EKSKLUZIVE/ “Do ta kalojmë turin e parë”, Gjici: Gega po merr përditë ‘dhurata’, Ethemi ka bërë një gabim të pafalshëm (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2020 | 21:10

EKSKLUZIVE/ “Do ta kalojmë turin e parë”, Gjici: Gega po merr përditë ‘dhurata’, Ethemi ka bërë një gabim të pafalshëm (E PLOTË)

Kukësi e mbylli sezonin pa trofe dhe vendi i dytë u duk shumë i pamjaftueshëm për klubin verilindor, që në përbërje kishte elementë mjaft cilësorë për nivelin e kampionatit shqiptar. Emra si Shkurtaj, Abazaj, Rroca, Musolli, Ethemi e Gavazaj nuk arritën dot ta shpallnin Kukësin kampion, por tashmë presidenti, Safet Gjici, kërkon kalimin e turit të parë në Ligën e Europës.
Gjici
Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, kreu i klubit komenton shortin, situatën në ekip, merkaton në hyrje dhe dalje, si dhe çështjen e Valon Ethemit.

SHORTI – Fillimisht presidenti komentoi përballjen me Slavien e Sofjes më 27 gusht në Tiranë. “Sa i përket shortit, mendoj se përballë kemi një ekip që duhet vlerësuar maksimalisht. Kemi një favor që luajmë në Shqipëri, por duhet shumë kujdes. Ekipi duhet të përgatitet në mënyrën më të mirë, në maksimalen e mundshme. Është një ekip me eksperiencë të madhe në Europë. Gega bashkë me stafin dhe skuadrën duhet ta studiojnë mirë Slavian, përditë dhe në detaje. Unë kam besim se do ta kalojmë turin e parë”, është shprehur fillimisht kreu i klubit kuksian.
kukesi
MERKATO – Nga Kukësi ka firo dhe natyrisht duhen përforcime për të kompensuar largimet e Shkurtajt, Abazajt etj. Megjithatë, drejtuesit po mundohen që të bëjnë afrime në një kohë rekord. Presidenti Gjici, i pyetur nëse do t’i bëjë ndonjë “dhuratë” trajnerit Gega, u shpreh: “Përditë trajneri po merr dhurata. Edhe sot një lojtar i mirë i kampionatit tonë do të jetë pjesë e ekipit. Presim dhe një ose dy përforcime dhe s’ka nevojë besoj më skuadra”.|

ETHEMI – Te Kukësi tani ka një çështje të nxehtë, pikërisht Valon Ethemi, i cili ka firmosur me Zaglebie Lubin në Poloni, por që sipas klubit verilindor, është ende nën kontratë me ta.

Ethemi

“Kam biseduar me babanë e vet. Nuk prisja fare këtë sjellje nga ai, sepse ndryshe, klubi i kishte lënë fjalët me të. Ai ka vepruar shumë gabim, duke qenë nën kontratë me Kukësin deri pas kupave të Europës. Kjo është e pafalshme! Nuk është njerëzore, por as ligjore. Gjithsesi, ka pesë ditë që nuk është paraqitur në klub, kur në fakt babai i tij më ka takuar mua dhe ka premtuar që të premten do të jetë në klub. Akoma s’kam informacione nëse është paraqitur. Gjithsesi, klubi mban mungesat dhe shënimet e veta”, deklaroi Gjici për Ethemin.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"