EKSKLUZIVE/ “Dinamo më bind”, Xhafa: Do ngjitet, ja cilët janë rivalët kryesorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2022 | 8:24

EKSKLUZIVE/ “Dinamo më bind”, Xhafa: Do ngjitet, ja cilët janë rivalët kryesorë

Erjon Xhafa është një nga ata që e njohin mirë ambientin dinamovit. Ai ka dalë nga shkolla blu e futbollit, teksa ka luajtur për 18 herë kampionët dhe për më tepër në sezonin e kaluar ishte pjesë e stafit teknik, fillimisht me Bledar Devollin dhe më pas me italianin Rodolfo Vanoli.

xhfa

Ish-mbrojtësi e vlerëson pozitivisht sezonin e Dinamos dhe evidenton faktin që klubi ruajti një bazë lojtarësh. Për rivalitetin, Xhafa thekson se gara mbetet me Flamurtarin, që atë e ka impresionuar, por pa harruar Skënderbeun. Kurse për Dinamon e sezonit të ardhshëm, ai propozon një merkato me lojtarë funksionalë.

ECURI POZITIVE “E përgjithshmja është pozitive për këtë sezon. Po bëhet një punë e mirë dhe kryesorja është se është ruajtur një bazë grupi, sepse duhej të kishte një bazë pas asaj që ndodhi në Superiore. Duhej ruajtur një pjesë e skuadrës dhe përforcimet që janë marrë duket që kanë lojtarë, të cilët e njohin këtë kategori dhe po kontribuojnë për Dinamon. Ekipi po ecën mirë dhe humbja me Flamurtarin nuk bëri dramë, sepse i tillë është futbolli. Duhen kaluar, duke bërë analizat e duhura nga stafi, pjesa tjetër duhet të jetë e qetë. Duhet të ketë besim, sepse Dinamo, pavarësisht ndonjë luhatje që e ka çdo skuadër në botë, do ta arrijë objektivin që ka”, është shprehur për “Panorama Sport” ish-futbollisti i Dinamos, i cili luajtur në rolin e qendërmbrojtësit.

RIVALITETI Më tej, Xhafa shton se priste një garë treshe për Superioren, pasi llogariste edhe Skënderbeun, ndërkohë që e ka impresionuar Flamurtari. “Kategoria e Parë është e fortë, është një kategori e egër. Ndoqa nga afër ndeshjen me Flamurtarin dhe më bëri shumë përshtypje ekipi vlonjat. Nuk e di a ishte ai realiteti i Flamurtarit, apo ishte Dinamo në ditë të keqe, por më bëri shumë përshtypje pozitive ajo skuadër. Pra, rivali kryesor është Flamurtari, por pa harruar Skënderbeun, që ka pasur luhatjet e veta. Para nisjes së sezonit, e mendoja një luftë treshe mes Dinamos, Flamurtarit dhe Skënderbeut, por momentalisht janë dy të parët. Skënderbeu nuk duhet nënvlerësuar, sepse ka cilësinë dhe eksperiencën për të rivalizuar”, ka thënë më tej 40-vjeçari.

MERKATO Për dinamovitin është e rëndësishme që blutë të ruajnë bazën me të cilën arrin një sukses dhe pastaj të përforcohen për përfaqësimin në elitë me lojtarë funksionalë. “Mendoj që Dinamo ka një skuadër kompetitive për të arritur Superioren. Në një moment të dytë pastaj, pasi të sigurohet objektivi, sepse e thashë që është kategori e egër, duhen bërë gjërat me shumë durim dhe seriozitet. Eksperienca e vjetshme tregoi se Dinamo u mendua për shumë lart dhe pati një tjetër fund. Nëse e siguron Superioren, duhen bërë përforcime, nuk duhet revolucion total. Nuk duhet bërë i njëjti gabim që u bë një vit më parë, që u larguan të gjithë lojtarët. Duhet gjithmonë një bazë. Baza duhet të jetë me ata që skuadra siguron një sukses dhe ngjitja në Superiore është një sukses. Aty ku gjatë vitit janë parë defekte, duhet të merren lojtarë, por lojtarë funksionalë, jo thjesht lojtarë cilësorë me emër. Duhen lojtarë në bazë të asaj që kërkon stafi teknik në bazë të skuadrës dhe skemës që mendon të ndërtojë”, ka përfunduar Xhafa.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"