EKSKLUZIVE/ “Do të jemi në krye duke i marrë ndeshjet një nga një”, Vesel Limaj: Tirana nuk fal, ja çfarë më tha trajneri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2021 | 14:30

EKSKLUZIVE/ “Do të jemi në krye duke i marrë ndeshjet një nga një”, Vesel Limaj: Tirana nuk fal, ja çfarë më tha trajneri

Vesel Limaj së bashku me Majkëll Ngonë janë dy nga investimet më të mëdha të Tiranës në këtë merkato vere. Lojtari i mesfushës ka shënuar pothuajse në çdo miqësore të Tiranës. Të njëjtën gjë bëri edhe në sfidën hapëse të sezonit, me një gol, pas një gjuajtjeje jashtë zone. Për “Panorama Sport”, mesfushori i ardhur nga Kukësi tregoi emocionet për këtë ndeshje, golin dhe çfarë pret nga Tirana e këtij sezoni, fanellën e së cilës e veshi për herë të parë në një ndeshje zyrtare në sfidën me Skënderbeun.

VESEL LIMAJ

Vesel, një tjetër gol pas atyre në miqësore. Nuk ka më mirë ta nisësh kështu aventurën te Tirana…

Unë gëzohem për çdo gol që shënoj. Gjithsesi, rëndësi për mua janë tri pikët. E dinim që Skënderbeu do të paraqitej me një skuadër shumë të fortë. Për më tepër që ne donim ta nisnim sezonin sa më mbarë. Besoj që ia kemi arritur një gjë të tillë.

Keni luajtur një ndeshje të mirë, por pjesën e parë nuk patët pothuajse asnjë hapësirë në fushë…

Edhe para ndeshjes trajneri Shehi më tha që Vangjeli do të më mbulonte në fushë. Për këtë arsye nuk është se pata shumë hapësirë në pjesën e parë. Në pjesën e dytë gjërat ndryshuan dhe ia arritëm të ndryshonim lojën.

Gol që në debutim. Besoj se kandidoheni për të qenë golashënues i skuadrës së bashku me Ngonë?

Nuk ka njeri që nuk e ka qejf golin. Është diçka e bukur dhe çdokush do që të shënojë në futboll. Ama tri pikët janë më të rëndësishme, sepse po fitoi ekipi, edhe unë jam i kënaqur dhe golat kalojnë në plan të dytë. Nuk ka rëndësi se cili shënon, por mjafton të fitojmë.

Kjo skuadër ka shënuar katër gola që në start. Tani tifozët duan titullin kampion?

Është normale që tifozët duan shumë. Dimë që jemi skuadër e re, por me kualitet në çdo repart. Çdo skuadër kur të luajë ndaj nesh, do të mbrohet dhe do të na qëndrojë mbrapa. Vështirësi do të kemi në çdo takim, sepse jemi një skuadër që e luajmë topin. Ama besoj se do të jemi në krye duke i marrë ndeshjet një nga një.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"