EKSKLUZIVE/ Dikur i jepte titullin Dinamos, “heroi” i 2008-ës: Kujtimi më i bukur që kam në karrierë, por sot i mund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2023 | 9:38

EKSKLUZIVE/ Dikur i jepte titullin Dinamos, “heroi” i 2008-ës: Kujtimi më i bukur që kam në karrierë, por sot i mund

Në memorien e tifozëve të një skua dre mbeten të stampuara momentet më të rëndësishme të skuadrës së zemrës. Sidomos kur bëhet fjalë për ndeshje dhe gola titulli kampion, siç ka ndodhur pas viteve ‘90 dy herë me Dinamon, që e ka fituar titullin kampion në Superiore me “fotofinish”.

ferraj vs partizani

Në fillim me golin e Klodian Asllanit në Shkodër ndaj Vllaznisë (0-1) dhe pastaj, në 2008-ën, me golin e Nertil Ferrajt ndaj Partizanit (1-2). Rasti i dytë është mjaft interesant, sepse blutë luanin me 9 lojtarë në fund.

Protagonisti i atij goli vendimtar kthehet sot në po atë stadium, “Selman Stërmasi”, por si kundërshtar. Vite më parë i shpallte kryeqytetasit kampionë të vendit, teksa shënonte në portën e Orges Shehit në shtesë, kurse tani si lojtar i Luzit 2008 kërkon ta mundë. Futbollisti 35-vjeçar bëhet nostalgjik para këtij 90-miutëshi.

Për “Panorama Sport”, kujton ndeshjen e 15 viteve më parë dhe golin në shtesë. Mesfushori shprehet se Dinamon e do gjithmonë në elitën e futbollit shqiptar, edhe pse sot kërkon t’i bëjë “keq” me Luzin e tij.

“Ai gol që kam shënuar për Dinamon ndaj Partizanit në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ është kujtimi më i bukur që kam nga futbolli. Është momenti më i veçantë që kam përjetuar në karrierë. Të shënosh në ndeshjen e javës së fundit të kampionatit, ku në lojë është titulli kampion, nuk harrohet lehtë. E kujtoj shpesh. Ndeshja e nesërme (sotme)? Vij si kundërshtar dhe dua që të fitojë skuadra ime, Luzi, por do të uroja që në fund të kampionatit të dalë Dinamo kampione. Dhe jo vetëm në Kategorinë e Parë, por dëshiroj që shumë shpejt të dalë kampione edhe në Superiore. Luzi deri tani ka bërë një kampionat të mirë, jashtë pritshmërive të opinionit sportiv. Unë do të thosha se ka disa djem shumë të talentuar, që çdo ekip tjetër duhet t’i vlerësojë. Për mendimin tim, Kategoria e Parë është një trampolinë e mirë për çdo futbollist që nuk ka pasur mundësinë të luajë ndoshta në ekipet e Superiores. Dhe ka shumë futbollistë që kanë spikatur së pari në këtë kategori, i fundit është rasti i Skukës”, ka thënë Ferraj për gazetën.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"