EKSKLUZIVE/ “Do rikthemi të parët”, vlonjati Rrapaj karikon Partizanin: Dominojmë çdo rival

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2023 | 20:44

EKSKLUZIVE/ “Do rikthemi të parët”, vlonjati Rrapaj karikon Partizanin: Dominojmë çdo rival

Arinaldo Rrapaj ish te një nga lojtarët më të mirë të ndeshjes mes Partizanit dhe Egnatias, e përfunduar me shifrat 1-1, pas një dominimi të lehtë të skuadrës së Kolelës, veçanërisht në pjesën e parë. Vlonjati i shkoi dy herë shumë pranë golit, por fillimisht fati dhe më pas Sherri e penguan të gjejë rrjetën e dytë në këtë sezon në Superiore.

rrapaj

Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, 21-vjeçari, që u zgjodh në formacionin e vitit shprehet se skuadra meritonte fitoren ndaj Egnatias, teksa duket i bindur se ekipi do të dalë nga kjo situatë e vështirë, që e ka përfshirë në ndeshjet e fundit. Mesfushori shton se ekipi duhet të përmirësojë finalizimin, si dhe flet për golat e shumtë që pësojnë të kuqtë.

Paraqitje shumë e mirë nga ana juaj ndaj Egnatias, por goli nuk erdhi. Çfarë ju mungoi?

Mendoj se më mungoi vetëm fati, sepse provova disa herë dhe i shkova shumë pranë. Dua të falënderoj shokët e skuadrës, që bënë një ndeshje shumë të mirë, por me pak fat mund ta kishim fituar. Duhet t’i kishim shfrytëzuar rastet që arritëm të krijojmë.

Dy pikë në katër ndeshjet e fundit. Sa e vështirë është për t’u kaluar kjo situatë?

Mendoj se e kemi forcën e grupit dhe besimin për ta kaluar këtë situatë, duke parë lojën që zhvilluam në ndeshjen me Egnatian. Do të rovojmë të rritemi më shumë dhe me këtë lojë që zhvilluam, shpresoj që në të ardhmen të vijnë fitoret dhe të arrijmë të shkojmë te pikët maksimale. Do të vazhdojmë me kokën lart dhe të shikojmë përpara për të marrë maksimumin e pikëve, në mënyrë që të vazhdojmë rrugën për të dalë kampionë. Shumë shpejt do ta kalojmë këtë situatë.

Mendoni se largimet e Skukës dhe Bitrit e kanë dobësuar skuadrën?

Bitri dhe Skuka ishin dy lojtarë me cilësi shumë të mira dhe nuk mund ta mohojmë se ishim skuadër më e plotë kur ata ishin pjesë jona. Gjithsesi, duhet të theksoj se edhe çunat e tjerë që janë në përbërjen tonë mund t’i zëvendësojnë më së miri këto dy largime dhe të vazhdojmë përpara me të njëjtin hap.

Finalizimi duket se vijon të jetë një pikë e dobët për Partizanin. Ku mendoni se qëndron problemi?

Mendoj se kjo duhet parë me kujdes në stërvitje. Tek ushtrimet, rastet në stërvitje, lojërat që bëjmë. Që aty duhet të jemi “klinikë” në finalizim, që edhe në ndeshje të arrijmë të shfrytëzojmë shumicën dërrmuese të rasteve, të cilat arrijmë të krijojmë.

Ku mendoni se qëndron problemi që Partizani pëson kaq shumë gola?

Me lojë ne nuk na ka dominuar asnjë ekip që kemi pasur përballë, por mendoj se vuajmë pak ndaj skuadrave të shpejta në kundërsulm dhe gabimet individuale. Gjithsesi, fakti që pësojmë shumë gola është problem i manovrës mbrojtëse të të gjithë ekipit dhe jo vetëm atyre që luajnë në mbrojtje. Gjithashtu, kur shënojmë është merita e të gjithëve.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"