EKSKLUZIVE/ “Dinamon e shoh në Superiore”, ish-trajneri Andrea Marko: Ja këshilla që kam për klubin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2022 | 19:24

EKSKLUZIVE/ “Dinamon e shoh në Superiore”, ish-trajneri Andrea Marko: Ja këshilla që kam për klubin

Dinamo është në rrugën e duhur drejt rikthimit të shpejtë në elitë, pas asaj shfaqjeje “blic” në Superiore sezonin e kaluar. Këtë sezon puna është marrë shumë seriozisht në çdo drejtim nga drejtuesit e klubit kryeqytetas, të cilët po ecin paralelisht në aspektin sportiv dhe atë administrativ. Andrea Marko, ishfutbollist i shquar i Dinamos dhe ish-trajner i saj, në një intervistë për “Panorama Sport”, thekson se skuadra aktuale i jep besimin e ngjitjes në Superiore. Marko shpreson që klubi blu të gjejë politikat e duhura organizative që Dinamo të hyjë bindshëm në treg dhe të kthehet faktor i rëndësishëm i futbollit në vend.

Andrea Marko Dinamo

Profesor Andrea, sa e keni ndjekur Dinamon gjatë këtij sezoni dhe çfarë mendimi keni për këtë skuadër?

Po, e kam ndjekur vazhdimisht Dinamon në këtë kampionat dhe të them të drejtën, më ka pëlqyer që në javët e para deri në ndeshjen me Flamurtarin. Ishte një skuadër stabël, që merrte rezultatin, por në atë ndeshje mori goditje nokdauni. Ajo humbje aq e thellë e tillë ishte për Dinamon, ndërsa Flamurtari aty tregoi se është favorit kryesor për kthimin në Superiore. Megjithatë, Dinamo e mori veten më pas. Pati edhe atë barazimin në Peshkopi me Korabin, ku ishte në superioritet numerik, por pastaj arriti disa fitore radhazi që e kthyen aty ku ishte.

Dinamo dhe Flamurtari, dy nga shkollat më të njohura të futbollit shqiptar. Vetëm mes tyre do të jetë gara për kreun?

Jo, është edhe Skënderbeu. Me fitoren që mori në Fier me Apoloninë, besoj se do të jetë në gjendje të luftojë deri në fund. Janë skuadra që në kohë të ndryshme kanë dhënë shumë dhe që i duhen Superiores. Kuptohet që dënimi nga UEFA ka ndikuar te Skënderbeu, por mendimi im është se ky ekip, bashkë me Dinamon dhe Flamurtarin, do të diskutojnë Superioren. Kategoria e Parë ka edhe skuadra të tjera me emër, si Besa, Apolonia, Tomori apo dhe Korabi, por them se nuk janë në nivelin e tri klubeve që përmenda më lart. Pastaj kampionati i Kategorisë së Parë ka një format të tillë, që duhet të kesh stabilitet dhe cilësi për të arritur objektivin.

A e vuan Dinamo faktin që nuk ka një grup lojtarësh të shkollës së saj, për shkak të shkëputjes disavjeçare që pati nga elita?

Dinamo, me sa kam parë, është organizuar mirë në këtë drejtim, ka ngritur gjithë strukturën e ekipeve të moshave. Më është dhënë rasti të ndjek disa ekipe të saj, ku do të veçoja Dinamon U-21, që ka cilësi. Periudha e mungesës mund të ketë ndikuar, por mendoj se e ka shkollën e saj.

Profesor, a do të kthehet kjo skuadër faktor si dikur në futbollin shqiptar?

Këtu ndikojnë shumë gjëra, shumë faktorë. Gjithçka varet nga politikat dhe strategjia e drejtuesve të klubit për të ardhmen. Mund të merren modele të klubeve të huaja dhe të ndiqen. Edhe ato kanë pasur problematika të ndryshme dhe kanë, por kanë ndjekur një strategji që ka sjellë suksesin. Unë nuk dua që Dinamo të ngjitet dhe të bjerë nga Superiorja. Dua që Dinamo të hyjë në treg bindshëm. Pra, të krijojë stabilitet si skuadër dhe si klub. Duhet të luftojë për objektiva të rëndësishëm dhe përderisa janë 4 vende që të çojnë në Kupat e Europës, Dinamo, kur të jetë në Superiore, duhet të kapë një nga këto 4 vende. E kërkojnë këtë gjë Erzeni apo Egnatia, pa i nënvlerësuar aspak, sepse presidentët e tyre po investojnë, po hedhin lekë. Optimizmi është gjithmonë se Dinamo do të kthehet, gjithmonë duke ndjekur strategjinë e duhur dhe duke bërë investime, sepse patjetër duhen marrë lojtarë cilësorë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"