EKSKLUZIVE/ “Do ketë surpriza deri në fund të sezonit”, Jashanica rrëfen emocionet pas rikthimit: Si e mposhta frikën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2020 | 9:03

EKSKLUZIVE/ “Do ketë surpriza deri në fund të sezonit”, Jashanica rrëfen emocionet pas rikthimit: Si e mposhta frikën

Priti pa fund dhe duroi gjithçka… Ish te vetëm një gabim njerëzor dhe aspak faji i tij, por u pezullua dhe u “degdis” jashtë ekipit si pasojë e atij vendimi drastik të komisionit të dopingut. 

jashanica

Por më në fund ia doli. Bajram Jashanica ia doli të ishte sërish në fushë, me atë fanellë që kishte derdhur djersë e gjak. Ia doli të ishte sërish ai kolosi i mbrojtjes që edhe para 740 ditësh drejtonte prapavijën korçare. Humbi shumë, dy sezone të plota thuajse dhe një transferim në elitën europiane që ato kohë ishte gati, por fitoi shumë më shumë:

Fitoi besimin te vetja, që pas pezullimit ndoshta ishte fshehur diku në karakterin e tij të fortë. Në një intervistë të dhënë pas ndeshjes,  Jashanica tregon gjithçka, që nga rikthimi pas dënimit dhe ndjesia e të qenit kapiten te Skënderbeu.

 Jashanica mirë se u kthyet te Skënderbeu…

Faleminderit, realisht kisha shumë kohë që e prisja këtë ditë. Kam numëruar çdo ditë që kalonte nga fillimi i atij vendimi e deri ditën që u riktheva.

 Sa kohë ishte pritja për ty? 

Shumë e gjatë, nuk më ka ndodhur kurrë më parë të pres kaq gjatë. Ishte një makth që nuk dua ta mendoj më se çfarë kam përjetuar gjithë këtë kohë.

Kjo sepse do të mendoni këtë rikthim të bukur? 

Kjo ishte pjesa më e lumtur dhe më e bukura në të gjithë këtë kohë. Ishte diçka që më dha besim dhe shpresë për të bërë akoma më shumë përpara. Për më tepër kur kthehesh me një fitore të tillë siç ishte ajo në Shkodër, është një motiv më shumë për të qenë i lumtur.

“Jasha”, jeni rikthyer sërish kështu, i kujdesshëm, i saktë në hapësirë dhe kohë dhe diktues në prapavijë. A patët frikë mos kjo periudhë ju ndryshonte? 

Të them të drejtën, ka qenë shumë e vështirë. Ka qenë e vështirë të ruash atë profil lojtari që isha dikur. Ka qenë e vështirë të mbash përqendrimin pas gjithë asaj që kalova. Por karakteri im më bën të jem ky, i fortë dhe stoik para këtyre problemeve. Jam i bindur se do të kthehem më i fortë. Për këtë kam punuar pa fund edhe në stërvitje individuale me orare të zgjatura.

 Keni ndaluar kur Skënderbeu ishte i madh, tani gjeni një tjetër ekip apo…? 

Skënderbeu ka qenë gjithmonë i madh dhe vazhdon të jetë po ashtu, ai ekip që ka stofin e diktuesit, pavarësisht se gjërat këtë sezon nuk ecën siç duhej në fillim.

Por tani jeni në vendin e gjashtë… 

E di, por sezoni nuk ka përfunduar. Jemi ende në lojë dhe tani jemi më të fortë se kurrë. Diferenca është e vogël dhe ne premtojmë se do ta mbyllim lart.

Shumë persona janë befasuar kur ju kanë parë si titullar në Shkodër. Ju vetë e prisnit një gjë të tillë? 

Prandaj e thashë më sipër që Skënderbeu është një klub i madh, sepse veç të tjerash di të vlerësojë edhe çështjet humane. Besimi i trajnerit Ilir Daja ka qenë i madh tek unë dhe kjo më bëri që të kem më shumë presion në fillim të ndeshjes sepse nuk doja ta zhgënjeja. Kam qenë i frikësuar se s’kam luajtur dy vite, por ia dola. Me ndihmën e shokëve, ia dola.

 Në momentin që prekët topin e parë në fushë, çfarë ndjetë? 

E thashë dhe më sipër: frikë. Kisha frikë se ishte një periudhë e gjatë pa luajtur dhe nuk e dija se si do ta përballoja një ngarkesë të tillë. Por më pas doli në fushë ai shpirti i një karakteri të fortë. Kujtova gjithçka, përkrahjen e familjes, ngrohtësinë e klubit, mbështetjen e trajnerëve dhe të Ilir Dajës veçanërisht. U mblodha dhe i thashë vetes që unë mund t’ia dal.

Tani nga vendi i tretë lëvizin vetëm tri pikë… 

Duhet të bëjmë mirë ndeshje pas ndeshjeje. Tani radha është e Luftëtarit në një takim në shtëpinë tonë. Duhet të marrim maksimumin në këtë sfidë dhe të shohim më pas ndeshjen e radhës. Nuk e shohim klasifikimin dhe as kalendarin. Ky është çelësi ynë i suksesit.

LLAZI SARO –  PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"