EKSKLUZIVE/ Dinamo nuk mjaftohet me goditjen dyshe në merkato, tenton heroin e Ballkanit në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2023 | 23:39

EKSKLUZIVE/ Dinamo nuk mjaftohet me goditjen dyshe në merkato, tenton heroin e Ballkanit në Europë

Goditje e dyfishtë e Dinamos në merkato. Blutë kanë arritur akordin me mbrojtësin Realf Zhivanaj, që vjen nga Tirana dhe me sulmuesin Amarildo Gjoni, që vjen nga Italia. Firmat nuk janë hedhur ende zyrtarisht, por palët kanë rënë dakord për bashkëpunimin mes tyre.

zhivanaj

Kryeqytetasit përforcojnë kështu mbrojtjen dhe sulmin, ndërkohë që merkatoja mbetet e hapur dhe pritet të sjellë të tjera surpriza për skuadrën e drejtuar nga trajneri Nevil Dede. Si pjesë e Dinamos në vazhdim, është konfirmuar edhe sulmuesi 18-vjeçar, Alen Ndreu.

ZHIVANAJ – Mbrojtësi 24-vjeçar vetëm para pak ditësh mbylli bashkëpunimin me Tiranën, ku fitoi titullin kampion dhe Superkupën. Dinamo ka shfrytëzuar rastin, ndërsa lojtari ka preferuar 18 herë kampionët e vendit, të cilët janë kandidatët kryesorë për ngjitjen në Superiore. Gazeta mëson se Dinamo dhe Zhivanaj kanë rënë dakord për kontratë 2 vite e gjysmë.

Zhivanaj ishte pjesë e Tiranës dy sezonet e fundit, ndërsa më parë ka luajtur për Kastriotin, Tërbunin dhe Vorën. Gjatë edicionit aktual ai ka pasur një aktivizim të paktë me bardheblutë, duke luajtur vetëm në 3 ndeshje, 120 minuta në total. Te blutë duhet të luftojë me Diksonin, Mijën, Imamin dhe Samaken për një vend titullari.

GJONI – Amarildo Gjoni është afrimi tjetër i Dinamos. Sulmuesi 23-vjeçar ka dalë nga të rinjtë e Laçit dhe më pas e gjithë karriera e tij ka vazhduar në Itali, me skuadra të Serisë D, si San Xhuzepe, Aurora Lenjaro, Arçela, Montebeluna dhe së fundi Cjarlins Muzane. Aktualisht ai kishte disa propozime nga skuadra të Serisë C në vendin fqinj, por ka zgjedhur të veshë fanellën e Dinamos, me të cilën mund të ketë shansin të provojë Superioren sezonin tjetër.

Për këtë futbollist nuk bëhen të ditura ende detajet e kontratës, por gjasat janë që edhe ai të firmosë marrëveshje afatgjatë me blutë. Sulmuesi, 1.85 metra i gjatë, kërkon “shpërthimin” në vendin e tij me skuadrën dinamovite. Me Gjonin dhe Ndreun shtohen alternativat e sulmit për trajnerin Dede. Janë të dy lojtarë të rinj, të cilët në të ardhmen mund të fuqizojnë ndoshta edhe arkat e klubit kryeqytetas.

FRASHËRI – Dinamo po kërkon edhe një portier në merkaton e janarit. Pas largimit të Simon Simonit në Gjermani, te blutë lindi nevoja edhe për një portier tjetër. Nuk është emergjencë, sepse kryeqytetasit kanë Edvan Bakajn, por duhet edhe një “gardian” tjetër për të shmangur çdo të papritur në një kampionat të gjatë dhe gjithashtu për t’i paraprirë sezonit të ardhshëm.

ballkani 1

Gazeta mëson se në listën e kandidatëve, pasi janë disa të tillë, është edhe korçari Stivi Frashëri, së fundi pjesë e Ballkanit në Kosovë. Ai është një portier me shumë përvojë, që e njeh shumë mirë kampionatin shqiptar, ku 32-vjeçari ka veshur fanellat e Bylisit, Tiranës, Teutës, Kukësit dhe Flamurtarit. Mes palëve ka pasur kontakte dhe mbetet të shihet se çfarë përfundimi do të kenë. Blutë po shohin ndërkohë edhe portierë të tjerë jashtë vendit, për të bërë në fund zgjedhjen më të mirë të mundshme.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"