EKSKLUZIVE / Djarmati: Jemi më mirë se vjet, por jo më surprizë. Shkodra të mban zgjuar 24 orë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2021 | 21:53

EKSKLUZIVE / Djarmati: Jemi më mirë se vjet, por jo më surprizë. Shkodra të mban zgjuar 24 orë

Matko Djarmati mendon se Vllaznia ka bërë një merkato cilësore dhe tashmë ka një skuadër më të fortë se ajo e sezonit të kaluar, ku arriti të fitojë Kupën e Shqipërisë. Klubi zyrtarizoi këtë verë afrimin e emrave si Liridon Latifi, Darko Bulatoviç, Fahrudin Gjurgjeviç, Uellington Gustavo, Ante Aralica, Fallou Dianje, Elvedin Heriç, Esin Hakaj, Egzon Shimaj, Kaina Nunjes, Albin Sadrijaj dhe Zinedin Mustedanagiç. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, drejtori sportiv i kuqebluve flet për gjithçka në prag të fillimit të sezonit, teksa Vllaznia e nis në transfertë ndaj Laçit.

Djarmati2

Matko, Vllaznia e mbylli merkaton me plot 12 afrime. A jeni i kënaqur me përforcimet që bëtë në këtë sesion?
Të jem i sinqertë me ju, të gjitha piketat që kemi vendosur në muajin prill të kampionatit të kaluar sa i përket merkatos, i kemi realizuar. Plani ynë ishte që këto përforcime që kemi bërë, t’i konkretizonim përpara ndeshjeve të Europës. Vetëm në këtë aspekt jam i pakënaqur, por nuk mundëm të realizonim diçka të tillë për arsye të ndryshme. E rëndësishme është që kemi afruar në këtë merkato të gjithë lojtarët që ne kemi planifikuar për t’i marrë te Vllaznia që në muajin prill.

A mund të bënit diçka më tepër në ndonjë repart apo s’keni asnjë peng?
E përsëris, kemi bërë atë merkato që kemi kërkuar si klub. Për të dhënë një përgjigje të saktë, mendoj se këtë do ta tregojë koha. Unë personalisht jam i kënaqur me këta lojtarë që kemi afruar.

Duket se janë bërë shumë ndryshime, pasi disa titullarë të sezonit të kaluar janë larguar tashmë. Ka diçka që ju doli nga parashikimet?
Ideja jonë në merkato ishte rifreskimi në çdo pozicion i ekipit dhe ndërtimi i një grupi me 25 lojtarë, që janë gati të luajnë të gjithë në çdo moment për Vllazninë. Kur stërvitja bëhet në maksimum në çdo moment, konkurrenca nuk të lejon dot të marrësh frymë, prandaj edhe ne donim të forconim ekipin. Boshti i skuadrës është ai i sezonit të kaluar. Besoj se 60 % e ekipit nga vjet sërish do të marrë përqindje më të mëdha të ndeshjeve të këtij sezoni.

Besoni se kjo Vllazni është më cilësore se e kampionatit të kaluar?
Së pari dua të sqaroj se kjo është hera e parë që Vllaznia aplikon kontrata afatgjata me të gjithë lojtarët. Nuk e kemi ndërtuar ekipin vetëm një vit, por mendojmë edhe për sezonin pasardhës. Unë besoj se kemi ndërtuar një skuadër më të fortë, por të mos harrojmë se këtë sezon, Vllaznia nuk është më surpriza e kampionatin apo ekipi që u prishi planet të gjitha klubeve që kishin pretendime për titull dhe Europë në sezonin e kaluar. Këtë sezon do të jetë një kampionat shumë më i fortë. Me rikthimin e Dinamos dhe me merkato shumë të mirë që ka bërë Egnatia, unë gjykoj se do të kemi 7-8 skuadra që do të pretendojnë deri në fund për katër vendet e para. Unë mendoj se kemi bërë merkato me shpenzime dhe besoj me kualitetet më të mira se vjet.

Çfarë mund të bëjë Vllaznia më shumë se sezoni i kaluar që e mbylli me trofeun e kupës?
Ishte një sezon super dhe unë nuk kam peng asgjë. Isha i kënaqur me gjithë sezonin që bëmë, por në Shkodër nuk jeton dot me atë që ke bërë vjet. Ky qytet kërkon prapë trofe dhe të mban zgjuar 24 orë, nuk fle dot. Për këtë arsye, ne e kemi fshirë atë që kemi arritur në sezonin e fundit dhe jemi fokusuar 100 % për kampionatin që do të nisë këtë javë.

Cili është objektivi kryesor i Vllaznisë?
Objektivat janë njësoj si vjet. Minimalisht duhet të jemi në Europë, por këtë sezon patjetër që do të shkojmë deri në fund për titullin kampion. Kjo do të jetë ajo që na intereson më shumë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"