EKSKLUZIVE/ “Dinamo, tani nis… malorja”, Agim Canaj: Ekipi është me fat që ka një president serioz, në klub duhet të afrohen…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2021 | 12:33

EKSKLUZIVE/ “Dinamo, tani nis… malorja”, Agim Canaj: Ekipi është me fat që ka një president serioz, në klub duhet të afrohen…

Më shumë se nëntë kampionate me fanellën blu si futbollist, pastaj zëvendëstrajner e më pas trajner. Ka fituar trofe në fushë dhe në stol. Agim Canaj i ka kaluar të gjitha fazat me Dinamon dhe megjithëse është vlonjat mbetet pa dyshim një dinamovit i thekur.

agim canaj

Sigurisht, i ka ndjekur zhvillimet e fundit te 18 herë kampionët dhe është i lumtur për faktin se tashmë fatin e kësaj skuadre e kanë marrë në dorë njerëz seriozë, që mund ta rikthejnë në nivelet e dikurshme. Për rikthimin e Dinamos, Canaj flet për “Panorama Sport” gjerë e gjatë.

“Më vjen mirë që Dinamon e kanë marrë njerëz seriozë. Zoti Bardhi duket se e ka marrë me qejf, por nuk është e kollajtë të investosh shumë në kaq shumë gjëra përnjëherësh. Është shumë e rëndësishme që Dinamo të ketë një shtëpi të sajën dhe me sa di ka përpjekje për këtë gjë. Është ndryshe kur ke një gjë tënden dhe kur je me qira. Rëndësi ka që pas kaq shumë vitesh është pjesë e Superiores dhe do të jetë një vlerë e shtuar e saj”, deklaroi fillimisht për gazetën ish-trajneri i bluve.

EKIPI AKTUAL

“E kam ndjekur ekipin në këtë fillim kampionati. Edhe disa lojtarë i njoh mirë. Mendoj që Dinamo ka nisur një cikël që ka vështirësitë e veta. Kampionati është shumë i vështirë, i paparashikueshëm. Futbolli do kohën e vet dhe unë mendoj se tani Dinamo duhet të konsolidohet. Tani fillon malorja e saj sepse do të përballet me skuadra shumë të forta. E di mirë këtë sepse tek ekipet që kam drejtuar e kam nisur gjithmonë nga e para. Mungesa për shumë vite kuptohet që lë një traumë në aspektin psikologjik, por është fat i madh që Dinamo ka një investitor dhe disa donatorë që kanë shpenzuar dhe e kanë marrë seriozisht.

Është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e një skuadre që të mos i mungojë asgjë. Për të marrë rezultatet, gjithçka varet nga grupi i lojtarëve, përgatitjet dhe nga stafi që e ka bërë këtë skuadër. Janë marrë lojtarë pa u ndikuar nga çmimi dhe kjo është po ashtu shumë e rëndësishme. Është gjëja më e mirë kur trajneri ka dorë të lirë. E rëndësishme është që të funksionojnë edhe hallkat e klubit sepse një njeri i vetëm nuk i bën dot të gjitha. Në futbollin shqiptar kanë munguar paratë dhe Dinamo ka fatin e mirë që është kthyer me të gjitha gjërat që i duhen. Megjithatë, sportivisht nuk mund ta gjykojmë tani”, – ka thënë Canaj sa i përket skuadrës aktuale.

NOSTALGJIA

Si çdo ish-lojtar dhe ishtrajner i saj, edhe Canaj kërkon që skuadra të jetë në vazhdën e traditës së krijuar ndër vite. “Është e rëndësishme të përçohet edhe tradita dinamovite, është thelbësore. Edhe në klubet e huaja ndodh kjo gjë, afrohen figura të njohura. Dinamo është 18 herë kampione, ka një histori shumë të gjatë, të lavdishme. Eksperienca e dinamovitëve do të jetë efikase në skuadër. Është një emocion shumë i madh, ne të Dinamos gjithmonë kemi vënë interesat dinamovite të parat. Mund të përmend dy momente që më kanë emocionuar shumë. Kur drejtoja Gramozin në Ersekë dhe Korabin në Peshkopi më kanë ardhur dinamovitë të brezit tonë që më kanë parë kur luaja.

canaj

Më mbanin mend edhe lojën individuale në ndeshje të caktuara, momente që edhe unë vetë i kisha harruar. Jam ndjerë shumë mirë kur jam takuar me këta dinamovitë, të cilët mezi kanë pritur që Dinamo të rikthehet. Është historia shumëvjeçare e Dinamos, prandaj thonë ‘po blej emrin, po blej stemën’. Ai që ka luajtur, e di këtë, është nostalgji e madhe sepse në kohën tonë futbolli ka qenë më ndryshe, më i pastër dhe më i bukur. Futbolli është një gjurmë që lihet për shumë vite dhe rikthimi i Dinamos i jep më shumë vlera kampionatit.

Në këtë sens do të doja që të riktheheshin edhe shumë skuadra që koha i ka lënë pas, duke nisur nga Flamurtari ku kam nisur futbollin, Besa, Tomori, Elbasani, Lushnja që i heq kapelën sepse edhe e kam drejtuar, Besëlidhja, etj. Janë skuadra që kanë traditë, që kanë pasur elementë deri në Kombëtare. Tani futbolli varet nga buxhetet dhe për të ardhmen duhet të presim”, përfundoi Canaj

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"