EKSKLUZIVE/ “Doja të rinovoja te Gjilani, por…”, rrëfehet Sebino Plaku: Ja pse zgjodha Kastriotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2020 | 17:55

EKSKLUZIVE/ “Doja të rinovoja te Gjilani, por…”, rrëfehet Sebino Plaku: Ja pse zgjodha Kastriotin

Sebino Plaku “zbarkon” në Krujë. Ash tu sikundër kishte paralajmëruar “Panorama Sport”, ndodhi. Sulmuesi është zyrtarizuar si futbollist i Kastriotit për sezonin 2020- 2021 dhe pasi ka firmosur kontratën, ka kryer të parën stërvitje. Pas aventurës me Llapin dhe Gjilanin, 35- vjeçari zgjodhi që të kthehet në elitën e futbollit shqiptar.

sEBINO PLAKU

Me të në vijën e parë, krutanët do të jenë shumë herë më të qetë. Vetë tiranasi këtë aventurë e quan një sfidë më vete, ndërsa nuk ngurron që të rrëfejë edhe shkaqet që nuk rinovoi me kosovarët e Gentjan Mezanit.

Si ishte aventura në Kosovë?

Në nisje të sezonit nuk e kisha menduar që do të shkoja në Kosovë, por ashtu si rrodhën ngjarjet me Kamzën, më detyroi që të bëja një ndryshim. Sa m’u dha kjo mundësi, doja ta provoja. Kalova shumë mirë dhe ishte eksperiencë e bukur. Edhe pse jemi “një”, duhet thënë që mentaliteti, konkretësia dhe entuziazmi për futbollin më la mbresa.

Pas Llapit luajtët edhe me Gjilanin, por pse nuk rinovuat?

Dëshira ishte që të qëndroja, por nuk e gjetëm dot akordin. Oferta e Gjilanit ishte shumë larg asaj që unë pretendoja. Bëra një sakrificë në momentin që lashë Llapin, pasi m’u desh që të paguaja nga xhepi një pjesë të parave për largimin. Ndryshe nuk transferohesha dot, pasi Llapi donte kompensim. E bëra këtë, pasi doja që të mbyllja një sezon sa më të mirë. Dhe ashtu ndodhi. Edhe pse nuk luajta dot në rolin tim, u shpreha shumë mirë dhe kapëm në fund Europën. Për gjithë sakrificën që bëra, Gjilani nuk më vlerësoi aq sa duhej.

Riktheheni në Kategorinë Superiore zyrtarisht, por përse zgjodhët pikërisht Kastriotin pas 9 vitesh?

Kisha disa oferta dhe mes tyre ishte Kastrioti. Kontaktova me Ndreun sapo erdha në Shqipëri, pasi kemi kaluar shumë mirë në Kamzë. I pata lënë të kuptonte që po mendoja për gjithçka, pra çdo ekip të mundshëm do e merrja në konsideratë. I tillë ishte edhe Kastrioti. Në negociatat e para ishim larg njëri-tjetrit, por një takim i dytë me trajnerin dhe presidentin solli akordin. Më bindën. U ndjeva i vlerësuar dhe po e marr këtë sfidë me shumë dëshirë. Është një ekip që më përshtatet.

Si ju duk ambienti, meqenëse sot (dje) patët kontaktet e para?

Çdo gjë shkoi mirë, si ditë e parë. Pjesën më të madhe të ekipit unë e njoh dhe më njohin, ndaj përshtatja është e lehtë.

Çfarë mund të bëjë këtë sezon kjo skuadër, meqenëse kontingjentin e njihni?

E pashë ekipin dhe ka një pjesë të mirë të lojtarëve të rinj, ndoshta pa përvojë në elitë. Por për secilin ka një herë të parë, ashtu si ka qenë për mua apo shumë të tjerë. Do mundohemi që të adaptohemi dhe t’i marrim të mirën këtij sezoni, që do të jetë i vështirë dhe kjo është e sigurt.

Duke pasur një eksperiencë të madhe mbi supe, me sa gola do ishit të kënaqur këtë edicion te Kastrioti?

Më bëhet shpesh kjo pyetje. Kategoria Superiore është e vështirë dhe pjesa e golave është objektiv personal për çdo sulmues, e megjithatë parashikim nuk bëj dot. Ashtu si ndoshta mund të shihet me skepticizëm ekipi ynë i sapongjitur këtë vit në elitë, një sfidë më vete do të jetë edhe për mua. Më duhet edhe mua të tregoj veten time dhe dëshira për ta bërë nuk më mungon. Nëse kjo ndodh, atëherë golat do të vijnë dhe shpresoj që të jenë nga ata që do i shërbejnë skuadrës.

BUJAR BALLIU  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"