EKSKLUZIVE/ Dikur sfidonte Bajernin, Mirel Josa: Ju tregoj pse Kukësi ka shanse (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2020 | 18:50

EKSKLUZIVE/ Dikur sfidonte Bajernin, Mirel Josa: Ju tregoj pse Kukësi ka shanse (E PLOTË)

Kukësi sfidon Volfsburgun sot dhe diferencat janë realisht të mëdha, por dikur skuadrat shqiptare janë përballur me më të mëdhenj se kaq. Madje, edhe i kanë eliminuar gjermanët, siç ka ndodhur me Flamurtarin që kalonte turin me Erzebirge (Vismut Aue). Por përballja më e bujshme është padyshim ajo e vitit të largët 1989, kur Tirana ndeshej dy herë me gjigantët e Bajernit të Mynihut, që ashtu si sot, ishin një skuperskuadër në arenën europiane. Kryeqytetasit u mundën në të dyja takimet (3- 0 dhe 3-1), por ishte koha kur në Shqipëri elita e futbollit tonë lumturohej edhe me një top të mirë apo një veshje “Adidas” origjinale. Këto i rrëfen një ndër protagonistët e atyre 180 minutave, Mirel Josa.
mirel-josa-933x445
Ish-futbollisti i shquar i bardhebluve tregon edhe se si bavarezët i ndihmuan kur konstatuan gjendjen e mjerueshme të futbollit tonë. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 57-vjeçari bën një “skaner” edhe për dy ndeshjet e tjera të Ligës së Europës, Teuta-Granada dhe Laçi-Hapoel Ber Sheva. Kurbinasit i konsideron si skuadrën me më shumë shanse për të kaluar turin mes tri shqiptareve.

Nga Tirana-Bajern te Kukësi-Volfsburgu, a janë thelluar diferencat mes shqiptarëve dhe gjermanëve në këto 3 dekada?
I shoh shumë të ngushta diferencat. Ekipet, përveç organizimit të kompeticioneve, kanë ndryshuar shumë taktikisht. Nuk mund ta krahasosh Bajernin e atëhershëm me këtë të sotmin, e aq më pak Volfsburgun. Atëherë, të binte që në tur të parë ndeshje e fortë. Nuk kishte as grupe e asgjë… Ne na vendosi shorti në 1989-ën në tur të dytë me bavarezët, pasi eliminuam ekipin maltez Sliema. Në këtë prizëm, e shoh të vështirë që të bësh krahasime.
Kukesi5
A ka shanse Kukësi që ta kalojë këtë tur?
Që të mbetemi te diferencat, unë dallime mund të bëj edhe me formatin që kanë Kupat e Europës këtë vit. Po luhen teke dhe me një ndeshje “knock out”, mund të ndodhë gjithçka. Do të luhet në fushën tonë, por gol në fushë kundërshtare nuk ka dhe ky është një favor për Kukësin, pavarësisht diferencave në buxhet apo në cilësi lojtarësh, që normalisht anojnë nga ana e Volfsburgut. Me pak kujdes, jam i sigurt që do të bëjnë një paraqitje dinjitoze. Pse jo, mund të provojë edhe kualifikimin. Ne e pamë se ç’ndodhi në Tirana-Crvena Zvezda.

Ju me të drejtë përmendni favorin e një ndeshjeje të vetme, por me sistem vajtjeardhje mund të kualifikohesh edhe me barazime…
E vërtetë është kjo. Ndeshja mund të fitohet me 90 minuta, por mund të shkojë edhe në 120. Kështu që, unë them se Kukësi do të zgjedhë strategjinë e kujdesit nesër (sot). Nëse e bën, do ketë shanse. Edhe me Slavia Sofien e bëri dhe me të drejtë, pasi kishin bërë shumë ndryshime në skuadër nga trajneri e në organikë. Gjithsesi, unë kam shumë besim që Kukësi do të bëjë mirë ndaj gjermanëve.

Le të kthehemi 31 vite pas. Çfarë mban mend Mirel Josa nga ato ndeshje me Bajernin?
Shkuam në Mynih dhe luajtëm ndeshjen e parë. Bëmë shumë mirë dhe erdhëm këtu me mendjen se mund të bëjmë ndonjë surprizë. Atëherë ishte Bajern me lojtarë si Augentaler, Mihajloviç e Bah. Atje humbëm në pjesën e parë 2- 0, por ngushtuam shifrat në të dytën. Agustini më dha mua një pasim dhe unë nxora Mingën vetëm për vetëm me portierin dhe ai goditi saktë. Një penallti e dhënë nga arbitri finlandez, që më duket e shkaktoi Riza dhe duhet thënë që ato jepeshin rrallë në atë kohë. Tani mund të jepet shumë thjesht dhe na bëri që të besonim pak, sidomos në ato 20-25 minuta që humbëm shumë raste atje. Humba unë një rast, Riza një tjetër dhe kjo na bëri që të besonim. Kur i pritëm në Shqipëri, nëse nuk gaboj, pjesën e parë e humbëm 2-0 dhe ishte një ndeshje që u luajt në një fushë shumë të keqe në stadiumin “Qemal Stafa”, sepse aty ishte zhvilluar manifestimi i spartakiadës. Bajerni e solli shumë shpejt ndeshjen në metrat e veta, aty ku donte.

