EKSKLUZIVE/ “Do vazhdoj të shënoj’, flet bomberi i Superiores: Laçi është për titull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2022 | 17:12

EKSKLUZIVE/ “Do vazhdoj të shënoj’, flet bomberi i Superiores: Laçi është për titull

Saliu Guindo po kon firmohet si lider i sulmit të Laçit këtë sezon. Dopieta ndaj Teutës e rendit 25-vjeçarin nga Mali në krye të listës së golashënuesve të kampionatit me 10 gola. Shtatlarti u afirmua në vitin 2018 te Skënderbeu, por më pas bëri mirë te Bylisi.

guindo

Në verën e 2021- it, Laçi e pikasi dhe firmosi. Pas një fillimi jo të mirë, sulmuesi po justifikon gjithçka me gola për fanellën kurbinase. Skuadra e Mirel Josës pretendon titullin kampion dhe me Guindonë në sulm gjërat po shkojnë më së miri.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, vetë bomberi malien, tregon për momentin e mirë që po kalon. Ai është i bindur se do të jetë sezoni më i mirë në karrierën e tij.

Guindo, dy gola të tjerë mjaft të rëndësishëm për skuadrën…
Po, është e vërtetë, pasi ishte një ndeshje e fortë me Teutën. E vlerësuam kundërshtarin, duke dhënë maksimumin. Luanim ndaj kampionëve në fuqi dhe nuk ishte e lehtë, por u kthye gjithçka në favorin tonë me vendosmëri. Jemi në rrugë të mbarë dhe jam i lumtur që skuadra fitoi, ndërsa unë e nisa në rrugën e duhur vitin 2022.

Çfarë ka ndikuar me Mirel Josën që po shënoni vazhdimisht?
E kam thënë edhe më parë që unë kam gjetur veten me profesor Josën, sepse që kur erdhi ndoshta më ka njohur nga e kaluara, sepse ka të bëjë shumë eksperienca e madhe që ai ka si trajner në Shqipëri.

Më mbështeti dhe punoi shumë me mua në aspektin psikologjik. Unë u mundova që të bëj më të mirën ndeshje pas ndeshjeje dhe tani jam në formën optimale.

Kryesoni listën e shënuesve, doni të fitoni “Këpucën e Artë”?
Kam qenë në listën e shënuesve më të mirë edhe me Bylisin. Natyrisht që tashmë që jam në Laç, më vjen shumë mirë që kam shënuar këto gola. Por, jemi vetëm në gjysmën e rrugës. Kemi shumë punë për të bërë përpara.

Prioritetet janë që të ndihmoj skuadrën. Edhe “Këpuca e Artë” do të jetë synim për mua, por aktualisht jam përqendruar që të ruaj këtë formë dhe të përgatitemi për ndeshjen e radhës.

A mund të na thoni se çfarë ka ndryshuar te Laçi pas atij fillimi jo të mirë?
Laçi është në rrugë të mbarë. Skuadra tashmë është në betejën e ekipeve për titullin kampion. Ka shumë ndeshje për të luajtur, por unë kam besim se javë pas jave, ne kemi mundësi që të jemi në nivele shumë të mira. Jemi një grup i mirë lojtarësh dhe këtu funksionojmë si një familje.

Si ka qenë dhe si është tani kampionati që nga koha kur ikët nga Bylisi?
E shikoj me rivalitet. Ekipet janë aty-aty dhe shumë prej tyre duan trofe. Por, edhe gara për mbijetesën është e fortë. Kjo e bën shumë më të fortë kampionatin, sepse mban çdo skuadër në lojë.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"