EKSKLUZIVE/ “Dinamo një markë, do mbijetojmë”, ish-juventini Kamarata: Dikush do të na destabilizojë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2020 | 18:39

EKSKLUZIVE/ “Dinamo një markë, do mbijetojmë”, ish-juventini Kamarata: Dikush do të na destabilizojë…

U bënë disa muaj që jeton në Shqipëri, mad je edhe karantinën e ka kaluar në Tiranë ish-juventini Fabricio Kamarata, trajneri i Dinamos. Ndihet më i qetë pas fitores me Burrelin, megjithatë pranon se lufta e mbijetesës mbetet shumë e fortë dhe kërkon maksimumin në çdo ndeshje të mbetur.

Fabricio Kamarata

Për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi tregon së pari si ndihet në kryeqytetin shqiptar, më pas pse vendosi të vijë të drejtojë Dinamon që vuan në inferiore, situatën në skuadër dhe planet për të ardhmen:

“Para së gjithash, dua të them se në Shqipëri jam ndierë shumë mirë. Kam zbuluar një qytet që nuk e njihja dhe jam shumë i kënaqur. Në Tiranë jetohet shumë mirë, njerëzit janë të sjellshëm. Është diçka e ngjashme me italianët në këtë aspekt, kam gjetur një ambient shumë të mirë këtu”, thotë Kamarata.

PSE TE DINAMO – “Në aspektin e futbollit, kam gjetur lojtarë të motivuar. Në fillim ishte e vështirë, kishim një grup të reduktuar, pastaj klubi ndërhyri në merkaton e janarit për lojtarë. Jemi marrë vesh shumë mirë me drejtuesit. Kam fatin të punoj në një klub të famshëm në Shqipëri, një klub historik. Qëllimi ynë është ta kthejmë në nivelin më të lartë, të pasurojmë historinë e saj. Nuk është e lehtë, por janë të gjitha mundësitë për lart, ka një projekt serioz për ta çuar këtë emër aty ku i takon. Kam pasur përvoja jashtë Italisë, në Oman dhe në Rusi.

kamarataa

Kur më telefonuan, u informova për Dinamon dhe pranova menjëherë, sepse është një emër i madh, është një markë. Ka një projekt serioz nga presidenca. Nuk mund t’i thosha ‘jo’ një emri të tillë. E kam të qartë se nuk është e lehtë, sepse fillon çdo gjë nga zero. Për këtë them se duhet durim, nuk është se nga një ditë në tjetrën gjithçka bëhet dhe duhet të nisemi nga poshtë. Është sikur ndërton një shtëpi të re, duhen së pari themelet. E konsideroj një përvojë të rëndësishme. Kur erdha, s’kishim pikë dhe objektivi ishte të ndërtonim një grup solid për mbijetesën”.

EKIPI I BASHKUAR – “Ka momente të mira dhe të vështira, duam ta shpëtojmë Dinamon e më pas do të jetë gjithçka më mirë. Jemi disa ekipe ngjitur dhe çdo ndeshje është finale për ne. Nuk mund të humbim me rivalët, por jemi të bindur se mund t’ia dalim. Skuadra mund të bëjë më mirë dhe e rëndësishme është se grupi është i bashkuar dhe lufton për një qëllim. Situata në skuadër është shumë e mirë.

Po përfitoj nga kjo intervistë të them se kemi një grup fantastik. Kur erdha në fillim, lojtarët ishin të pastërvitur, por kemi punuar shumë. Të dielën ndodhi ai episod, pati një debat në dhomat e zhveshjes dhe kjo është pjesë e futbollit. Erdhi përfaqësuesi i klubit dhe kërkoi më shumë impenjim, sepse nuk po dilnim te goli. Janë momente të rëndësishme dhe luhet më shumë me nervat, i tillë është futbolli në javët e fundit.

Ai kërkoi përqendrim dhe kjo është plotësisht normale, do të ndodhë sërish. Drejtuesit nuk kanë hyrë kurrë në anën teknike, këtë dua ta saktësoj. Janë diskutime që bëhen gjithmonë në futboll, janë situata normale, që do të thotë se kërkohet nga të gjithë të arrihet objektivi”.

DINAMO

AKUZAT – I ngacmuar për akuzat e ish-zëdhënësit Muhametaj se italianët janë mashtrues, Kamarata përgjigjet: “E thashë, te Dinamo gjithçka funksionon shumë mirë, nuk ka probleme dhe grupi është i bashkuar. Pastaj, nëse dikush, një ish-drejtues apo ku e di unë, do të destabilizojë Dinamon, nuk na intereson.

Më intereson që jemi një skuadër e bashkuar, një klub serioz, me pagesa të rregullta, me projekte të rëndësishme për të ardhmen. Po të ishte e kundërta, kjo kompani nuk do të vinte këtu për të marrë një qendër sportive. Shoqëria po bën gjithçka që të jemi sa më mirë dhe klubi është i shëndoshë”, përfundon Kamarata, i cili shpreson të vazhdojë sa më gjatë në stolin e Dinamos, duke besuar se me të ky ekip do të hapë një faqe të re në histori.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"