EKSKLUZIVE/ Dinamo përforcon repartin ofensiv, kryeqytetasit firmosin për 3 vite me sulmuesin 23-vjeçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2023 | 8:31

EKSKLUZIVE/ Dinamo përforcon repartin ofensiv, kryeqytetasit firmosin për 3 vite me sulmuesin 23-vjeçar

Amarildo Gjoni ka firmosur për Dinamon. Sulmuesi do të jetë pjesë e saj për tri vitet e ardhshme dhe nga drejtuesit e klubit konsiderohet një afrim me peshë. Akordi është arritur me kohë, por tashmë ka ardhur edhe nënshkrimi i kontratës 3-vjeçare mes palëve.

amarildo gjoni

Lojtari ishte në tribunën e stadiumit “Selman Stërmasi” për ndeshjen me Luzin 2008. 23-vjeçari është njohur me skuadrën e tij të re dhe vjen te kryeqytetasit për të lënë gjurmë, dhe pse jo, edhe për ta shfrytëzuar këtë rast si një trampolinë për të ardhmen.

Nga burime të “Panorama Sport”, mësohet se ai që ka luajtur me të rinjtë e Laçit para se të kalonte në Itali, ka pasur oferta nga Shqipëria edhe sezonin e kaluar. Më konkretisht, ishte Tirana që pati kontakte, por një vit më parë Gjoni nuk preferoi të lëvizte.

Tani ka pranuar ofertën e bluve për të luajtur pak muaj në Kategorinë e Parë dhe pastaj në Superiore. Ai luan në rolin e sulmuesit të qendrës, ku blutë kanë pasur mangësi deri tani.

Karriera e tij, ashtu si në rastin e Ndreut, sulmuesit tjetër që blutë kanë afruar në merkaton e dimrit, është e lidhur me Italinë, me disa skuadra të kategorive inferiore të vendit fqinj.

Lojtari ka veshur fanellat e San Xhuzepes, Aurora Lenjanos, Arçelas, Montebelunas, Kartiljanos dhe Kjarlins Muzane. Tani vjen në klubin e dytë më të titulluar në Shqipëri me pritshmëri të mëdha. Drejtuesit e Dinamos kanë shumë besim sekanë bërë lëvizjen e duhur për të fuqizuar sulmin jo vetëm për pjesën e mbetur të këtij sezoni, por edhe për përfaqësimin në elitë.

MERKATO – Deri në mbylljene merkatos te Dinamo pritet edhe ndonjë afrim tjetër. Për portën pritet që të mbylletgjithçka me italianin Luka Krosta, 24-vjeçarin e dalë nga akademia e Milanit dhe që sëfundi ka luajtur në Greqi. Por ka gjasa të ketë edhe një lëvizje tjetër befasuese nga klubi kryeqytetas, që gjithsesi nuk dëshiron të bëjë veprime të nxituara.

Në anën tjetër, lëvizje ka edhe në dalje. Braziliani Diogo da Silva mësohet se ka marrë dokumentacionin përkatës nga Dinamo dhe tashmë është një futbollist i lirë.

E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me Ali Samaken, ose ndoshta ky lojtar mund të huazohet në vazhdim të kampionatit.

Skuadra ndërkohë u është kthyer stërvitjeve dhe ka nisur punën për ndeshjen e kthimit në Kupë me Kastriotin. Seanca është drejtuar nga trajneri Nevil Dede, i cili mungoi në ndeshjen me Luzin për shkaqe familjare, pasi nëna e tij ndërroi jetë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"