EKSKLUZIVE/ Dështon marrëveshja, Muzaka: Prita 2 javë kot, Tirana nuk paguan. Të ekzekutohet vendimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2018 | 22:45

EKSKLUZIVE/ Dështon marrëveshja, Muzaka: Prita 2 javë kot, Tirana nuk paguan. Të ekzekutohet vendimi

Çështja “Muzaka” mbetet në vendnumëro. Dje duhet të mbyllej një herë e mirë kjo histori, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Propozimi i bërë nga ish-mesfushori për shlyerjen me këste të borxhit prej 107 milionë lekësh, nuk ka marrë përgjigje pozitive nga Tirana.

Halili-Muzaka

Kjo ka detyruar lojtarin që të njoftojë FSHF-në (e cila ishte ndërmjetësuese për këtë rast), që të ekzekutojë vendimin. Në këtë situatë, gjithnjë nëse nuk ndodh që kjo histori të marrë ndonjë tjetër kthesë, nuk mbetet gjë tjetër veçse në mbledhjen e radhës të Komisionit të Disiplinës, të merret masa e radhës për kryeqytetasit.

Muzaka

Konfirmimi – Lajmin e konfirmon për “Panorama Sport” vetë Gjergji Muzaka, i cili sqaron se pritjes praktikisht i erdhi fundi. “Nuk u arrit asnjë marrëveshje. Kjo çështje edhe pse u la për të paktën 2 javë pezull dhe nuk u mor asnjë vendim, me qëllim arritjen e një marrëveshje, nuk shkuam dot në një akord. Unë bëra propozimin tim, duke toleruar në lloj forme, megjithatë pala tjetër nuk e pranoi. Në këto kushte zgjidhja e vetme është vazhdimi i ekzekutimit të vendimit”, u shpreh mesfushori, që sezonin e mbylli si kampion te Skënderbeun.

Kushtet – Lojtari kërkoi që të shlyhej me tre këste. Fillimisht, ai donte që të merrte direkt gjysmën e borxhit, e cila me llogari të thjeshtë shkon në 53.7 milionë lekë, ndërsa pjesa tjetër të ndahet sërish në gjysmë dhe të jepet me dy “hise”, që i bien diku te 26.75 milionë lekë. Por, kushti i prerë i 33-vjeçarit ishte që gjysma e borxhit të jepej direkt në dorë, pra kur të mbyllej marrëveshja.

“Zgjidh e merr”, ishte ky varianti i vetëm që mesfushori i vendosi në tavolinë Tiranës. Vendimi – E mërkura e 23 majit përmbyllte “ultimatumin” e dytë të dhënë nga FSHF-ja për klubin kryeqytetas. Tirana shmangu heqjen e radhës së pikëve vetëm përkohësisht, pasi gjeti dakordësi për të rihyrë në negociata. Por, në mungesë të akordit, KDS-së nuk i mbetet gjë tjetër veçse të përmbushë nenin 63 të rregullores së Disiplinës Sportive. Megjithatë, nuk ka sërish vend për “alarm”.

Në momentin që Komisioni i Disiplinës do të zbardhë vendimin, Tiranës do t’i jepen edhe 10 ditë të fundit kohë, sikundër parashikon edhe vetë rregullorja. Pra, logjikisht gjatë kësaj kohe do u duhet që të kalojnë në llogarinë e Gjergji Muzakës 107 milionë lekë të vjetër. Në rast se nuk e bëjnë, atëherë do të komprometonin edhe objektivin “Superiore”.

ADELA MERKO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"