EKSKLUZIVE/ Dinamo “mbret” i merkatos, akord me mbrojtësin shqiptar të Lokomotivës së Zagrebit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2021 | 14:43

EKSKLUZIVE/ Dinamo “mbret” i merkatos, akord me mbrojtësin shqiptar të Lokomotivës së Zagrebit

Dinamo nuk di të ndalet në merkaton e verës dhe duket se po fiton çdo duel ndaj rivalëve dhe veçanërisht ndaj Partizanit. Pas Redon Mihanës dhe Mario Gjatës, që ua “rrëmbeu” të kuqve në momentet e fundit, duke arritur akordin për kartonin me Apoloninë, tashmë një tjetër objektiv i merkatos së “demave” pritet të zyrtarizohet si përforcimi i radhës i bluve.

Maliqi

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se mbrojtësi i djathtë, Edis Maliqi, i cili u bë i njohur në kampionatin shqiptar si pjesë e Kukësit për dy sezone (2018- 2019 dhe 2019-2020), do të firmosë këto ditë për “nëndetësen”.

Gazeta mëson se me lojtarin është arritur marrëveshja, ndërsa pritet edhe OK-i i klubit të Lokomotiv Zagrebit, që ka nën kontratë Maliqin.

Aktualisht po diskutohen detajet e fundit të formulës së transferimit dhe nuk është çudi që Maliqi të prishë përfundimisht kontratën me kroatët dhe të vijë si lojtar i lirë te kryeqytetasit e rikthyer në Superiore.

Dinamo ka aktualisht në përbërje dy lojtarë në krahun e djathtë të mbrojtjes, pikërisht maqedonasin Goran Siljanovski dhe Dorian Kërçikun.

Ky i fundit vuan një dëmtim prej javësh dhe nuk dihet ende se kur do të jetë i gatshëm për trajnerin Shkëmbi.

Për t’i paraprirë një situate emergjente, kësisoj drejtuesit blu kanë marrë menjëherë masat duke arritur akordin me Maliqin. Deri më tani pjesë e 18 herë kampionëve të vendit janë bërë plot 22 lojtarë.

EDIS MALIQI

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"