EKSKLUZIVE/ “Dinamo, si Sherifi”, Andrea Marko: Për pak sa u eliminua gjithë ajo histori! Futbolli pa dinamovitët është si…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2021 | 22:32

EKSKLUZIVE/ “Dinamo, si Sherifi”, Andrea Marko: Për pak sa u eliminua gjithë ajo histori! Futbolli pa dinamovitët është si…

Breza e breza të tërë kanë shkruar historinë e Dinamos dhe kuptohet që kur kjo skuadër përjetoi atë krizë disavjeçare, më shumë se kujtdo tjetër u ka dhembur pikërisht atyre që kanë qenë pjesë e 18 herë kampionëve të Shqipërisë. Në kohë të ndryshme janë të shumtë ata që kanë lënë gjurmë me fanellën dinamovite dhe që tifozët i kujtojnë me nostalgji edhe sot e kësaj dite.

Andrea Marko

Andrea Marko është një nga ata pjesë e Dinamos së kohëve të arta që “pikturonte” futbollin elitar shqiptar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-lojtari dhe ish-trajneri i bluve komenton me detaje rikthimin e Dinamos dhe shpreson që ajo të jetë sërish “violinë e parë” e Superiores.

Profesor Andrea, Dinamo kthehet pas shumë vitesh në Superiore. Çfarë do të thotë kjo për ju si ishlojtar dhe ish-trajner i saj?

Nëntë vite larg Superiores është pa dyshim një mungesë e konsiderueshme. Besoj se mungesa e Dinamos kishte domethënien e vet. Si ta them, është si të imagjinosh një njeri me një krah të prerë. Si mund të funksionojë? Në pjesën e përfaqësimit mendoj se Dinamo ishte mungesa e bukur dhe e shëmtuar e Superiores sepse u braktis në një moment delikat, pasi kishte dalë kampione, pastaj mbijetoi një vit dhe më pas edhe ra nga Superiorja.

Gjithë ajo histori, gjithë ajo jetë e përshkuar nga breza futbollistësh, për pak sa nuk u eliminua. Prandaj mendoj se rikthimi i Dinamos është pozitiv. Vlerat e skuadrës dhe organizimi i klubit është për ta çuar aty ku duhet. Të gjithë brezat që kanë luajtur për Dinamon ndjejnë edhe ata pjesën e satisfaksionit dhe besoj se do të jetë një pjesë e bukur. Do të jetë i plotë konstrukti i kampionatit me Dinamon. Ka marrë një fizionomi tashmë dhe besoj se bukuria e futbollit nganjëherë qëndron edhe tek emrat edhe te legjendat.

A do të ketë vështirësi Dinamo sepse mungesa e gjatë ka një lloj ndikimi apo jo?

Kjo ka të bëjë me mungesën e një eksperience në Superiore, por besoj që Dinamo duke pasur një pjesë tabani, duke pasur rrënjët e forta, duke pasur traditë nuk mendoj se do ta ketë të vështirë. Aq më tepër që sot jemi në kohët e një ekonomie tregu, ku çdo gjë është e hapur.

Pjesa ekonomike është e deklaruar, kush mund të bëjë blerjet më cilësore, bën më mirë. Po t’i kthehemi kohës e të shohim, Kukësi erdhi nga kategoria e tretë dhe shkoi në kupat e Europës. Eksperienca kemi sa të duash. Dinamo është më e konsoliduar në pjesën e përfaqësimit sepse është 18 herë kampione e vendit, plus kupat, spartakiadat e kështu me radhë.

Mungon gjaku blu në skuadër për vetë rrethanat që ka kaluar klubi këto vite. Po ky fakt, a ka ndikim?

Shikoni, gjaku blu është te “D”-ja, te stema, flamuri, emblema dhe mendja e njerëzve. Te pjesa e lojtarëve edhe unë jam koshient për atë që thoni ju, pra që ata të bëjnë një përfaqësim sa më dinjitoz duhet ta ndjejnë më shumë fanellën. Por ata që janë profesionistë e kuptojnë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë. Në përzgjedhjen e tyre besoj se lojtarëve të Dinamos, edhe pse mund t’u mungojë gjaku blu janë profesionistë dhe e dinë çfarë duhet të bëjnë më mirë.

Organizimi, në fakt, nga ana e presidentit Bardhi duket shumë serioz. Tani vëmendja është edhe te sigurimi i një kompleksi stërvitor…

Një klub që të jetë serioz duhet të ketë në radhë të parë selinë e vetë, kështu është me këmbë në tokë. Mendoj që investimin më të madh klubi i Dinamos do ta ketë te fushat, te infrastruktura. Sot pjesa më e deklaruar është ajo e biznesit dhe përderisa janë afruar biznesmenë kuptohet që në kokën e tyre është ngulitur vëmendja te perspektiva.

Dinamo nuk duhet të jetë një skuadër bredharake, një skuadër nomade. Nëse do të ringrihet klubi do të thotë që duhet t’i ketë të gjitha hallkat. Besoj se Dinamo do të jetë një klub modern. Kemi një rast të tillë, siç është Sherifi i Tiraspolit, që sot luan në grupet e Champions-it. Investimi më duket i zgjuar, me karakter largpamës, kështu që them se çdo gjë do të shkojë mirë.

Ka filluar të funksionojë edhe akademia. Çfarë mendimi keni për këtë aspekt?

Po, e kam ndjekur edhe organizimi i akademisë është shumë i mirë, ka edhe ai domethënien e vet në pjesën e perspektivës dhe përzgjedhjes së talenteve. Është pjesë e planit të biznesit, është diçka e mirë. Por kuptohet që të bësh akademi të mirë duhet të marrësh eksperiencat e Dinamos së Kievit, Dinamos së Zagrebit, Arsenalit, Ajaksit e me radhë.

Si e shikoni rivalitetin në Superiore, edhe pse gara sapo ka nisur?

Më vjen keq sepse nuk dua të përmend emra, por Egnatia dhe Kastrioti do të kenë probleme. Të gjitha skuadrat e tjera mund të synojnë pjesëmarrjen në Kupat e Europës dhe do të jetë një kampionat jashtëzakonisht i fortë, duhet të jenë shumë të vëmendshme skuadrat për të mos lënë pikë që në pamje të parë duken të sigurta. Duhet përqendrim në çdo ndeshje sepse pikët janë të arta si në fillim edhe në fund.

Do t’i ndiqni nga afër derbet e Dinamos këtë sezon?

Nëse më ftojnë drejtuesit e Dinamos, do të jem. Në fakt, i ndjek gjithmonë ndeshjet, jo vetëm Dinamon dhe Kombëtaren, por të gjitha ndeshjet sepse futbolli është bota jonë. Aq më tepër që kemi një kënaqësi më tepër me Dinamon tani. Kam parë që janë afruar shumë figura të Dinamos, Faruk Sejdini, Sulejman Demollari, Shyqyri Ballgjini e të tjerë. Edhe unë aty do të jem.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"