Ju ka mbetur ndonjë peng nga ato dy ndeshje?
Pengu im i vetëm ishte që nuk e shënuam edhe një gol në Gjermani. Pasi e çuam rezulton 2-1 në pjesën e dytë, kemi luajtur vërtet një futboll shumë të mirë. Por, ai ishte Bajern i Mynihut. Unë kam shumë kujtime nga ajo ndeshje, sepse filluam të mbanim korrespondencë me lojtarët e tyre, të cilët na ndihmuan shumë.

Si ju ndihmuan?

Bajerni i Mynihut në atë ndeshje na ka sjellë komplet bazën materiale nga “Adidas” dhe ne me to vazhduam kampionatin pastaj. Na i sollën dhuratë. Më duhet të përmend këtu disa gjëra të tjera, sepse këta të ambasadës nuk ranë dakord për t’i paguar përgjysmë. Ne gjysmën e kishim gati, por ata pastaj na i sollën të gjitha materialet dhuratë, duke filluar nga këpucë, tuta e uniforma. Vetëm se uniformat na i sollën të bardha sepse nuk kishte me vija të “Adidasit”.

Laci

Por nesër (sot) luajnë edhe Laçi me Teutën. A është Granada e panjohura e madhe?

Granada ka përfaqësimin e parë në Europë, nga sa pashë në media. E ndoqa javën e parë me Atletikon e Bilbaos dhe pasi bëri një pjesë të parë shumë të keqe, të dytën e ndryshuan komplet lojën. Ishte një ekip shumë i shpejtë, impulsiv dhe që ushtronte presing kur skuadra kundërshtare donte të ndërtonte. Dhe nga aty filluan komplet kundërsulmet e shpejta të Granadës, që ia mori ndeshjen Atletikos së Bilbaos. Ishte një skuadër shumë e disiplinuar në aspektin mbrojtës dhe goditi në momente të caktuara. Ka marrë dy lojtarë shumë të mirë, një mesfushor qendre shumë të mirë me nr. 5 (Mila), që shënoi edhe golin e dytë ndaj Bilbaos. Ishte shumë punëtor, lojtar që godiste portën nga larg.

Kanë mundësi durrsakët?

Teutën mund ta favorizojë pak stadiumi “Niko Dovana” dhe nëse do të jetë e kujdesshme, mund të bëjë paraqitje të mirë. Si një njeri i jashtëm, mendoj se nuk kanë pretendime që të kualifikohen. E megjithatë, ata që janë në brendi të klubit e dinë më mirë. Granada është skuadër që ka njëfarë hopi cilësor këto dy vitet e fundit, edhe vjet qëndroi me shumë dinjitet në La Liga.

Për të mos e lënë në harresë Laçin, ata përballë kanë Hapoel Ber Shevën…

Kam shumë besim se nuk do të ndodhë ajo që u ndodhi vjet me Hapoel Ber Shevën. Laçi ka shanset më të mëdha për t’u kualifikuar.

Nga të tria ekipet që do të luajnë nesër (sot), ju thoni që Laçi ka më tepër shanse?

Po. Laçit i jap më shumë shanse, sepse në fund të fundit ka bërë dy ndeshje me këtë skuadër përpara një viti. Unë kështu e shoh.

Josa1

Menaxherë e skautë të klubeve më të mëdha botërore e kanë “fokusin” te këto ndeshje. Çfarë shansi është ky për të rinjtë që mund të ndiqen nga ekipe perëndimore e aziatike?

Është një shans sigurisht, por duhet që të mos futen në fushë me mendimin: “Ne jemi lojtarë të rinj dhe do të luajmë për t’u evidentuar individualisht”. Skuadrat që duan të të marrin shohin jo vetëm anën individuale të lojtarëve, por edhe se si këta elementë shkrihen me grupin. Qoftë në Spanjë e Gjermani, përveç individëve, shohin edhe se si funksionojnë këta lojtarë në varësi të skuadrës. Kjo është këshilla ime, që të japin maksimumin për fanellën që mbajnë veshur dhe të punojnë për skuadrën dhe jo për veten. Skuadra që do të të marrë, të merr në këtë formë…

Po për trajnerët, është kjo një lloj reklame. Mund të ndodhë që një ekip azerbajxhanas, qipriot apo bullgar të piketojë një shqiptar për stolin kur bën diçka në Europë?

Problemi i trajnerëve këtu te ne është komplet ndryshe. Ajo varet nga marrëdhëniet që kanë ata me njerëzit që drejtojnë klubet. Kështu që, unë nuk e shoh shumë “shans” për trajnerët. Normale që të tre po e bëjnë shumë mirë punën e tyre, duke filluar nga Gega, Cungu apo Martini. Këtë stabilitet mes presidentit dhe stafit e shoh më shumë te Laçi. Unë u uroj suksese stafeve drejtuese dhe stafeve teknike.

JETMIR HALILAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"