EKSKLUZIVE/ “Doja të përballeshim me Totenhemin”, Cungu: Jam i sëmurë pas anglezëve, Hapoel Ber Shevën të mos e bëjmë ‘gogol’

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2020 | 22:03

EKSKLUZIVE/ “Doja të përballeshim me Totenhemin”, Cungu: Jam i sëmurë pas anglezëve, Hapoel Ber Shevën të mos e bëjmë ‘gogol’

Laçi gjen sërish Hapoel Ber Shevën. Ashtu si një vit më parë në Ligën e Europës, do të përballen me izraelitët. Kurbinasit u eliminuan në turin e parë (barazuan 1 me 1 në shtëpi dhe humbën 1-0 atje), ndërsa tani “goglat” i rezervojnë një përballje teke për raundin e dytë. Është mundësia më e mirë për të marrë hak dhe mbi të gjitha për të arkëtuar miliona, ndaj bardhezinjtë do të bëjnë çmos që të kualifikohen. Edhe vetë Armando Cungu e quan të kalueshëm kundërshtarin, ndonëse hapur e thotë që do të donte… Totenhemin.
cungu-lacii
Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri rrëfen se është i sëmurë pas anglezëve. Është i vetëdijshëm që me skuadrën e Hoze Murinjos shanset do të ishin nën zero, ndaj në fund gëzohet që u ra Ber Sheva. Shkodrani u kthehet edhe një herë emocioneve dhe stresit që përjetoi në Baku pas shtesës dhe penalltive dhe paralajmëron se shumë shpejt do të ketë të tjera “goditje” në merkato.
JS97378703

Laçi “peshkon” Hapoel Ber Shevën, i kënaqur nga shorti?

Në këtë tur, nuk besoj se ka kundërshtarë të lehtë. Hapoel Ber Sheva është ekip serioz, ndaj duhet të bëjmë maksimumin. E kam thënë edhe herë të tjera dhe do ta përsëris: nuk kërkoj asgjë më shumë nga lojtarët, veçse të luajnë futboll. Dua që të tregojnë të njëjtin karakter dhe dëshirë si në Baku. Rëndësi ka që ne të bëjmë gjithçka që kemi në dorë, të tjerat ia lëmë fushës.

LACI DHE HAPOEL BER SHEVA

Jeni ndeshur edhe vjet me të njëjtin kundërshtar, ndonëse në tur të parë…

Sot (dje) u hodh shorti dhe na duhet pak kohë që të mbledhim informacionet e duhura. Kundërshtari ka ndryshuar nga vjet, ashtu si edhe ne. Në një kohë të shkurtër, kemi ndryshuar “fytyrë”. Duke iu referuar ndeshjes së vjetshme, mendoj se kundërshtari duhet marrë në konsideratë. E megjithatë, nuk duhet ta bëjmë “gogol”. Nëse tregojmë të njëjtin seriozitet dhe shpirt gare si me Keshlan, mendoj se është i kalueshëm.

Duket si viti i shqiptarëve, a e prisni të njëjtin fat?

Pse jo, duhet edhe fat. Ndodh që të luash shumë mirë dhe nuk merr asgjë.
vertongen totenhem

Dimë që jeni tifoz anglez, a ju mbeti “peng” që nuk ju ra Totenhemi?

Jam i sëmurë (qesh). Dëshira ime personalisht, ishte shumë e madhe që të ndeshesha me ta. E megjithatë, mua më takon që të flas për interesat e klubit. I kemi më të mëdha shanset për t’u kualifikuar me izraelitët, pasi me Totenhemin nuk do ishin zero, por nën zero. Kënaqësi do kisha të luaja futboll me një ekip të atij niveli, pasi do të ishte një kujtim që do të më mbetej për gjatë gjithë jetës në memorie.
Laci

Le t’i kthehemi pak ndeshjes në Azerbajxhan, a u bëtë me zemër nga shtesa dhe penalltitë?

Kam disa vite që shkoj në Kupat e Europës si trajner dhe duke pasur edhe suksese, si me Kukësin ashtu edhe Laçin. Por kurrë më parë nuk e kisha përjetuar shtesën dhe penaltitë nga pankina. Ishte shumë stresuese. Ashtu si shkoi loja, morëm më të mirën. Mbetëm me një lojtar më pak për gati 60 minuta dhe përballë një kundërshtari të investuar si Keshla, ndaj jam i kënaqur.

Çfarë u kërkuat çunave?

U kërkova që të rrinin të ngjeshur, pasi nuk kishim mundësi të tjera. Maksimumi që mund të bënim, ishte të rrezikonim nga goditjet standarde. Të njëjtën gjë u thashë edhe në shtesë, ku donim t’u merrnim më të mirën disa individëve dhe të kursenim forca për të përballuar 120- minutëshin. Punova edhe me motivin, pasi kishte shumë rëndësi në ato çaste. Ishte nata e tyre dhe këtë u thashë: “Keni shansin që sonte të bëheni heronj…”

I kishit përgatitur më herët edhe penalltitë?

Patjetër, pasi ishte ndeshje teke. Nuk mund të vepronim ndryshe. Gjatë gjithë javës bëmë prova me lojtarë të caktuar, por vetën Xhixha nuk gjuajti dot. Ai u dëmtua pak para se të mbyllej loja, ndaj e zëvendësuam me një lojtar më të freskët. Pjesa tjetër ishte e përgatitur.

Luani në Shqipëri këtë herë, do jetë më e lehtë?

Nuk mendoj, pasi e para nuk e luajmë në Laç dhe e dyta nuk ka tifozë. Luajmë në “Elbasan Arena” me sa di unë, por në këtë fazë faktori fushë nuk do të thotë asgjë.

Që të tentoni kualifikimin duhen edhe afrime. Si e keni planin me merkaton?

Disa lojtarë kanë ardhur, e shumë shpejt do të vijnë edhe të tjerë. Klubi po punon për të shtuar alternativat dhe ta bëjë këtë Laç më të fortë se vjet. Pres që të ingranohen sa më shpejt me grupin përforcimet e reja dhe t’i kemi të gatshëm.

Situata me dëmtimet si është, si është gjendja e Julian Shehut?

Gjendja duket e mirë, nuk ka pasur dëmtim shumë serioz. I duhen edhe 5 ditë të tjera jashtë fushave, që të rikuperojë atë tërheqje të shkallës së parë. Pas një jave do të jetë me grupin dhe shpresoj që të shkojë gjithçka mirë, pasi na duhet ndaj Hapoelit. Nuk kemi prej të kuqit edhe Ramosin, ndaj presim që Shehu të jetë gati.

Tirana katapultoi direkt në “play off”, pa e luajtur turin e tretë. A ju ka ardhur ndonjë rregullore nga ana e UEFA-s për këto ndryshime?

Nuk e dija, hera e parë që e dëgjoja. Dhe nuk kishim asnjë informacion. Te Tirana duhet të jenë shumë të kënaqur, pasi janë të përzgjedhurit e fatit. Nuk besoj se do të ndodhë më kjo.

ADELA MERKO  – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"