sa më shumë gola dhe të arrij që sa herë të jem në fushë, të justifikoj besimin që më jepet.

Çfarë të thanë në dhomat e zhveshjes, sidomos trajneri?

Të gjithë më përgëzuan. Situata e vështirë e ekipit në renditje e bënte këtë takim të ishte thuajse vendimtar për trajnerin në këtë përballje dhe si të them, ishte në fije të perit, nëse mund të përdor një shprehje popullore. Me dy golat sot (dje) dhe pikën që morëm, shërbeu si një lloj frymëmarrje për skuadrën, trajnerin dhe stafin.

Duket sikur ai është në borxh me ju…

Unë nuk pres asgjë nga askush. Cikalleshi pret gjithmonë nga puna dhe sakrificat që bën vetë dhe nga fati që i jep Zoti. Goli është i rëndësishëm dhe duke shënuar, unë tregoj në fushë çfarë vlerash kam.

Një festim disi i veçantë te goli i dytë. Çfarë domethënie kishte?

Sigurisht që nuk mund të mos kisha një dedikim të veçantë për familjen time. Duke qenë shumë i lidhur me të, zemrat që bëra në fund ishin për bashkëshorten Kornelian dhe për vajzën Rajna.

Po e bëni më së miri “nxehmjen” për Kombëtaren…

Në fakt duhet ende kohë deri te ndeshja e radhës me Kombëtaren, por në fakt unë kam qenë gjithmonë në gatishmëri për të. Uroj që të mos jem më i pafat si në herën e fundit, ku për shkak të një dëmtimi humba tri ndeshje ndaj Italisë, Spanjës dhe Turqisë. Shpresoj shumë që këto gola dhe statistika që kam me ekipin, t’i pasuroj sa më shumë dhe të më shoqërojnë edhe në Kombëtare, për t’i shërbyer asaj me gola dhe formë të mirë. Për vetë rëndësinë e madhe që ka, e pres gjithmonë me qetësi.

Si është raporti me Panuçin dhe si është ai në krahasim me de Biazin?

Unë kam punuar vetëm katër ditë me Panuçin dhe nuk mund të them shumë. Megjithatë, së fundmi duket që Kombëtarja ka një tjetër frymë në krahasim me skuadrën kur drejtohej nga De Biazi. Unë besoj se Panuçi, duke qenë një ish-futbollist që ka luajtur në nivelet më të larta të futbollit, do të na ndihmojë shumë. Është diçka që koha do ta tregojë, megjithatë, unë e them edhe në aspektin personal se nga ai do të kem mundësi që të marr këshilla të vlefshme për çfarë duhet të përmirësoj dhe çfarë duhet të bëj për situata specifike në fushë.

Çfarë pritshmërish keni këtë sezon, për golat?

Dua të ndihmoj skuadrën dhe të arrijmë që të realizojmë objektivat.

Ky është driblimi i zakonshëm i sulmuesve, provo të godasësh…

(Qesh…) Jam shumë modest dhe asnjëherë euforik. Megjithatë, meqë po insistoni, mua më pëlqejnë gjithmonë numrat me dy shifra, ndërsa deri tani kam shënuar katër në kampionat dhe dy në Kupë.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"