EKSKLUZIVE/ Do t’u besoj portierëve të rinj pas largimit të Nurkoviç, Idrizi: Nuk futemi në merkato…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2018 | 19:19

EKSKLUZIVE/ Do t’u besoj portierëve të rinj pas largimit të Nurkoviç, Idrizi: Nuk futemi në merkato…

Pas largimit të Adis Nurkoviç, Flamurtari nuk do të hyjë në merkato për portier. Lajmi konfirmohet për “Panorama Sport” nga administratori Sinan Idrizi. Ky i fundit u shpreh se Flamurtari i ka portierët dhe se ata kanë pjekurinë e duhur për të qenë gardianë të portës vlonjate.

Qirko2

“Pas largimit të Nurkoviç nuk do të hyjmë në merkato për portier. Nuk kemi pse të hyjmë në merkato, pasi ne i kemi portierët brenda në ekip. Ka ardhur koha që të jenë gardianë të portës vlonjate, Edi Sali dhe Pano Qirko. Unë kam shumë bindje se ata janë shumë të pjekur për të mbrojtur portën. Janë dy djem që kanë shumë për të dhënë dhe këtë e kanë treguar teksa janë aktivizuar. Kështu që nuk kemi pse të marrim një portier tjetër, pasi i kemi ata. Të dy janë në një nivel shumë të mirë dhe do të ketë minuta për ta”, tha fillimisht Idrizi.

Merkato – Flamurtari po përgatit që të ketë katër ose pesë përforcime, por drejtuesit e klubit janë duke kërkuar lojtarë, të cilët të bëjnë diferencën. Të paktën kështu mendon administratori Idrizi. Veç Mustës dhe Huseinit që tashmë rinovuan, klubi do të hedhë vështrimin te të rinjtë e Akademisë vendëse. Kështu, për sezonin e ardhshëm klubi do të ketë në përbërje lojtarët e akademisë si Deliaj, Hyseni, Maze, Tushi dhe Rrapaj.

idrizi

Gazeta mëson se Flamurtari do të rikthejë edhe të riun Qarri. “Nisëm rinovimet me lojtarët e parë që ne donim, siç janë Musta dhe Useini. Veç tyre ne do të kemi pjesë të Flamurtarit sezonin e ri edhe lojtarët e Akademisë. Ata tashmë nuk janë më të rinj, por janë të pjekur, pasi janë 20-21 vjeçarë. Ata do të jenë sezonin e ri pjesë e Flamurtarit dhe do të luajnë si titullarë. Kanë dhënë garanci kur u aktivizuan sezonin që u mbyll dhe do t’i mbajmë. Bashkë me këta të rinj dhe me ata që rinovuam ne synojmë që të bëjmë edhe 4-5 që të jenë lojtarë cilësorë”, vazhdoi drejtuesi i klubit.

Sinan Idrizi

Trajneri – Brenda kësaj jave, Flamurtari do të ketë trajnerin e ri. Ilir Daja është kandidati më i kuotuar deri më tani, por nuk përjashtohen as trajnerët vlonjatë me në krye Ardi Beharin. I pyetur për trajnerin e ri, administratori Idrizi është përgjigjur me batutë. “Trajneri i ri i Flamurtarit do të emërohet deri në mesjavë. Të presim. Sa për kandidatët, ata janë trajneri Toto Kutunjo dhe Vasko Rosi”, ka përfunduar Idrizi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"