EKSKLUZIVE/ “Do të përmirësohemi aty ku ekipi ka nevojë”, trajneri Mezani: Ja pse i thashë “po” Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2022 | 15:29

EKSKLUZIVE/ “Do të përmirësohemi aty ku ekipi ka nevojë”, trajneri Mezani: Ja pse i thashë “po” Laçit

Gentian Mezani është rikthyer te Laçi pas katër vitesh. Trajneri vlonjat vjen pas një periudhë të shkurtër në drejtimin e Luftëtarit në Superiore dhe më pas për afro dy vjet te Gjilani në Superligën e Kosovës.

55935226_396480177604671_5430307446469951488_o-e1554669102378-780x439-1

43-vjeçari është lakuar edhe më parë si kandidat për të marrë drejtimin e kurbinasve, por vetëm tani u bë fakt rikthimi i tij. Që të dielën ai ka nisur punën, ndërsa shpreson që të arrijë të njëjtat suksese me Laçin si në vitin 2018, ku siguroi pjesëmarrjen në Europë dhe iu afrua fitimit të Kupës së Shqipërisë.

Por çfarë e bindi t’i thoshte “po” ofertës së presidentit Pashk Laska dhe cilat do të jenë ndryshimet?

Për “Panorama Sport”, Mezani dha këtë përgjigje: “U riktheva te Laçi, sepse më bindi ambienti që është në këtë klub, pasi e njoh mirë. Më ndihmon fakti që kam pasur një eksperiencë këtu dhe shpresoj që gjërat të shkojnë sa më pozitivisht këtë herë. Sigurisht që do të punojmë për t’u përmirësuar aty ku skuadra ka nevojë. Duke përmirësuar gabimet e bëra deri më tani, atëherë do të shikojmë ndryshimin”. Ndërkohë, i pyetur nga gazeta se deri ku mund të shkojë kjo skuadër me këtë grup lojtarësh që ka aktualisht dhe nëse i ka vendosur një objektiv konkret klubi, vlonjati u shpreh: “Në këtë moment nuk mund të flasë për gjëra konkrete, pasi ende nuk e kam drejtuar skuadrën në asnjë ndeshje. Megjithatë, gradualisht duke e njohur më mirë ekipin, do të vendosim objektivin me presidentin”.

DEBUTIMI – Trajneri i ri i kurbinasve ka rreth 20 ditë kohë për të përgatitur skuadrën para debutimit. Laçi luan për javën e 13-të të kampionatit në transfertë ndaj Bylisit dhe kjo ndeshje parashikohet të luhet më 11 ose 12 dhjetor në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit. Mezani e nis me një transfertë delikate, edhe për faktin se kundërshtari është i etur për pikë, pasi vjen pas një serie rezultatesh negative. Nga lojtarët aktualë nuk ka qenë asnjë prej tyre pjesë e kurbinasve në sezonin 2017-2018, që ka drejtuar Mezani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"