EKSKLUZIVE/ “Dinamo po ngrihet”, rrëfehet Ermal Barushi: Arbitrat një “pacient i sëmurë” (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2020 | 20:04

EKSKLUZIVE/ “Dinamo po ngrihet”, rrëfehet Ermal Barushi: Arbitrat një “pacient i sëmurë” (E PLOTË)

Nga asistent arbitrimi (i FIFA-s deri pak kohë më parë), në një post drejtues te Dinamo. Ermal Barushi, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, rrëfen aventurën e tij të re, projektin e rikthimit të Dinamos, por prek edhe “plagët e majisura” të një prej sektorëve më të përfolur në futbollin shqiptar aktualisht, gjykimit të ndeshjeve të futbollit. 

Barushi

Ermal, menjëherë pas tërheqjes nga arbitrimi mbeteni pjesë e futbollit, por tani si drejtues te Dinamo. Si lindi ky bashkëpunim?

Kur mendova të lija arbitrimin, kurrsesi nuk e çova ndërmend të hiqja dorë nga futbolli. Është pasioni im, brenda tij dhe arbitrimi. Doja të jepja një kontribut pozitiv në këtë fushë, i lirë dhe i pakufizuar në mendimet e mia. E them këtë, sepse duhet kuptuar që u largova vetë, por edhe në shenjë proteste.

Ata që duhet ta kuptonin, e kanë marrë mesazhin. Ndonjëherë vjen një e keqe dhe i hap rrugën një të mire. Dinamo është një dashuri e re. Ky klub ka kaq shumë probleme, por përsëri të bën ta duash me historinë e brezat e talentuar. Kam studiuar për ekonomi dhe një nga temat e diplomës ka qenë pikërisht për zhvillimin dhe ringritjen e klubeve të futbollit. Kam punuar në administratë për shumë vite dhe jam pajisur dhe me licencën e drejtorit sportiv.

Pse vendosët t’i bashkoheni një klubi që vitet e fundit ka pasur vështirësi të mëdha në çdo aspekt? 

Drejtuesi i ri, z.Marko Pontreli, ishte i interesuar të afronte rreth klubit njerëz që e njohin futbollin. Kemi miq të përbashkët, njerëz të suksesshëm që na prezantuan dhe sot jam njeriu i tij më i afërt në këtë lloj aktiviteti. Kush mund ta refuzojë Dinamon, është nder të veshësh fanellën me logon e saj e jo më të jesh drejtues.

Dinamo aktuale është familje e re, me ata pak tifozë besnikë që e ndjekin në çdo ndeshje, por me shumë të tjerë që mezi presin ringritjen. Në fakt, me probleme të mëdha nuk është vetëm Dinamo, por i gjithë futbolli shqiptar. Dinamo është thjesht një zonjë e rëndë në mes të 4 rrugëve që pret ndryshimin dita-ditës. Të mos harrojmë se para shumë vitesh dominonte futbollin shqiptar në çdo aspekt.

 Cili është projekti konkret i drejtuesve të rinj të Dinamos? 

Një nga arsyet që u afrova pranë këtij klubi janë idetë e qarta të z.Pontreli, i cili kërkon ta kthejë ikonën e futbollit shqiptar aty ku e ka vendin, një markë të rëndësishme pse jo dhe ndërkombëtare, jo thjesht një skuadër futbolli, por një shoqëri të mirëfilltë ekonomike, që të kontribuojë pozitivisht në zhvillimin e futbollit shqiptar.

Idetë janë të qarta, njerëz profesionistë, klub dhe biznes, ose më saktë ring ritja nga A-ja e një klubi legjendë në vend. Z.Pontreli është njohës shumë i mirë i futbollit, një ish-futbollist dhe me mbështetje të gjerë nga drejtues klubesh në Itali. E sheh Dinamon si një fidanishte të madhe për brezin e ri.

Kalojmë tek arbitrimi. Pse vendosët të tërhiqeni kaq shpejt?

E thashë që në fillim në një farë mënyre, u detyrova, duke zhgënjyer mbase ata që e dinë natyrën time këmbëngulëse. E kisha marrë vendimin kohë më parë, u largova në shenjë proteste ndaj atyre që nuk e shohin realitetin me sytë e tyre, por me sytë e disa agallarëve që pengojnë punët të shkojnë mbarë për interesa personale, jashtë interesit të komunitetit të arbitrimit. Ky nuk është vetëm mendimi im, të gjithë arbitrat mendojnë si unë, por edhe shumë miq që nuk janë më pjesë e arbitrimit. Besoj se për çështje kohe gjërat do ndryshojnë.

Barushi

Si funksionojnë aktualisht hallkat e gjykimit, ku duket se kohët e fundit ka shumë probleme?

