EKSKLUZIVE/ Dinamo zgjedh trajnerin, e konfirmon vetë presidenti Bardhi: Gati prezantimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2022 | 21:55


EKSKLUZIVE/ Dinamo zgjedh trajnerin, e konfirmon vetë presidenti Bardhi: Gati prezantimi

Dinamo vendos për stolin. Nevil Dede është zyrtarisht trajneri i ri i kryeqytetasve. Lajmi i publikuar disa ditë më parë nga gazeta është konfirmuar së fundi nga vetë presidenti Ardian Bardhi. Në një prononcim të shkurtër të dhënë për “Panorama Sport”, i pari i klubit ka pohuar se së shpejti do të bëhet edhe prezantimi i tij.

bardhi dede

Janë shuar kështu që të gjitha dilemat për çështjen e “timonierit”. Edhe pse patën një ide për të marrë sërish të huaj, klubi ka zgjedhur që t’ia besojë pankinën një eksperti. Pasi ngjiti Erzenin në Kategorinë e Parë, 47-vjeçari vjen me të njëjtin mision edhe te blutë.

“Nevil Dede është trajneri i ri i Dinamos. Kjo është zgjedhja jonë për stolin e skuadrës dhe prezantimi do të bëhet këto ditë”, u shpreh fillimisht presidenti.

Nevil Dede do të marrë kështu drejtimin e Dinamos, duke zëvendësuar italianin Rodolfo Vanoli. Ky i fundit e drejtoi këtë ekip në pjesën e fundit të kampionatit, ku zyrtarisht skuadra “lau” duart me Superioren.

Kandidat për stolin blu ishte edhe Artan Mërgjyshi, madje kishte edhe një akord paraprak. Por situata u përmbys dhe zgjedhja përfundimtare e drejtuesve është ish-mbrojtësi i Tiranës dhe Kombëtares.

PLANI – Numri një i kryeqytetasve paralajmëron ringritjen. Ai saktëson se tashmë që i është bashkuar edhe Kristjan Gjidodaj, do ta ketë më të thjeshtë gjithçka.

“Jemi duke punuar për ringritjen e Dinamos, siç e kam thënë gjithmonë, pasi kjo skuadër do të shkojë patjetër në vendin që i takon. Po merremi me çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë më skuadrën. Tani që jemi edhe dy ortakë, e kemi më të lehtë. Po mundohemi të bëjmë çdo gjë në mënyrën e duhur”, theksoi Bardhi.

GRUPI – Nuk kishte si të mos fliste për organikën dhe merkaton. Konfirmon blindimin e 80% të lojtarëve që mbyllën edicionin dhe thekson se do të ketë surpriza në hyrje.

“Dinamo e ka 80% të grupit të lojtarëve nga sezoni i fundit. Janë lojtarë që kanë kontratë me Dinamon. Do të ketë edhe afrime, do ketë surpriza, sepse të gjithë duan të vijnë te Dinamoja, por çdo gjë në kohën e duhur”, përfundoi presidenti i 18 herë kampionëve të vendit.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL