EKSKLUZIVE/ “Do e kthejmë skuadrën aty ku e meriton”, Ibraimi: Duhet durim, ju tregoj pse besoj se Kukësi ia del

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2020 | 8:30

EKSKLUZIVE/ “Do e kthejmë skuadrën aty ku e meriton”, Ibraimi: Duhet durim, ju tregoj pse besoj se Kukësi ia del

Agim Ibraimi shënoi një supergol ndaj Besës në Kupën e Shqipërisë, duke i dhënë Kukësit një kualifikim që rezultoi shumë më i vuajtur nga sa pritej. Afrimi i bujshëm i merkatos së verilindorëve, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, foli për startin jo të mirë të ekipit në kampionat, si dhe për besimin që ka për një rikthim të Kukësit aty ku është projektuar.

ibraimi

Sipas fantazistit nga Tetova, të gjithë duhet të kenë durim në këtë moment, pasi në skuadër kanë ardhur 16 lojtarë të rinj dhe kërkojnë kohë të ambientohen me njëri-tjetrin. “Shumica e futbollistëve që janë pjesë e Kukësit aktualisht e kanë për herë të parë aktivizimin në kampionatin shqiptar. Kemi nevojë për konsolidim”, është shprehur ndër të tjera sulmuesi 32-vjeçar.

Agim, më në fund shënoni golin e parë me Kukësin në një ndeshje zyrtare…

Në këtë ndeshje, me rëndësi ishte të kalonim turin. Duke ditur që në çdo ndeshje kundër Kukësit skuadrat rivale japin më shumë se maksimumin, më gëzon fakti që fituam me përmbysje. Përtej golit tim, më kënaq paraqitja që bëmë si ekip. Kjo do të thotë se u rikthyem, pra treguam karakter në këtë takim. Si nga ana fizike ashtu edhe motorike ishim shumë mirë dhe me meritë arritëm të kualifikoheshim.

Në dy ndeshjet e para të kampionatit keni pësuar jo thjesht dy humbje, por mbi të gjitha nuk keni shënuar asnjë gol si ekip. Cili mendoni se ka qenë problemi më i madh i Kukësit në këtë start të sezonit?

Afrimi në ekip i 16 lojtarëve nga merkatoja kërkon më tepër konsolidim të skuadrës. Na duhen ndeshje në këmbë, sepse me të vërtetë mund të kemi bërë disa miqësore me ekipe të Superiores dhe Kategorisë së Parë, por na mungojnë ato ndeshjet zyrtare ku shikohet gjendja e gjithsecilit. Unë mendoj se ekipi ka nevojë që lojtarët e shumtë që kanë ardhur të ambientohen me njëri-tjetrin.

agim ibraimi

OK, por në një ekip ku objektivat janë madhorë, ndoshta nuk presin gjatë për rezultatet…

Nuk duhet të harrojmë që jemi shumë nga ata që kemi ardhur te Kukësi dhe që nuk kemi luajtur asnjëherë në kampionatin shqiptar. Për mua si lojtar dhe të tjerë kolegë të mi, ky kampionat është diçka e re. Unë shpresoj që të kenë pak durim të gjithë, sepse vetëm kështu jam i bindur që do t’ia dalim.

Pas këtij goli ndaj Besës, mendoni se tashmë nuk do të ketë më kthim pas për ju dhe Kukësin?

Unë nuk kam ndonjë synim për t’u bërë golashënues. Objektivi im është që te Kukësi të arrijmë qëllimin që ka klubi. Tashmë pas këtij rezultati pozitiv, duhet të shikojmë përpara.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"