EKSKLUZIVE/ “Dinamo tregoi se nuk është gati për elitën”, ish-kapiteni Pinari: Dhanë sinjale se kanë pika të dobëta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2023 | 14:35

EKSKLUZIVE/ “Dinamo tregoi se nuk është gati për elitën”, ish-kapiteni Pinari: Dhanë sinjale se kanë pika të dobëta

Fillimi i vitit nuk ishte ai që te Dinamo dëshironin. Humbja 1-3 me Kastriotin në Kupën e Shqipërisë, ku blutë kishin ambicie, ka lënë një shije të hidhur. Jo vetëm rezultati, por edhe mënyra e lojës dhe mentaliteti i grupit.

PINARI-770x433

Ata që e shohin nga jashtë skuadrën, ndoshta e kanë më të lehtë të bëjnë konstatime, aq më tepër kur bëhet fjalë për pjesëtarë të familjes dinamovite, siç është ish-kapiteni Luan Pinari. Ish-mbrojtësi thekson në një prononcim për “Panorama Sport” se dy humbjet radhazi nuk lënë vend për panik apo alarm te Dinamo. Por, sipas tij, ndeshja me krutanët dha mesazhin e qartë se ekipi nuk është ende gati për përfaqësimin në Superiore.

KAMPIONATI DHE NGJITJA Ai nuk e vendos në diskutim ngjitjen e kryeqytetasve dhe as alarmante nuk e quan situatën. Kualiteti nuk u mungon 18 herë kampionëve të vendit për të siguruar kalimin në elitë, shqetësimin e ka për edicionin tjetër. “Unë i qëndroj asaj që kam thënë gjithmonë: Dinamo do të ngjitet në Superiore. Do të jetë patjetër një nga dy skuadrat e kreut në fund të këtij kampionati. Ka pësuar dy humbje, me Tërbunin në kampionat dhe tani me Kastriotin në Kupën e Shqipërisë, por nuk mund të flasim për alarm. Kam bindjen se në kampionat Dinamo do t’i marrë pikët që i duhen për të arritur objektivin e kthimit në Superiore. Formula e kampionatit të Kategorisë së Parë është e tillë, që favorizon Dinamon dhe Flamurtarin, dy skuadrat që kryesojnë aktualisht. Ka një luftë të fortë për zonën e “play off”-it, si dhe për rënien nga kategoria. Të gjitha skuadrat do të luftojnë deri në fund dhe rivalët e Dinamos mendoj se do të lënë pikë. Për kampionatin që po zhvillohet, Dinamo ka kualitetin ta përballojë dhe të sigurojë ngjitjen direkt në fund”, ka thënë fillimisht Pinari për gazetën.

MESAZHI I KUPËS Më tej, dinamoviti që ka veshur edhe fanellat e Partizanit dhe Tiranës, pohon se humbja në ndeshjen e parë të turit të dytë në Kupën e Shqipërisë, duhet kuptuar drejt nga klubi. Sipas tij ka dhënë sinjale se nuk është ende gati për elitën. “Humbja 1-3 me Kastriotin dha mesazhet e saj. Unë thashë se nuk ka vend për alarm për kampionatin, që është objektivi kryesor i Dinamos këtë sezon, por nga ajo humbje duhen nxjerrë konkluzionet e duhura. Ajo ndeshje tregoi se Dinamo nuk është gati për Superioren dhe kuptohet që është më mirë që ndodh tani, pasi ka kohë për të manovruar dhe për të ndërhyrë. Drejtuesit e klubit dhe të skuadrës kanë kohë në dispozicion për të kuptuar se çfarë duhet bërë për të eliminuar pikat e dobëta para se Dinamo të kthehet në Superiore. Në skuadër mund të ketë elementë të mirë, por Superiorja është tjetër gjë. Këtë e tregoi më së miri humbja me Kastriotin”, përfundoi Luan Pinari.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"