EKSKLUZIVE/ “Donim të mbronin rezultatin”, Dita zbulon shkaqet e humbjes me Tiranën: Kishim shumë mungesa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2020 | 19:31

EKSKLUZIVE/ “Donim të mbronin rezultatin”, Dita zbulon shkaqet e humbjes me Tiranën: Kishim shumë mungesa

Skënderbeu është në kërkim të vendit të tretë në renditje, që do të ishte një sezon i kompletuar e brenda pritshmërive për korçarët. Por humbja ndaj Tiranës, për nga mënyra se si erdhi, duket se la shumë për të dëshiruar në kampin bardhekuq. Madje tregoi edhe pikat e dobëta të ekipit. Për Bruno Ditën, një situatë e tillë vjen edhe si pasojë e dëmtimeve të shumta dhe mungesave që kishin korçarët në këtë takim, por nga ana tjetër, nuk kërkon të shpërqendrohet në lidhje me merkaton.

Dita-goli

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Dita pohoi se aktualisht kërkon të mbyllë sezonin dhe është i përqendruar vetëm te Skënderbeu.

Bruno, një humbje që rëndon kjo ndaj Tiranës?
Normalisht që na vjen keq pasi jemi duke zhvilluar një pjesë të dytë të mirë të kampionatit, duke rritur paraqitjet tona dhe marrë pikë maksimalisht për nëntë javë. Por kjo humbje ndaj Tiranës është e dyta radhazi dhe normalisht që na sjell një situatë jo të mirë, pasi na largon me pikë nga ai pozicion që ishim. Për më tepër, është edhe pas eliminimit nga Kupa, që ndikon më shumë negativisht.

Çfarë ndodhi në ndeshjen ndaj bardhebluve?
Të them të drejtën, nuk e di as unë se si ta shpjegoj një gjë të tillë. Në pjesën e parë ishim dominues dhe arritëm të shënonim gol. Bëmë një paraqitje të mirë dhe po mbanim larg zonës sonë kundërshtarin. Më pas, në pjesën e dytë ndodhi ajo që ndodhi siç e pamë të gjithë. E pësuam nga sulmet e kundërshtarit dhe u përmbys e gjithë ndeshja.
bandicam-2020-06-28-21-35-34-306-665x396
Kthimi pas në pjesën e dytë, a erdhi për të mbrojtur rezultatin?
Të them të drejtën erdhi gradualisht. Ne kërkonim të shkonim të bindur për tri pikët deri në fund, por kundërshtari rriti presionin dhe nuk na la të organizoheshim dhe të dilnim përpara. Si pasojë e kësaj erdhi dhe ajo mbyllje në prapavijë.
Skenderbeu-Tirana-640x405
Çfarë ndikoi më së shumti në pjesën e dytë te ju?
Nëse do të shohim ekipin që kishim në dispozicion për këtë takim, mund të dalësh shumë thjesht në konkluzion. Kishim shumë mungesa dhe lojtarë jashtë pozicioneve. Pa folur për Meksin që na prishi shumë punë. Në këtë takim nuk kishim Jashanicën, Pollozhanin dhe Bregun që nuk ishin stërvitur asnjë ditë me ekipin. Duke i shtuar edhe Gripshin që ka pasur probleme, por është dashur të rrezikojë, bëhet shumë më i rëndë bilanci. Përpos kësaj, mund të them se edhe ndeshjet e ngjeshura na penalizuan mjaft. Luajtëm në 120% një përballje para katër ditësh me Bylisin, ndërsa Tirana luajti me formacionin e dytë ndaj Besëlidhjes. Ky është një tjetër detaj që vlen të theksohet.

Me gjithë këto mungesa Skënderbeu e humbi shkëlqimin?
Po, është normale. Me gjysmën e ekipit jashtë, sigurisht që humbet shumë. Nuk jemi në kushtet e mëparshme që edhe mungesat nuk ndikonin. Tani është tjetër situatë.

Vendi i tretë duket i largët tani?
Jo, nuk e mendoj kështu. Janë edhe pesë ndeshje për t’u luajtur dhe do të mundohemi të marrim maksimumin në këto javë të mbetura. Do ta nisim që nga ndeshja me Teutën, ku do të mundohemi të marrim më të mirën, pavarësisht se do të jetë e vështirë.
shkendija 1`
Bruno, më shumë Tirana apo Shkëndija e Tetovës po insiston për ju?
Më shumë Skënderbeu për momentin, pasi dua të jem i përqendruar maksimalisht këtu dhe të mos mendoj për asnjë gjë tjetër. Pasi të mbyllet sezoni do të shohim për të ardhmen dhe do të flasim më konkretisht. Tani nuk dua të komentoj.

Gjithsesi, duket se kalimi te Shkëndija është fakt tashmë…
Unë thashë që nuk dua të komentoj. Nëse mediat duan ta bëjnë, le ta bëjnë një gjë të tillë. Në kohë merkatoje mediat dinë shumë gjëra. Unë do të flas në fund të sezonit.

Dita, Bregu, Jashanica, Krasniqi, Daja janë me valixhe në duar. Sa ndikon kjo te përqendrimi juaj?
Nuk ndikon fare. Ne jemi profesionistë dhe mendojmë momentalisht të bëjmë më të mirën tonë tani për tani për ekipin.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"