Nuk është e rëndësishme të hyj në detaje. Dua t’u jap një mesazh drejtuesve të sektorit pranë FSHF-së se duke respektuar arbitrat, respektojnë veten, duke i mbështetur kanë mbështetjen e tyre dhe duke i stimuluar e trajtuar si një skuadër të rëndësishme, do të marrin benefitet nga puna e tyre. Ndërsa duke i lënë pas dore, denigruar dhe përbuzur, pa përkrahje, gjërat kurrë nuk do shkojnë mirë. Ky është realiteti, njerëzit janë të pakënaqur, arbitra, drejtues dhe vëzhgues të gjithë ankohen. Duhet ndryshim, sepse po nuk u “mjekuan”, arbitrat janë si një i sëmurë që nuk ka shpëtim. Duhet t’u kthehet besimi arbitrave, t’i jepen meritat secilit prej tyre. Futbolli në Shqipëri po mundohet të shkojë drejt profesionalizmit, kurse arbitrimit i ka humbur historia.

Cili është problemi kryesor? 

Problemi kryesor, sipas meje, është Shoqata e Arbitrave, që duhet të jetë e pavarur. Asaj i ka humbur zëri. Z.Kastrati është një njeri i ndershëm, por nëse kërkon të lërë gjurmë në arbitrim, duhet të mbledhë të gjithë arbitrat, ish-arbitrat, vëzhguesit dhe ish-vëzhguesit për të riorganizuar shoqatën, të afrojë rreth vetes njerëz të rinj, me energji.

Duhet të afrojë në kryesi arbitrin më të mirë dhe ta bëjë pjesë të vendimmarrjes. Duke pasur në kryesi një arbitër, ke më shumë njohuri për atë që ndodh. Të kopjojmë nga Italia punën e Shoqatës së Arbitrave, të krijohet një grup elitar arbitrash dhe të investohet për shumë kohë tek ata, të shkurtohen listat dhe të mos ketë ndërhyrje.

Pas tërheqjes suaj pati shumë reagime edhe nga specialistë të fushës…

Në momentin e largimit nuk e prisja gjithë atë mbështetje. Ne mendojmë se njerëzit nuk e njohin problemin, por gabojmë. Ata në brendësi janë të zhgënjyer. Shumë arbitra në atë kohë më mbështetën, por nuk kishin guximin të bënin qoftë edhe një koment në “Facebook”. Ata mund ta pësonin nëse mbështesnin “një njeri kontradiktor”, nofkë që e mora nga një drejtues i lartë. barushi

A ka meritokraci te klasa arbitrare aktualisht?

Meritokraci? Si në çdo fushë të jetës në Shqipëri, si mund të shpëtojë futbolli. Nuk ka meritokraci. Dua të them se çdo i ri, kur futet në arbitrim ka një mbështetje, por kjo duhet të jetë deri në një nivel të caktuar. Më lart është “vija e kuqe”, duhet të hyjë vetëm më i miri, sepse nuk është vetëm çështje arbitrimi, por edhe imazhi. Sot futbolli është komercial dhe një presidenti klubi nuk i intereson miku i kujt është Barushi, atij i intereson të mos i dëmtohet ekipi i tij.

 A e bëjnë si duhet drejtuesit e sektorit të gjykimit dhe ata të shoqatës. Kjo e fundit, si funksionon? 

Ne mundohemi ta shesim sikur çfarë kemi bërë, por situata në arbitrim nuk është e mirë. Nuk ka sens, është ekipi që ka financat më të garantuara në futbollin shqiptar dhe shkon keq. Si ka mundësi? Atëherë është problemi i stafit. Përzgjedhja, përgatitja teorike, fizike dhe mentale, diçka nuk shkon. Duhet të ikim nga modeli “ta heqim dhe këtë javë”, duhet menduar për të ardhmen. Arbitri më i vjetër sot është 42 vjeç… Pse? Ose këtu nuk ka burra, ose ky sistem nuk kërkon ta rritë produktin e vet, e lë të shkojë vetë ose e hedh në rrugë. Kemi rastin e Lorenc Jeminit apo ndonjë tjetër. Këtu kërkohet cilësi dhe kështu është e pamundur.

Pse ka shumë gabime dhe presion mbi gjyqtarët? 

Tani jemi në një fazë të nxehtë të kampionatit dhe natyrisht do të ketë polemika. Vetë loja e futbollit prodhon mundësi, raste shënimi dhe do të ketë polemika. Por çështja është se njerëzit dhe drejtuesit nuk kanë besim. Kjo është hallka më e rëndësishme në këtë moment, besimi. Drejtuesit e klubeve nuk merren me anën teknike, por një pjesë të mirë të kohës e harxhojnë kush është arbitër e kush nuk është. Përgjigjen më të mirë e jep opinioni.

FATJON RUPI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"