EKSKLUZIVE/ “Dinamo u dënua ndaj Laçit”, rrëfehet presidenti Bardhi: Dua vetëm… drejtësi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2021 | 20:15

EKSKLUZIVE/ “Dinamo u dënua ndaj Laçit”, rrëfehet presidenti Bardhi: Dua vetëm… drejtësi (E PLOTË)

Ka lënë një shije të hidhur për presidentin e Dinamos, Adrian Bardhin, barazimi i së premtes së kaluar me Laçin. Për mënyrën si u vendos rezultati, me atë gol të pësuar në shtesë, por mbi të gjitha për gjykimin, që në disa episode kyçe të ndeshjes ishte kundër Dinamos, duke e dënuar këtë skuadër te pikët, siç pohon edhe vetë numri një i klubit blu.

ARDIAN-BARDHI

GJYKIMI – “Patjetër që jam i mërzitur nga ai barazim me Laçin. Duhet të kishim fituar, por ndeshja shkoi ashtu si ju e patë. Në disa momente u ndëshkuam nga vendimet e arbitrave. Po t’i marrim me radhë, janë disa, duke nisur nga goli i Sofranakut, që unë mendoj se është i rregullt. Lojtari ynë, në momentin kur krosohet topi, është brenda dhe pastaj rikuperon dhe del përpara e godet me kokë. Kemi edhe një rast penalltie, që na jepte mundësinë të shkonim në 2-0.

Pastaj, ka edhe një rast tjetër që askush nuk e përmend, është rasti i ndërhyrjes së qendërmbrojtësit kundërshtar (Malotës) ndaj Çinedusë si lojtar i fundit. Në një rast të ngjashëm, lojtari i Teutës u ndëshkua me karton të kuq në Shkodër dhe e la skuadrën me 10 vetë, kurse në rastin tonë kundërshtari nuk mori as të verdhë.

A nuk është turp ky? Futbolli kaq është: një gol i anuluar, një penallti e padhënë, një karton i kuq i padhënë kundërshtarit. Këto gjëra bëjnë diferencën, ndaj dhe them se për ne ishte si një dënim. Por, le ta quajmë një rastësi… Ne duam vetëm drejtësi në fushë, vetëm kaq”, ka thënë fillimisht për “Panorama Sport” presidenti Bardhi.

Dinamo festa

SKANDALI NË FUND – Momenti skandaloz i ndeshjes Dinamo-Laçi në “Elbasan Arena” ishte ai i fundit të saj, kur kryesori Olsid Ferataj po shihte në VAR pamjet e golit të barazimit të kurbinasve dhe presioni ndaj tij ishte i madh nga tribuna kryesore. Për këtë episod presidenti i bluve tha shkurt: “Nuk dua ta komentoj shumë atë rast, sepse të gjithë e panë. Ishte i turpshëm ai presion dhe nuk di, duhen marrë masa për këtë punë. Shpresoj të mos ndodhë më”.

VAZHDIMËSIA – Pavarësisht atij barazimi, presidenti Bardhi është i bindur se Dinamo do të ecë përpara, pasi po ia bën shërbimin futbollit siç duhet. “Nuk na demoralizon një barazim. Ne kemi rrugën tonë, kemi destinacionin tonë dhe besoj se do të ecim mirë, sepse jemi përpjekur të bëjmë një klub perfekt. Dinamo synon të luajë futboll, synon të bëjë sport. Dinamo nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë problem për të tjerët, sepse çdo gjë e bën me profesionalizëm.

Nuk do ta shikoni asnjëherë skuadrën tonë të krijojë situata problematike me sjelljen në fushë të lojtarëve apo në shkallët e stadiumit. Dinamo i bën nder Superiores në çdo aspekt. Ekipi do të rritet, jam i bindur për këtë. Ndoshta tani mund të jemi në 60%-shin tonë dhe Dinamo e vërtetë do të duket në ndeshjet e mëdha, në derbi dhe ndaj skuadrave me emër të futbolli tonë”, ka theksuar më tej Bardhi.

TËRHEQJA – Kreu i klubit ka edhe ndonjë rezervë për të tijtë, më saktë për stafin teknik. “Mendoj se ndoshta ekipi u tërhoq shumë në 15 minutat e fundit. Ndoshta kjo ndodhi për t’u ruajtur nga ndonjë karton i kuq i mundshëm.

Mund të kishim shënuar edhe golin e dytë, vuajtëm vetëm në fillim të ndeshjes dhe në 15 minutat e fundit, siç e thashë. Por këto gjëra ndodhin në futboll dhe ne do të mësojmë. Nuk është ndonjë gjë e madhe. Kundërshtari e shfrytëzoi tërheqjen tonë në fund, por duhet që ta bëjë golin të rregullt, nuk kam asgjë në këtë rast”, përfundoi numri një i klubit dinamovit.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"