EKSKLUZIVE/ “Dinamos i sjell yllin e dytë në fanellë”, presidenti Bardhi: Ëndrra s’është kampionati, por hyrja në grupet e Champions-it

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2021 | 21:25

EKSKLUZIVE/ “Dinamos i sjell yllin e dytë në fanellë”, presidenti Bardhi: Ëndrra s’është kampionati, por hyrja në grupet e Champions-it

Sezonit të ri të Superiores i kthehet një nga emrat më të mëdhenj të saj, Dinamo. Pritet të kthehet siç i ka hije skuadrës kryeqytetase, 18 herë kampione e vendit, jo sa për pjesëmarrje.

ARDIAN-BARDHI

Në një intervistë për “Panorama Sport”, presidenti i bluve, Ardian Bardhi, flet me bindje të plotë për një skuadër konkurruese dhe thekson se do t’i sjellë asaj yllin e dytë në fanellë, duke lënë të kuptohet se do të fitojë të paktën 2 tituj në kohën e tij.

Z.Bardhi, Dinamo ka marrë së fundi edhe sulmuesin Gjata. Çfarë kontrate keni firmosur me të?

Po, kemi marrë Gjatën, por edhe Mihanën sepse pavarësisht se stërvitej me ne, tani ai është zyrtarisht i Dinamos. Ne kemi një bashkëpunim me klubin e Apolonisë, që ka 80% të kartonit të Gjatës dhe Dinamo 20%. Kemi marrë edhe lojtarë të tjerë nga kjo skuadër dhe janë thuajse të gjithë me këtë variant kontrate.

Do të jenë kontrata 3-vjeçare, por që Dinamo çdo vit avancon duke fituar 20%. Pra, këtë vit kemi 20% të kartonit dhe vitin tjetër nëse lojtari nuk shitet, merr 40% Dinamo. Është një variant që edhe mos të ngrijmë lojtarin që nuk është gati për t’u shitur është një bashkëpunim me Apoloninë.

Pas këtyre dy afrimeve të fundit, merkatoja e Dinamos mund të quhet e mbyllur?

Patjetër, për momentin e kemi mbyllur merkaton. Në janar, do të shohim ecurinë e ekipit dhe do të bëjmë edhe merkato.

Me atë çfarë keni parë, është Dinamo gati t’u përgjigjet pritshmërive të tifozëve dhe opinionit?

Mua më pëlqen të flas shumë thjeshtë. Gjithçka që kam bërë dhe do të bëj, është që Dinamo të jetë aty ku duhet. Nuk të lë fanella e saj që të thuash se do të luajë për të mos rënë nga kategoria… Do të zhgënjejmë vetveten pastaj. Dinamo është pretendente kryesore për fitimin e kampionatit shqiptar, Dinamo është pretendente kryesore për fitimin e Kupës së Shqipërisë.

Dinamo para miqesores me Tiranen

Kjo shkëputje e gjatë nga Superiorja, a mund të ndikojë?

Le të bëjmë një krahasim: çfarë ndryshimi ka pasur Dinamo, që ka qenë 10 vjet atje ku ka qenë? E dini çfarë do të thotë Dinamo? Duhet një shekull që skuadrat e tjera të arrijnë të bëjnë atë që ka bërë Dinamo. Është 18 herë kampione e Shqipërisë.

Mos ndoshta do të jetë pak e vështirë për të pretenduar menjëherë trofe?

Nuk ka pse. Dinamo ka blerë kampionë, ka të vetmin lojtar që është Agim Ibraimi, që ka luajtur në Champions. Asnjë skuadër tjetër nuk e ka, është kapiteni i skuadrës dhe ka kontratë 3-vjeçare. Kemi marrë lojtarë që mund të jenë liderë, kemi krijuar një bosht nëpërmjet të rinjve dhe atyre me përvojë. Mendoj se kemi krijuar diçka të jashtëzakonshme, jemi pretendentë numër një. Kemi një grup shumë të mirë, djem të mrekullueshëm, kemi një organizim perfekt, kemi frymën e grupit. Sigurisht, duhet edhe pak fat, ne ia kemi bërë “hyzmetin” si duhet.

Keni afruar sulmues të rinj në moshë…

Ne kemi 4 sulmues. Kemi Agim Ibraimin me përvojë, ishte golashënues vjet me Kukësin në kampionat. Është goditës shumë i mirë. Kemi edhe të rinj të perspektivës, që me ndihmën e Ibraimit do të bëhen golashënuesit më të mirë të futbollit tonë. Kemi Skukën, Çinedunë që janë shumë potentë. Kemi edhe Bardhin, shumë i talentuar. Por edhe pjesa tjetër e ekipit, mbrojtja dhe mesfusha, janë të kompletuara.

Dinamo është bërë thuajse nga e para, kurse rivalët mund të jenë më solidë, pasi kanë lojtarë që luajnë bashkë prej kohësh?

Kush? Të gjithë kanë bërë merkato, janë çorientuar, e kanë bërë edhe ata skuadrën thuajse nga fillimi dhe ky është fat i madh për ne. Pastaj, kemi bërë një fazë përgatitore shumë të mirë, të shkëlqyer.  Di të them se Dinamo do të zotërojë topin mbi 60% në çdo ndeshje.

Pse keni kaq shumë besim?

Këtë besim që po them tani për Dinamon, e kisha edhe te Teuta. Isha bashkëpresident dhe skuadra fitoi ato që fitoi. Jam munduar që t’i jap skuadrës atë që pretendoj, kam një ego shumë të fortë dhe dua që ta kenë edhe lojtarët e mi. Ne kemi një skuadër zotërinjsh, më ka thënë Zoti që të marr një skuadër zotërinjsh.

Dinamo

Do t’i jap sportit një skuadër që kur të luajë të jetë një peshore e madhe për gjithçka. Dinamo luan për yllin e dytë tani në fanellë, ju garantoj se në kohën time do të dalë me dy yje. Dua të them edhe diçka tjetër, ëndrra ime nuk është kampionati, ëndrra ime dhe e Dinamos është që të hyjë në grupet e Champions Ligës.

Por do pak kohë apo jo?

Koha është si ta shfrytëzosh. Ne po punojmë që të ndërtojmë një Dinamo të madhe, ua thashë edhe më parë se kam një ego shumë të madhe. Futbollisti që blen, ai është në fushë. Kini besim. Vetëm një gjë do të kërkoja nga ju, nga gazetarët: Të mos dëgjojnë fjalët e kafeneve, të pazarit, “babalet”… Ti referohen vetëm faqes sonë zyrtare, dua të jemi korrektë në çdo gjë dhe me të gjithë. Garantoj si president se do të jap maksimumin që Dinamo të jetë aty ku e meriton, tifozët të jenë të qetë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"